Gati goditja e madhe e merkatos, Partizani do talentin e Vardarit

Aug 28, 2016 | 9:57
SHPËRNDAJE

Sulmuesi izraelit, Ben Azubel, është përforcimi i fundit në radhët e Partizanit, por merkatoja e të kuqve të kryeqytetit mbetet e hapur.

Para fillimit të ndeshjes së kthimit me Krasnodarin, që u luajt më 25 gusht, drejtuesit e Partizanit deklaruan se pas sulmuesit izraelit presin edhe një goditje të madhe në merkato, por pa dhënë koordinata se kush ishte lojtari apo edhe nga do të vinte.

jasir asani

“Panorama Sport” ka mësuar se kush pritet të jetë surpriza e merkatos së Partizanit në merkaton e verës. Pikërisht bëhet fjalë për talentin shqiptar të Vardarit të Shkupit, Jasir Asani.

21-vjeçari është një nga lojtarët më të spikatur të kampiones së Maqedonisë, i cili së fundmi është pajisur edhe me shtetësi shqiptare, duke u grumbulluar nga ekipi Shpresa. Asani gjithë karrierën e tij futbollistike e ka shtrirë te Vardari, duke nisur nga moshat deri tek ekipi i parë.

21-vjeçari konsiderohet si një nga talentet e futbollit të Maqedonisë, por sulmuesi ka vendosur që të luajë me ngjyrat e shtetit amë, Shqipërinë, ndonëse më herët ka luajtur me kombëtaret e moshave të Maqedonisë.

Burime zyrtare pranë klubit kryeqytetas për “Panorama Sport” kanë bërë të ditur se kanë nisur bisedimet me lojtarin dhe klubin e Vardarit, në mënyrë që Jasir Asani të jetë përforcimi më i ri i sulmit të Partizanit. Të kuqtë po bëjnë të pamundurën që ta afrojnë sulmuesin e krahut të majtë, madje Partizani po shqyrton edhe mundësinë e blerjes së kartonit të lojtarit nga Vardari.

jasir asani

Për bisedimet që po kryhen me talentin e Vardarit dhe të kombëtares shqiptare U- 21, janë pranuar edhe nga burime zyrtare brenda klubit “Partizani”, që për “Panorama Sport” kanë deklaruar si më poshtë:

“Po punojmë për afrimin e Asanit, por mbetet për t’u parë nëse do t’ia arrijmë qëllimit. Po i shqyrtojmë të gjitha alternativat, deri te blerja e kartonit të lojtarit, ndonëse bëhet fjalë për parametra shumë të lartë. Shpresojmë që të gjejmë një mënyrë bashkëpunimi me lojtarin dhe klubin e Vardarit”.

Sipas sajtit “transfermarkt.com”, vlera e kartonit të 21-vjeçarit është 200 mijë euro. Me afrimit e 21- vjeçarit të Vardarit, “tredhëmbëshi” sulmues i të kuqve mund të formohej nga Asani në të majtë, Ekuban në të djathtë dhe Azubel në qendër.

Me largimin e Asanit nga futbolli maqedonas mund të përfitonte edhe Shkëndija, pasi në të shkuarën ky lojtar e ka ndëshkuar disa herë skuadrën tetovare.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura