“Gati të ulemi në tryezë me opozitën”- Edi Rama flet për Vetingun në politikë: Nuk ka rëndësi nga vjen propozimi, duhet të jetë me interes për…

Oct 27, 2021 | 20:06
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediat foli mbi propozimin e Vetingut në politikë, duke u shprehur se nuk ka asnjë opinion sot për sot, por tha se është i gatshëm që të ulet në tryezë dhe ta diskutojë me opozitën.

Kreu i qeverisë tha se nëse shohim interes për publikun dhe vendin do ta pranojmë propozimin, pavarësisht se nga vjen ai.

Pyetje: Më 2018 bazuar mbi Venecian rrëzuat vettingun politik, çfarë ka ndryshuar që keni ndërruar mendje?

Rama: E para, mendjen nuk makeni lexuar. Nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë, për të respektuar një parim, që e kemi vendosur vetë që në fillim, që ne jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë. Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Do dëgjojmë argumentat. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, idetë evoluojnë, argumentet evoluojnë. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën.

Pyetje: Jeni dakord që SPAK-u ta bëjë Vetingun në politikë dhe që familjarët tuaj të hetohen?

Nuk kam opinion për këtë. Seriozitet mbi parimin që jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në televizor, atëherë nuk ka dialog. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do të marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile. E kam thënë që cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës, në një vend, komunitet, organizatë, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar njerëzisht edhe të thuash nuk biem dakord. Ne duam këtë të dytën.

Pyetje: A do të kërkohet Opinioni i Venecias?

Rama: Nuk kam asnjë opinion sot për sot. Mendimin personal nuk jam i gatshëm ta ndaj publikisht. Mund të mos na bindë në pamje të parë një gjë për të cilën nuk dimë gjithçka, ulemi, diskutojmë, dëgjojmë argumentet, i ballafaqojmë. Në rast se shohim interes për publikun, për vendin, nuk ka rëndësi nga vjen propozimi. S’kam opinion sepse serioziteti mbi parimin që jemi gati të diskutojmë, qëndron nga këtu. Nuk e themi dot fjalën e fundit se nuk bëhet dialogu në televizion me mikrofonët para.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura