Gati plani për ringjalljen, trajneri Ilir Daja ka besim te sulmuesi i Partizanit

Aug 14, 2020 | 18:41
SHPËRNDAJE

Theofilus Solomon erdhi me bujë në verën e 2019-ës, pasi u pretendua që Partizani e zgjidhi çështjen e sulmit me nigerianin. Për këtë arsye, 24-vjeçari ishte edhe një nga më të paguarit në radhët e të kuqve. Por pritshmëritë me Solomon nuk dolën në sezonin e shkuar, pasi sulmuesi arriti të shënojë vetëm 5 gola në 25 ndeshje ku u aktivizua.

teofilius solomon

Pikën më të errët nigeriani e pati nën drejtimin e Adolfo Sormanit, që pas humbjes 5-1 në derbin e fazës së tretë, për disa javë nuk e preku fushën e lojës. E përgjithshmja ka qenë se të gjithë prisnin largimin e sulmuesit nigerian, por duke pasur edhe një vit kontratë, plus që merkatoja në hyrje është e bllokuar, ai nuk ndryshoi ambient. Me ardhjen e trajnerit Ilir Daja parashikohet të ndryshojë edhe “jeta” e 24- vjeçarit. “Panorama Sport” ka mësuar se trajneri i ri e ka në konsideratë sulmuesin dhe ai ka një plan për ringjalljen e Solomonit. Daja ka besim tek aftësitë e nigerianit, i cili në sezonin e shkuar ka provuar të luajë në disa pozicione në fazën ofensive, por që nuk dolën të goditura.

Ilir Daja

Mësohet se Daja do ta përdorë pikërisht për atë rol që ka mbërritur në verën e 2019-ës, duke qenë pika referuese në majë të sulmit. Falë lëvizshmërisë dhe forcës fizike, nigeriani mund të jetë i vlefshëm jo vetëm për të shënuar, por edhe për të hapur hapësira për partnerët e tij në krahët e sulmit.

Një skemë të tillë trajneri Daja e ka përdorur së fundmi edhe të Skënderbeu me Krasniqin, duke u dhënë mundësi shënimi Bregut dhe Gripshit, apo atij që luan pas “pykës”. Planet për ringjalljen e Solomonit trajneri Daja i ka pasur në mendje me Melon në fushë, por lëvizja e fundit e brazilianit i ka gjetur të papërgatitur të gjithë në kampin e kuq, ndonëse kanë besim se 26-vjeçari do të kthehet shpejt në ekip.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura