Gara te Mjekësia, Komisioni i Apelit rrëzon kërkesën e Bares

May 1, 2016 | 10:46
SHPËRNDAJE

Komisioni i Apelit ka rrëzuar kërkesën e kandidatit për rektor të Universitetit të Mjekësisë, Petrit Bara, për të shpallur të pavlefshëm procesin zgjedhor për shkak se nuk u përfshinë dy filialet në Kukës e Sarandë.

petrit-baraNë vendimin e marrë të premten, thuhet se është Ministria e Arsimit ajo që ka marrë vendimin e mospërfshirjes së dy filialeve në procesin zgjedhor. Kjo bazohet në vendimin për riorganizimin institucional të Universitetit të Mjekësisë, i cili tashmë ka vetëm tri fakultete.

“Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe njësitë kryesore nuk kanë në strukturë filiale dhe procesi zgjedhor të vijojë sipas strukturës së miratuar me urdhrin e ministres së Arsimit dhe Sportit, me nr.151, datë 30.03.2016 ‘Për riorganizimin institucional të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë”, thuhet në vendim.

Ndërsa pretendimit të mjekut Bara, se dy filialet e përmendura janë përfshirë në zgjedhjet e kaluara, sipas arsyetimit të komisionit, nuk qëndrojnë.

“Theksojmë se pretendimi juaj se filialet e Kukësit dhe Sarandës janë përfshirë në zgjedhjet universitare në vitin 2013 nuk qëndron, pasi Universiteti i Mjekësisë është krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, nr.48, datë 23.01.2013, ‘Për krijimin e Universitetit të Mjekësisë’, i ndryshuar.

Që nga krijimi i këtij Universiteti nuk janë zhvilluar më parë zgjedhje për autoritete dhe organe drejtuese”.

Sipas logjikës së ndjekur nga Apeli, zgjedhjet universitare në të cilat kanë votuar filialet e Kukësit dhe Sarandës janë ato të vitit 2012, kohë në të cilën Universiteti i Mjekësisë nuk ka ekzistuar dhe filialet kanë qenë sikurse edhe tani, pjesë e Universitetit të Tiranës.

Në zgjedhjet e 20 prillit, rektori i komanduar Arben Gjata ka fituar 38.3% të votave kundrejt 36.3% që fitoi rivali Bara.

Diferenca mes tyre është vetëm gjashtë vota. Po aq është edhe numri i pedagogëve të dy filialeve në Kukës e Sarandë, të cilët Bara mendon se do t’i kishte pro dhe u është hequr qëllimisht e drejta e votës.

Kjo ka qenë arsyeja që e çoi këtë të fundit të ankimojë çështjen, fillimisht në KIZ, duke kërkuar rinumërim të votave e më pas në komisionin e apelit me kërkesën e shpalljes së zgjedhjeve të pavlefshme.

Vendimi i Apelit është i formës së prerë, ndërsa e vetmja rrugë nëse Bara kërkon t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund, është ajo gjyqësore.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura