Zbardhet teksti i plotë i ëndrrës që gazetari Blendi Fevziu i tregoi kryeministrit Edi Rama në “Opinion”

Mar 6, 2015 | 17:50
SHPËRNDAJE

Letra e botuar nga Blendi Fevziu ne “Facebook”

UPDATE-Një ditë pasi Blendi Fevziu i tregoi ëndrrën e tij kryeministrit Edi Rama në formën e një letre të shkruar dorazi, duke ia dhuruar atij në mbyllje të intervistës të enjten mbrëma në emisionin “Opinion”, vetë gazetari ka zbardhur tekstin e plotë në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. 

Në një koment të shkurtër që shoqëron foton e publikuar, Blendi Fevziu thotë se ka zgjedhur t’i përgjigjet interesit të medias se  çfarë përmbante “ënderra ime për Kryeministrin!”, duke e postuar atë të plotë.

I nderuar zoti Kryeministër, 
unë kam një ëndërr!
Që në Shqipëri të mos bëjnë ligjin banda dhe banditë!
Që në Parlament të mos ketë më deputetë analfabetë dhe me precedent
penal.
Që të fortët të mos bëhen më model për të rinjtë
dhe ligji të jetë njëlloj për të gjithë
Blendi”,- i ka shkruar gazetari Fevziu kryeministrit Edi Rama në mbyllje të intervistës prej afro tri orësh në “Opinion”.

Ndërkohë, të enjten mbrëma u raportua se gjatë intervistës që kryeministri Edi Rama dha përballë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, nuk munguan tonet e nxehta të debatit mes gazetarit dhe kreut të qeverisë për aktualitetin politik, si dhe as batutat mes njëri-tjetrit. 

Në mbyllje të emisionit, gazetari Fevziu i dhuroi kryeministrit një letër, duke thënë se ajo ishte ëndrra e tij dhe se shpresonte që ai të lexonte kur të kthehej në shtëpi. Por mesa duket, kryeministri Rama nuk i rezistoi tundimit dhe e hapi ate duke e lexuar nën zë në emision, paçka se nuk e bëri publike brendësinë e letrës.

Kryeministri Edi Rama duke lexuar “endrren” e Fevziut ne “Opinion”

Letra e gazetarit Blendi Fevziu drejtuar kryeministrit Rama në formën “po ju dhuroj një ëndërr”, vjen në kuadër të iniciativës që kreu i ekzekutivit ka nisur në fillim të vitit, duke ftuar të gjithë të rinjtë që kanë një ëndërr, një dëshirë, që mund të realizohet, të aplikojnë me projekte pranë portalit të hapur enkas për këtë temë.
Aktualisht, ky konkurrim është mbyllur dhe më datë 15 mars priten të dalin 10 të përzgjedhurit e ‘ëndrrës 2015-të’.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura