Gara për kryeprokurorin/ Nga përgjimet, te ndërhyrjet dhe dënimi i më të dobëtëve, ja platformat e 3 kandidatëve

Nov 14, 2019 | 11:09
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Në tri seanca maratonë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dëgjoi programet dhe vizionin e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

kandidatet-per-kryeprokuror

E para që doli para KLP-së ishte Arta Marku, e cila e nisi fjalën e saj duke folur për të shkuarën dhe eksperiencën e saj. Marku tha para anëtarëve të KLP-së se nëse zgjidhej Kryeprokurore me mandat të plotë, do të përmirësonte treguesit e punës, do të rriste besimin e publikut në sistemin e Prokurorisë dhe do të punonte për tregues statistikorë të plotë dhe të saktë. Marku iu përgjigj edhe pyetjeve për ndikim, politikë, duke thënë se ajo kishte dhënë prova që është e pandikueshme dhe se të vetmen mbështetje që ka pasur, është ajo e ndërkombëtarëve.

E dyta që doli para Këshillit ishte prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj. Kjo e fundit e kishte mbështetur platformën e saj në monitorimin e punës së prokurorëve dhe zgjidhjes së problemeve që mund të kenë. Më tej, prokurorja tha se roli i Prokurorit të Përgjithshëm është që të sigurohet që respektohet ligji. Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ishte i fundit që doli para KLP-së dhe parashtroi platformën e tij. Çela tha se nëse do të ishte Prokurori i Përgjithshëm, do të bënte ndryshime rrënjësore në këtë institucion, duke e bërë më interaktiv, pavarësisht cungimit të kompetencave.

Prokurori në programin e tij kishte evidentuar një sërë problemesh, një pjesë i konsideroi si “kronike” të sistemit dhe disa të tjera të krijuara rishtazi. Teksa foli për mosefikasitetin e politikave penale, Çela u shpreh ashpër ndaj punës së bërë nga Prokuroria gjatë kësaj kohe. Në platformën e tij, prokurori i Krimeve të Rënda tha se do të krijonte bashkëpunim me disa institucione dhe se do të monitoronte punën e prokurorëve, ku çdo 4 muaj do të zhvillonte një mbledhje me drejtues të prokurorive.

arta marku intervista

ARTA MARKU

Gent Ibrahimi: Si e shikoni bashkëjetesën e KLP me Prokurorin e Përgjithshëm? Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokuroria e Përgjithshme janë dy institucione që nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. KLP menaxhon burimet njerëzore, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme menaxhon produktin, pra punën e përditshme që bëhet. Në ligj nuk parashikohet mënyra se si mund të bashkëpunojnë këto dy institucione, nuk ka asnjë dispozitë, përveç bashkëpunimit një herë në 5 vite për të caktuar numrin e përgjithshëm të prokurorëve. Megjithatë, unë mendoj se janë dy institucione që duhet të bashkëpunojnë dhe nëse ka vullnet, mund të bashkëpunohet dhe e mendoj si të domosdoshëm bashkëpunimin.

Beluri: Keni konstatuar se ka mangësi ligjore në ushtrimin e kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, nuk e shikoni kontradiktore?

Është e vërtetë që kam parashtruar disa mangësi të Prokurorit të Përgjithshëm si institucion kushtetues, jo mangësi personale. Ka qenë një nga kërkesat për ta prezantuar në platformë evidentimin e mangësive të Prokurorit të Përgjithshëm. Unë i jam përgjigjur asaj kërkese dhe nuk mendoj se ka ndonjë lloj kontradikte në pasjen e disa mangësive sipas këndvështrimit tim, me konkurrimin tim për një mandat të plotë.

Seiti: Takimi juaj me shefin e qeverisë ishte për të dëgjuar nga ju një politikë të sistemit, të hetimit dhe të akuzës. Çfarë i ofruat ju qeverisë?

Marku: Juve ju referuat një takimi me kreun e pushtetit ekzekutiv, pra me Kryeministrin. Në fakt, më duhet t’ju them që nuk kam bërë vetëm një takim, janë disa. Kryeministri drejton disa komisione, ku unë jam pjesë si drejtuese e një prej institucioneve kryesore kushtetuese. Me sa kuptova, ju i referoheni një takimi të fundit, që është bërë në kohën kur opozita pati disa protesta dhe pati shumë probleme dhe disa protesta degjeneruan në dhunë dhe kjo ka qenë arsyeja e këtij takimi, që është bërë jo vetëm me mua personalisht, por edhe me drejtorin e SHISHit, me ministrin e Brendshëm. Pra, me drejtuesit kryesorë të institucioneve që ishin aktorët, të cilët trajtonin çështjet që lindën nga dhuna e ushtruar në këto protesta. Nuk ka qenë një takim raportues, pasi nuk ka një marrëdhënie të tillë mes ekzekutivit dhe Prokurorisë apo kreut të ekzekutivit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ka qenë një takim pune, për shkak të situatës emergjente që po kalonte vendi. Ne të gjithë e kemi parë, e kemi ndjekur nga afër.

Seiti: Në këtë periudhë kohe që ju keni qenë Prokurore e Përgjithshme, një prokuror në një nga prokuroritë në Shqipëri nuk ka bërë ankim në Apel ndaj një çështjeje, ku shteti shqiptar dëmtohej me 25 milionë dollarë. Çfarë mendoni për procedurën që duhet të ndiqte prokurori ose Prokurori i Përgjithshëm në këtë rast?

Marku: Sa i përket pyetjes së dytë, mungesa e apelimit nga një prokuror që ka pasur një çështje në Shkallë të Parë… Unë jam vënë në dijeni vetëm nga mediat në lidhje me këtë rast, ashtu siç njihem me shumë raste të tjera vetëm nëpërmjet medias, që bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, pra për të përcjellë problematika. Nuk kam ardhur në dijeni nga drejtuesi i prokurorisë apo prokurori i çështjes, kështu që nuk kam pasur mundësi të bëj asnjë lloj reagimi në lidhje me këtë. Natyrisht, është një nga mangësitë, mungesa e së drejtës që ka qoftë drejtuesi i prokurorisë, pra çdo prokuror më i lartë nuk ka kompetencë që të ketë të drejtën të bëjë një rekurs, pra të krijojë mundësinë që disa pasoja negative të mund të riparohen në një gjykatë më të lartë. Kështu që, e para nuk kam qenë e informuar për rastin, por edhe nëse do kisha qenë e informuar, nuk kam pasur mundësi të bëj asgjë në lidhje me ankimin që mund t’i bëhej. Është në vlerësimin e prokurorit të çështjes të bëjë apo mos bëjë ankim për një çështje, që e ka përfaqësuar vetë në gjykim.

Sheshi: Çfarë garancie i jepni ju KLP-së, që do t’i qëndronit presionit të politikës? Çfarë i njeh vetes si pikë të fortë në këtë situatë?

Marku: Gjatë këtyre dy viteve kam punuar në kushtet e një presioni politik, mediatik, me kompetenca mjaftë të kufizuara. Unë kam dëshmuar mjaftueshëm se s’kam varësi nga politika, jam anatemuar shumë për të kundërtën. Por në më shumë se një rast kam vërtetuar se s’kam lidhje me politikën. Rasti më i fundit është Agim Kajmaku. Nuk është tregues i vogël dhe nuk është tregues i një varësie nga politika, për më tepër që unë isha në një periudhë kandidimi dhe është e qartë që nuk jam e varur nga politika. Kam pasur mbështetje vetëm të njerëzve që kanë vlera të larta morale dhe profesionale. Kam mbështetje të faktorit ndërkombëtar, me mbështetjen e tyre jam zgjedhur dhe nuk kam pasur mbështetje politike dhe për këtë të jeni të bindur. Mbështetjen e faktorit ndërkombëtar e kam pasur edhe gjatë dyvjeçarit. Nëse në dy vite kam punuar e pavarur me një mandat të plotë, është shumë më e thjeshtë.

Fatjona Memcaj-kandidate per prokuror te pergjithshem

FATJONA MEMÇAJ

Ibrahimi: Si e shikoni marrëdhënien e Prokurorit të Përgjithshëm me KLP?

Memçaj: Në krijimin e një marrëdhënieje, qoftë edhe një marrëdhënie njerëzore, nëse ekziston mirëbesimi, ndershmëria në komunikim, asgjë nuk bëhet e vështirë. Aq më shumë në marrëdhënie institucionale, që ne i kemi të normuara të gjitha në ligjin për Prokurorinë dhe të gjithë institucionet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të dala pas Reformës në Drejtësi. Prokurori i Përgjithshëm, një nga detyrat kryesore të tij, ne e dimë që ka raportimin. Marrëdhëniet me Këshillin unë nuk i shikoj si marrëdhënie formale. Prokurori i Përgjithshëm paraqet relacionin për veprimtarinë e prokurorëve. I shikoj marrëdhënie bashkëpunimi, nuk e shikoj aspak jonormale që Prokurori i Përgjithshëm të vijë në zyrën e kreut të KLP-së e të trajtojë shqetësimin që i është ngritur nga një prokuror, nga një drejtues prokurorie për diçka që nuk funksionon.

Bazaj: Do të vendosni ta vini në përgjim një prokuror apo anëtar të KLP-së nëse dyshoni se ai ka shkelur ligjin?

Memçaj: Ju falënderoj zoti Baze. Kjo është një pyetje, pasi pavarësisht specifikimit, ju thatë: A do të guxoj që unë ta shkel ligjin? Unë e gjykoj veten se jam prokurore e mirë, që të mos shkel ligjin. Pra, kjo s’do të thotë se është mungesë vullneti apo pasje frike. Do të thotë se ligjin e quaj të shenjtë. Shkeljen e tij nuk ia lejoj vetes ta bëj. Aq më shumë aty ku ka të bëjë me të drejtat e interesave të individit. Prokuroria shqiptare deri më tani është sulmuar për këtë, që nuk respekton të drejtat e njeriut. Po akuzohemi se favorizojmë të fortët dhe sulmojmë të dobëtit! Para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe nëse e bëj unë, i them çdo qytetari se po, ke të drejtë ta shkelësh ligjin. Do pranoja çdo penalitet.

Seiti: Emërimi juaj ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme dhe Presidentin të shkelin ligjin duke ju emëruar, sepse nuk plotësonit 7 vite për t’u bërë prokurore. Çfarë mendoni për veten tuaj? Ka ndonjë vlerë të jashtëzakonshme profili juaj që këto dy institucione kanë arritur t’ju propozojnë dhe dekretojnë?

Memçaj: Do ju saktësoj një gjë. Folët për shkelje ligji dhe kjo është në konceptin se si e keni vlerësuar dhe se si e keni parë ju. Për mua nuk ka pasur shkelje ligji. Kam konkurruar për vendin ku jam në KLP-në e asaj kohe. Kam marrë 5 vota, nga 6 vota të nevojshme. Mbas këtij votimi, jam propozuar nga Prokurori i Përgjithshëm i kohës te Presidenti i Republikës, që ka pasur anëtarin e vet në Këshill. Ai ka lëshuar një dekret për emërimin tim në detyrë. Shkaqet se pse ka ekzistuar ky debat, kanë qenë të tjera. Emri im ka kaluar jo në një individ, por në një Këshill. Jam e sigurt se as për hatrin tim dhe as për profilin tim, s’do të shkelnin ligjin. Nuk ka pasur shkelje ligjore, por ka pasur interpretim të ligjit.

olsjan cela

OLSIAN ÇELA

Gent Ibrahimi: Çfarë mund të bëjë Prokurori i Përgjithshëm për të minimizuar efektet që krijon pavarësia e prokurorëve?

Çela: Kam qenë përherë i bindur për nevojën e pavarësisë së prokurorit. Nga përvoja që kam, e imja personale, e kolegëve, marrëdhënia drejtues-vartës ka qenë një nga problemet kryesore, me të cilat zyrat e prokurorëve janë hasur dhe shpeshherë kanë krijuar ato tensionet brenda zyrave, që shpesh kanë çuar në deformime, jo vetëm të vullnetit të prokurorit, por në deformime edhe në interpretimin e ligjit. Në mungesë të cilësisë së hetimit, ligji i ri synoi pikërisht që t’u japë prokurorëve mundësinë të jenë vetvetja. Të mos fshihen më pas kolektivit, të mos fshihen më pas drejtuesit, të mos fshihen më pas Prokurorit të Përgjithshëm, por të jenë përballë ligjit, gjykatës dhe opinionit publik. Në këtë këndvështrim, unë e shikoj thelbësore garantimin, ruajtjen e kësaj pavarësie, e cila, për sa kohë mbetet brenda respektimit të kuadrit ligjor, është e shëndetshme për sistemin. Ajo çfarë unë vë re dhe konstatoj me shqetësim është që prokurorë të caktuar, për shkak të lirisë që i jep ligji, duke pasur edhe sensin e protagonizmit, nuk arrijnë ta menaxhojnë siç duhet këtë pavarësi. Kjo, natyrisht prodhon pasoja. Për të menaxhuar këto situata dhe që organi të punojë si një i tërë, është e rëndësishme që Prokuroria e Përgjithshme të ushtrojë një monitorim konstant mbi punën e prokurorive.

Bazaj: Çfarë do të implementoni në rast se konstatoni shkelje të të drejtave të avokatëve?

Çela: Ka raste kur kanë pretenduar dhunën, kane pretenduar mungesën e autenticitetit të firmës në atë që kanë firmosur. Shpesh kanë kërkuar avokatë mbrojtës dhe kemi konstatuar shpesh mbrojtje jo efektive nga avokatët që caktohen nga oficerët gjyqësorë në momentet e para. Këto janë sinjalizime që ne na vijnë shpesh dhe kur përgatita këtë platformë, ishte një nga gjerët që më shqetësonte më shumë. Se çfarë do kishte kuptim ky sistem ligjor, nëse ne s’do jemi në gjendje t’u sigurojmë qytetarëve garancitë themelore kur u kufizohet liria? Avokatët shpesh s’janë avokatë, vendosin firma aty ku u thuhet të firmosin.

Beci: Keni thënë se keni vërejtur politika penale të paefektshme, ku e referoni dhe cilat janë këto?

Çela: Këto problematika nuk i shoh vetëm brenda Prokurorisë, por më gjerë, në tërësinë e përgjigjeve që ka shteti ndaj kriminalitetit. Do të doja të ngriheshin probleme nga kushdo, të thonë pse kriminaliteti është në rritje, pse s’kanë efekt masat që ne marrim. Problemet shtrihen më përtej se Gjykata e Prokuroria. Unë dëgjoj vetëm ashpërsim dënimesh, po a i kemi krahasuar ato me vendet e BE? Na kanë dhënë këto masa rezultatet e pritura, a mendohet çfarë pasojash shkaktojnë te familjet e atyre që izolohen këto masa ekstreme? A mendojmë që ai njeriu që ka shkuar në burg, ka punë, familje, fëmijë që mbeten pa mbështetje? Si do jetojnë, ç’do bëjnë për të jetuar? Ligjet penale nuk duhet të cenojnë familjen. Me keqardhje më duhet të pranoj se të ashpër kemi qenë me shtresat e dobëta, por kështu thellojmë problemet sociale, përgatisim breza të rinj, që nesër janë fidanishte krimi. Prokuroria duhet të ketë një vizion në shoqëri, jo vetëm masë të ashpër, vetë kodi të lejon të zbatosh si duhet, të mos jemi ekstremë, ajo që kam propozuar është kryerja e një studimi mbi efektet që ka hetimi penal. Efektet parandaluese, sa na kanë ndihmuar? Ligji dhe morali duhet të shkojnë përherë bashkë dhe kjo më pas pasqyrohet në mënyrën sesi Prokurori i Përgjithshëm ndërvepron me institucionet e tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura