Gara që nuk humbi Grida!

Jun 28, 2015 | 14:00
SHPËRNDAJE

AGIM PARLLAKU*

                Në Durrës nuk kishte zgjedhje, në Durrës kishte gjithçka tjetër përveç zgjedhjeve! Kishte blerje masive votash, trafikim zgjedhësish, trafik interesash, manipulim masiv  listash zgjedhore, klonim kartash, dhunim votuesish, presion nga të gjitha anët, përdorim të shfrenuar të administratës shtetërore, presion, gjobëvënie, pra kishte krim elektoral! Gjithçka ndodhi para syve të të gjithëve, faqe të gjithëve, në forma dhe përmasa të frikshme dhe askush nuk flet, struken të gjithë, kanë frikë të flasin! Çakejtë kanë filluar ta kërkojnë gjetkë shkakun?!

Çfarë dhimbjeje, çfarë zhgënjimi! Kurrsesi për betejën e humbur, por për lirinë e cenuar, për garën e munguar, për demokracinë e dhunuar! Gara elektorale është një konkurrim i pastër bazuar në rregulla të qarta loje, përplasje idesh e platformash, strategjish e alternativash, projektesh e mundësish, personalitetesh e eksperiencash, aftësish, stafesh e mbështetësish, e cila përcillet te qytetarët nëpërmjet formash e mënyrash nga më të ndryshmet dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet një komunikimi intensiv me zgjedhësit dhe për zgjedhësit dhe debatesh mes rivalëve.

Grida nuk pati rival në garë, ai mungoi gjithandej, nuk doli përballë, u fsheh, i frikësuar dhe i trembur i iku garës elektorale si djalli temjanit! Në Durrës nuk kishte garë e, për pasojë, Grida nuk e kishte të mundur të humbte diçka që nuk ishte, ashtu si rivali i saj që nuk fitoi garë, por bleu mandat! Nuk kishte garë, kishte betejë me të keqen, betejë me krimin, betejë me paratë e pista, me korrupsionin, betejë me mafien elektorale, pjesë thelbësore e makinerisë së maxhorancës qeverisëse sot, dramatikisht! Ishte një betejë që e humbëm të gjithë! Nuk patëm shansin të fitonim apo të humbnim një përballje elektorale.

Të humbësh një garë elektorale nuk është fundi i botës e aq më pak mëkat! Të dish të lexosh humbjen dhe të sillesh natyrshëm me të, është pjesë e normalitetit demokratik. Grida u përball me pushtetin ku Gjushi i vogël i betonit të madh përbënte mekanizmin ushqyes të krimit elektoral më të rëndë të faktuar deri më sot në Shqipëri. Grida u përball me Kryeministrin e vendit në një fushëbetejë ku gjithçka ishte e paracaktuar prej tij.

U përball me Kryeministrin dhe taborët e tij, jo përballë, se nuk e patën kurajën, por prapa krahëve si burracakë! Një Kryeministër, një shtet, miliona euro të hedhura lumë, dhjetëra kriminelë e banditë të lëshuar rrugëve, në errësirën e natës, si hiena, përballë një zonje, që nuk ua pati frikën asnjë sekondë, që i sfidoi në çdo çast me qytetarí dhe dinjitet, me zgjuarsi dhe trimëri! Kryeministri në panik zhvendosi gjithçka drejt Durrësit, makinerinë falsifikuese të votave, spotin elektoral, mitingun përmbyllës të fushatës, makinerinë shtetërore, deri dhe të afërm dhe familjarë të ministrave të tij, për të shpëtuar mikun e vetëm të tij në politikë, me çdo formë dhe mënyrë, me çdo kusht, por jo nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Njihet nga të gjithë durrsakët thënia e Ramës: “Në politikë nuk ka miq, por nëse kam një të tillë, ai është Gjushi”, personi që e shoqëron atë në pothuaj çdo vizitë ndërkombëtare, pagatori i qokave kryeministrore. Është hera e parë që një betejë elektorale nis me -2900 vota (këto janë të faktuara, por numri i tyre mund të jetë shumë më i madh)! U faktua dhe u pranua publikisht shtimi fiktiv i listave deri edhe nga rivali i Gridës në Durrës, Rama i Gjushit, i cili do të falte “mandatën”, nëse diferenca do ishte sa shtesa në lista?!

Një Kryeministër që e pranon publikisht manipulimin dhe duke e vënë bast atë, se, nëse diferenca pas zgjedhjeve do të ishte sa shtesa, atëherë Gjushi do të jepte dorëheqjen?! Padroni e dinte se shtesa e këtyre votave ishte vetëm maja e ajsbergut të manipulimit që kishte gatuar dhe, në tavolinën e bixhozit ku luante, s’e kishte problem të falte pjesën e milionave të pista të hedhura për blerjen e “mandatës” së radhës, që askush s’e ndaloi dot, që strukturat e shtetit s’deshën ta ndalonin, që PD nuk diti të marrë vendimin e duhur për betejën e pabarabartë dhe pa rregulla të ndershme loje që po i linte kandidates së saj për të zhvilluar, që të gjithë ne nuk ia dolëm ta ndalonim!

Përveçse ndaj blerjes masive të votës, trafikimit të votuesve, klonimit të kartave, përdorimit të pafre të makinerisë shtetërore, dhunës së paprecedentë e të vazhdueshme të stafeve elektorale të saj, përfshi edhe presionit konstant madje në rritje ndaj qytetarëve dhe bizneseve, gjobat dhe frikën e tyre përballë kësaj situate, Gridës iu desh të ndërtonte strategjinë e fitores edhe mbi ineficiencën organizative dhe funksionale të strukturave të forcës politike, të cilën përfaqësonte (analizë e cila nuk është objekt i këtij shkrimi, por që nuk duhet të mungojë)!

Pavarësisht peshës dhe barrës së rëndë, Grida ia doli të ngjallë shpresë, të ngjallë besim, të krijojë frymë, të paraqesë alternativën më të mirë, të krijojë distancë nga meskiniteti dhe mediokriteti, nga servilizmi, sahanlëpirësit dhe spiunllëqet, intrigat dhe përplasjet klanore, ajo arriti t’i bënte bashkë të gjithë, ia arriti të krijonte modelin e saj! Falë një fushate intensive arriti të shtrëngojë mijëra duar, bashkëbisedoi sy më sy me qytetarët në çdo rrugë dhe rrugicë, lagje më lagje, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi. U takua dhe dëgjoi çdo grup interesi, preku nga afër çdo problematikë, dëgjoi çdo shqetësim.

Falë komunikimit intensiv, argumentues dhe të sinqertë ia doli të prekë deri dhe më skeptikët! Paraqiti, artikuloi, argumentoi programin dhe alternativën e saj si më të mirën e mundshme, më të besueshmen! Bëri të mundur të bindë dhe të bëjë të punojnë për të, të gjithë kandidatët potencialë për kryetarë bashkie. Pra të gjithë ata që secili veç e veç mendonte se i vetëm mund ta fitonte këtë garë. Natyrshëm lind pyetja se përse të gjithë së bashku, edhe me Gridën, nuk e fituan këtë garë?! Sepse aty nuk kishte garë, aty nuk kishte zgjedhje! Bëri të mundur të bashkojë rreth saj dhe të punojnë për të edhe të gjithë faktorët në PD-në e Durrësit si asnjëherë më parë (..por nuk kam një përgjigje se sa punuan për fitoren e saj, sa për qind të energjive të tyre i vunë në funksion të fitores).

Ofroi bashkëpunim, përkrahu, mbështeti, garantoi vlerësimin real të kontributit dhe vlerave të gjithsecilit dhe, mbi të gjitha, besoi te secili prej tyre. Siç duket, edhe ky aspekt shumë i rëndësishëm i fushatës nuk mjaftoi. Sepse, sipas meje, nuk kishte garë, nuk pati zgjedhje por pati blerje masive votash! Kush ka dilema dhe dyshon se si dhe sa u angazhuan dhe sa punuan faktorët e më- sipërm, le t’u drejtohet rezultateve zgjedhore ose le të shfrenojë imagjinatën! Ofroi gjithçka që kishte arritur në jetë për t’i shërbyer qytetit të saj.

Demonstroi integritet duke kërkuar fitoren vetëm nëpërmjet garës së pastër dhe qytetare elektorale, pa rënë pre për asnjë moment e provokimeve dhe sulmeve të ulëta të klaneve të pista. Nuk sulmoi asnjëherë personalisht, ashtu sikundër nuk hezitoi për asnjë moment të artikulojë çdo gjë të kundraligjshme që kishin bërë paraardhësit e saj duke paraqitur alternativat dhe rrugët e zgjidhjes për secilën prej tyre me dëshirën e mirë për të shpëtuar qytetin. Ia doli, ia doli, ia doli…, thuajse në gjithçka, por nuk ia doli dhe s’mundi t’ia dilte të mposhtte mafien! Mafia nuk është alternativë!

Në Bashkinë e Durrësit nuk u zgjodh qytetari i parë i këtij qyteti, nuk fitoi alternativa më e mirë, nuk u votua për të, nuk fitoi menaxheri më i zoti, fitoi alternativa e manipulimit dhe blerësit të vetëm dhe të pafre të “merkatës së votave”. Kush ka bërë beteja në jetën e tij, ka të drejtë të flasë dhe të gjykojë apo analizojë, të tjerë, që si hienat pritën me ankth humbjen, le të jargaviten, ndërsa ata, që kurrë nuk patën dhe nuk bënë të tilla, le të lehin! Nuk bëhet fjalë për shmangie nga përgjegjësia, këtë nuk e kanë bërë dhe nuk e bëjnë kurrë njerëzit e përgjegjshëm, por bëhet fjalë për të vërtetën dhe të drejtën, bëhet fjalë për shkatërrimin e së drejtës themelore, mbi të cilën mbështetet dhe funksionon sistemi demokratik për votën e lirë, e cila është cenuar në themel.

Partia Demokratike nuk duhet të bëhet dhe nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve të munguara, zgjedhjeve të trukuara! Partia Demokratike duhet të nisë sa më parë betejën e saj thelbësore, ekzistenciale për të garantuar kthimin e besimit te vota e lirë si garanti i vetëm i lirisë dhe demokracisë! Në raport më votën e lirë, të tjerat janë dokrra! Në Durrës nuk pati zgjedhje! Nuk pati garë të ndershme dhe të barabartë! Në Durrës pati krim të rëndë elektoral! Alarmi ka rënë! Mjerë ata që nuk kanë veshë ta dëgjojnë dhe sy ta shikojnë!

*Anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura