Gara për Operan, të premten dy emra shkojnë te Kryeministri

Aug 25, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Deri ditën e premte, komisioni përzgjedhës i kandidatëve të mundshëm për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të ketë çuar përpara Kryeministrit dy emra.

Prej gjashtë kandidatëve, do të përzgjidhen vetëm dy e më pas është Kryeministri ai që do të firmosë, vetëm për njërin. Ditën e djeshme, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, komisioni u ballafaqua me 6 kandidatë për postin e drejtorit të përgjithshëm të TKOBAP, vend ky i hapur pas dorëheqjes së Ilir Kernit.

edi-rama1

Për herë të parë, Ministria e Kulturës e zhvilloi procesin e audicionit me kandidatët përkatës të hapur për gazetarët, por jo për kamerat, për të mos krijuar shqetësim dhe një emocion të shtuar te konkurrentët. Megjithatë, pavarësisht interesit të shprehur gjatë këtyre ditëve, shumë të paktë ishin ata që kishin ardhur ta ndiqnin këtë pjesë të garës.

Ata pak të interesuar, jo vetëm që iu lejua qëndrimi përgjatë gjithë seancës, por iu vunë në dispozicion të gjitha dosjet e kandidatëve. Gjithçka ishte e hapur dhe me një seriozitet të admirueshëm nga ana e komisionit, i cili nuk i lejoi vetes asnjë koment pas çdo prezantimi, jo thjesht për hir të pranisë së gazetarëve.

Gjashtë kandidatët për postin e drejtorit të përgjithshëm të TKOBAP janë Josif Gjipali, Zana Çela, Agim Hushi, Ylber Gjini, Kleanthi Gjika dhe Gëzim Xhaxhaj. Nga sa u pa në këtë përballje mes komisionit dhe kandidatëve, marrëdhënies së krijuar mes të dyja palëve, pyetjeve dhe përgjigjeve, dy emrat potencialë duken të jenë Josif Gjipali dhe Zana Çela.

E megjithatë, do të duhet të vijë e premtja për të mësuar emrat e atyre dy kandidatëve, që i janë dukur më bindës komisionit, se mund të marrin përsipër barrën e drejtimit të TKOBAP.

Komisioni do të mblidhet sërish për të marrë edhe një herë në shqyrtim dosjet dhe për të diskutuar mbi paraqitjen verbale të kandidatëve. Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Elira Kokona, në fund të çdo prezantimi njoftoi kandidatët se brenda të premtes ata do të njoftohen mbi vendimin e marrë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura