Gati një vit nga vrasja e Konstandin Kacifas/ Avokati për mediat greke: Çfarë synon Shqipëria duke mos publikuar raportin e vdekjes

Oct 11, 2019 | 21:37
SHPËRNDAJE

 

Teksa po bëhet një vit nga vrasja e Konstandin Kacifas në fshatin Bularat në Gjirokastër, mediat greke shkruajnë se autoritetet shqiptare nuk e kanë zbuluar ende raportin për vdekjen e tij.

kacifas

Avokati i familjes i cituar nga gazeta greke “Ethnos” vlerëson se raporti i drejtësisë shqiptare nuk është publikuar ende me gjithë se po bëhet një vit nga vdekja e tij. Avokati Efthymis Navridis thotë se raporti nuk do të zbardhet edhe vitin e ardhshëm.

“Raporti përfundimtar mbi vdekjen e Konstantinos Katsifas do të duhej të përfundonte dhe të botohej brenda tre muajve nga incidenti. Me ligj prokurori mund ta shtyjë atë edhe për tre muaj të tjerë. Tani me procedura të ndryshme ata mund ta vonojnë atë deri në dy vjet. Fatkeqësisht, nuk shoh që ai të lëshohet më herët”, thekson ai.

“Informacioni im tregon që ata duan ta paraqesin vdekjen e Kostandinit si një vetëvrasje. Dmth ai kreu vetëvrasje për të mos u arrestuar nga policia shqiptare. Por ai mbante në duar kallashnikovin dhe në varësi të plagëve që mori nga plumbat ishte shumë e vështirë të bëhej vetëvrasje”, thotë Nauridis.

Gazeta greke shkruan se rreth dy javë më parë, për shkak të shëndetit, dha dorëheqjen Prokurori shqiptar i Krimeve të Rënda, Niazi Seferi, i cili kishte marrë përsipër çështjen e Konstantin Kacifa. Sipas z. Navridis, ai është prokurori i dytë shqiptar që merr përsipër çështjen Kacifa.

“Nuk përjashtohet mundësia që prokurori t’i bëhet presion për çështjen dhe të japë dorëheqjen. Ai është prokurori i dytë që tërhiqet. Unë kisha folur me të parin, por ai nuk më tha asgjë në lidhje me rastin”, tha avokati i familjes Katsifa.

Ndërkohë, pasditen e së enjtes, 10 tetor, policia shqiptare ndaloi ndërtimin e një kishe të vogël të ngritur nga familja e Kostandin Kacifas, në një pikë ku ai u vra me armë zjarri të forcave speciale të policisë.

Puna u ndal me arsyetimin se familja nuk kishte marrë leje. Avokati e sheh argumentin e policisë shqiptare si një pretekst, pasi ai argumenton se të gjitha ndërtimet janë ligjërisht arbitrare në Shqipëri.

Gazeta greke pretendon se minoritarët janë të frikësuar nga policia shqiptare se do të përdorë çështjen Katsifa si pretekst për të parandaluar pakicën greke në Dropull të festojë 28 tetorin, festë kombëtare e Greqisë.

/S.Ll/Panorama/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura