Gazetarët bojkotojnë mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, nisi me 120 minuta vonesë

May 5, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

Gazetarët e mediave të shkruara dhe audiovizive kanë vendosur sot të bojkotojnë mbledhjen e komisionit parlamentar të ligjeve për shkak se ai nisi 120 minuta me vonesë.

Operatoret jashte dyerve te Kryesise se Kuvendit pas bojkotit te Komisionit te Ligjeve

Në rendin e ditës ishte parashikuar të diskutohej projektligji i ri për lojërat e fatit dhe mbledhja duhet të niste në orën 10:00.

Fillimisht ajo u shty për në orën 11:00 pa u dhënë ndonjë arsye për ndryshimin e orarit.

Por teksa ishte parashikuar të shtyhej 60 minuta, mbledhja nuk nisi.

Gazetarëve dhe operatorëve të televizioneve iu desh të qëndronin më shumë se 1 orë në këmbë në korridoret e kuvendit derisa të niste mbledhja.

Por ajo nuk nisi as në orën 11:00 dhe vazhdoi të shtyhej deri në orën 12:00.

Në këtë moment kur deputetët socialistë u bënë gati të nisnin mbledhjen, gazetarët dhe operatorët morën vendim ta bojkotonin atë në shenjë proteste për mosrespektimin e orarit.

Ky bojkot i përfaqësuesve të mediave vjen pak ditë pasi kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe nuk pranoi të futej në mbledhje gazetari i Top Channel me argumentin se ishte me 30 minuta vonesë.

Në komisionin e Ligjeve nuk kanë qenë të pakta rastet kur mbledhjet kanë nisur edhe me 60 minuta vonesë për shkak të mungesës së deputetëve të cilët e merrnin me nge.

Ndërkohë që gjëja e parë që bënin pasi vinin në mbledhje ishte firmosja e listë-prezencës me të cilën garantojnë 2 mijë lekë të reja shpërblim për çdo mbledhje. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura