Gara për guvernator/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë propozon Gent Sejkon për një mandat të dytë si anëtar

Jan 23, 2022 | 23:48
SHPËRNDAJE

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka depozituar zyrtarisht më datë 23 dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë propozimin për rizgjedhjen e Gent Sejkos si anëtar i Këshillit.

monitor

Sejko ishte votuar unanimisht nga Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 22 dhjetor, megjithëse vendimi në fjalë nuk është publikuar. Kuvendi pritet ta votojë propozimin e Këshillit Mbikëqyrës në seancën plenare të datës 3 shkurt.

Propozimi për një mandat të dytë si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës nënkupton se Gent Sejko do të kandidojë edhe për një mandat të dytë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozimin e Presidentit të Republikës. Formula e përcaktuar në ligj kërkon dakordësi mes Presidentit dhe shumicës parlamentare, por marrëdhënia e vështirë mes dy institucioneve është një faktor që shton pasiguritë rreth procesit të zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Në qershor të vitit të kaluar shumica në Kuvend votoi shkarkimin e Presidentit me 104 vota, por, zbatimi i vendimit ka ngelur ende pezull, sepse ai duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese. Ky institucion pritet të shprehet për ligjshmërinë ose jo të shkarkimit të Presidentit në fund të muajit janar.

Gent Sejko u zgjodh anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në vitin 2015, si propozim i vetë Këshillit dhe më tej u votua edhe si Guvernator i Bankës së Shqipërisë. Ai e mori detyrën pas ndërprerjes së mandatit të Guvernatorit të mëparshëm, Ardian Fullani, që u shkarkua nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në shtator të vitit 2015, pas arrestimit të tij.

Përveç Gent Sejkos, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dy vende të tjera vakante, pas përfundimit të mandatit tëi anëtarëve Tonin Kola dhe Natasha Ahmetaj. Dy pozicionet vakante duhet të propozohen nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, me mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për secilin kandidat.

Në fund të muajit dhjetor, Komisioni i Ekonomisë zhvilloi edhe seancat dëgjimore me kandidatë që kanë aplikuar për këto pozicione. Kandidatët që kanë aplikuar në Kuvend janë Natasha Ahmetaj, Anastas Angjeli, Senida Mesi, Marta Muço, Edvin Libohova, Indrit Banka, Elvin Meka, Mateo Spaho, Durim Kraja, Diana Dervishi, Altin Hoti, Rezarta Bitri, Emis Çerava, Manuela Tandini, Artur Mamadhaj, Blendi Sena dhe Onorina Jata.

Megjithëse procedura e përzgjedhjes për kandidatët që propozohen nga Kuvendi ka nisur më herët, në këtë proces do t’i jepet përparësi vendit vakant që propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës, sepse Gent Sejko mban edhe pozicionin e Guvernatorit. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë, që zgjidhen të gjithë nga Kuvendi i Shqipërisë, me mandate 7-vjeçar dhe më të drejtë rizgjedhjeje. Pesë prej tyre propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vetë Këshilli Mbikëqyrës./Monitor/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura