Gati tenderi 132 milionë euro për Unazën e Madhe. Ja sa do të kushtojnë tre kilometra rrugë

Aug 11, 2021 | 9:14
SHPËRNDAJE

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati procedurën tenderuese për ndërtimin e pjesës së mbetur të Unazës së Madhe, ndërkohë që sipas të dhënave të përpunuara nga “TV SCAN”, fondi limit për procedurat që pritet të shpallen gjatë muajit shtator është rreth 16 mld lekë, apo 132 mln euro.

unaza e madhe

Në total janë 7 lote, për të cilat do të hapet gara tenderuese. 3 prej tyre përfshijnë ndërtimin e segmentit nga sheshi “Shqiponja” te Bulevardi i Ri dhe urat mbi lum, me një kosto prej 7.57 mld lekë, apo 62.5 mln euro. Për këtë segment, ARRSH rishikoi projektin përgjatë vitit 2020 dhe sipas dokumenteve të një viti më parë, objekti do të fillojë në pikën e sotme fundore, që është rrethrrotullimi “Shqiponja” dhe do të vazhdojë përgjatë rrugës “Vangjel Noti”. Më pas do të kryqëzohet me rrugën “Adem Jashari” e do të vazhdojë në një zonë ndërtimesh të reja, deri në shtratin e Lumit të Tiranës. Më pas parashikohet të vazhdojë më tej me kalimin e Lumit të Tiranës përmes një ure, për t’u zhvilluar në krahun e majtë të Lumit të Tiranës, në krah të kodrave të Paskuqanit deri në pikën e takimit me Bulevardin e Ri të Tiranes. Gjatësia e këtij segmenti është rreth 3 km.

LOTET JASHTË TIRANËS

Ndërkaq, 4 lotet e tjera përfshijnë ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, me një kosto totale prej 69.5 mln eurosh. Ky segment fillon pas lotit 3, në afërsi të Shkozës, që aktualisht është duke u ndërtuar, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit e më pas Unaza hyn në zonën e Kinostudios.

Më pas unaza vazhdon drejt Veriut, duke zbritur nëpër shtratin e Përroit të Gjeroses, zbret drejt Lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru–Bregu i Lumit–Kthesa Kamëz. Gjatësia totale e segmentit nga Sauku deri në Lumin e Tiranës është 10,750 km. Hapja e kësaj gare u paralajmërua pak ditë më parë edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të punimeve në segmentin e unazës Pallati me Shigjetasheshi “Shqiponja”, rruga kryesore e të cilit, së bashku me lotet 1, 2 dhe 3 të pjesës lindore, parashikohet të hapen për kalimin e automjeteve në fund të muajit shtator. Ndërkohë, pak ditë më parë, ministrja e Transportit dhe drejtori i ARSH-së, Ervis Berberi, inspektuan punimet në sheshin “Shqiponja”, ku sipas tyre, punimet në atë lot janë kryer në masën 50%.

“Unaza e Madhe e Tiranës po merr formë ditë pas dite. Në lotin 2 të këtij projekti, mbikalimi i Pallatit me Shigjeta-sheshi ‘Shqiponja’, është realizuar 50% e punimeve, ndërsa janë angazhuar afro 300 punonjës për të bërë të mundur përfundimin brenda një kohe sa më të shkurtër të kësaj vepre. Po me ritëm të lartë po punohet edhe në lotet e tjera. Nuk do të ndalemi deri në përfundimin e plotë të kësaj vepre kaq të rëndësishme për kryeqytetin”, shkroi në “Facebook” ministrja Balluku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura