Gara në universitete, datat e aplikimit për maturantët. Gjashtë ditë afat për të plotësuar Formularin A2

Jul 4, 2020 | 20:10
SHPËRNDAJE

Pasi kanë përmbyllur detyrimet me Maturën Shtetërore, ishmaturantët, tashmë kandidatë për studentë, janë në kohën që duhet të bëjnë zgjedhjen e jetës.

Portali u-albania është aktivizuar nga dje, me çeljen e mundësisë për kryerjen e pagesës së aplikimit për në universitete, çka do të pasohet me Formularin A2 e deri në shpalljen e fituesve.

universitet

Gjithçka do të përmbyllet në harkun kohor të dy muajve. Në tabelën përbri, gazeta publikon kalendarin me datat dhe afatet për gjithë procedurën në raundin e parë. Të rinjtë kanë pothuaj një muaj kohë për të menduar dhjetë degët e preferuara në universitete publike e private që do të përzgjedhin në Formularin A2.

Zakonisht, që të shmanget rënia e rrjetit, aplikimi bëhet sipas qyteteve përmes një kalendari që pritet të publikohet paraprakisht. Më pas, janë universitetet ato që hartojnë listën e fituesve bazuar në rezultatet e katër provimeve dhe ato të gjimnazit. Si çdo vit, ekspertët e arsimit kanë hartuar manualin shpjegues me procedurën e aplikimit hap pas hapi. U-albania është portali, nga i cili do të bëhet aplikimi dhe maturantët do të duhet të ndjekin në vazhdim për të marrë në kohë të gjitha njoftimet.

Që në hyrje të faqes, opsioni “Aplikimi A2/A3” është butoni që i çon drejt përfundimit të procesit. Gjithë çfarë duhet të mbajnë mend maturantët janë tre numra disashifrorë: ID e maturës, numri i identifikimit dhe kodi i faturës së pagesës së kryer në bankë (prej 2 mijë lekësh).

Ndërsa sesionet kryesore që janë në parantezë përpara se të qarkojnë dhjetë preferencat që duan, janë tre: informacionet personale, ai i aplikimit dhe seksioni i faturës. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm.

Fillimisht, nga portali shkarkohet fatura me kodin unik 6-shifror për arkëtim, dhe vetëm pasi të jetë konfirmuar pagesa pranë mbikëqyrësit të shkollës, mund të vazhdohet më tej me plotësimin e preferencave. Në tabelën e preferencave, përzgjidhet fillimisht universiteti, më pas dega e dëshiruar deri në dhjetë herë.

Në fund, butoni “Konfirmo” finalizon procesin që kërkon edhe një herë kodin e aplikimit që gjendet te kopja e faturës. Çdo aplikant ka mundësinë dhe sugjerohet shkarkimi i aplikimit, për ta ruajtur për më tej.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura