Gaqo Bushaka rrëfen Dritëroin dhe Kadarenë: Pse s’doja ta internonin për “Dimrin e Madh”

Oct 29, 2019 | 16:31
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Sa e sa herë, në tryezat e drunjta të Bibliotekës, në kërkim të Çufos e të tjerë miqve të fëmijëve, lodhja e ka hedhur në krahët e gjumit. I kujton ende sot punonjëset teksa endeshin ta zgjonin me dashamirësinë, që vetvetiu të ngjall shkrimtari “mik” i vegjëlisë së brezave.

SHKRIMTARI GAQO BUSHAKA
SHKRIMTARI GAQO BUSHAKA

Gaqo Bushaka ka prekur të 76-tat, e mbetet një nga letrarët më të dashur për fëmijë, por është ende në pritje që puna e krijimtaria t’i njihen. Përzgjedhja si fitues i çmimit të fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë” nga Ministria e Kulturës së fundmi, nuk ia ka zbehur zhgënjimin nga pensioni i veçantë, mbajtur “peng” prej një dekade. Në duar ka librin e radhës “Çufoja në Amerikë”, me të cilin është duke punuar prej 5 vitesh. Përpos kësaj, mendimet e bardha për lexuesin, pasionin e pampakur për letërsinë e ruajtjen e gjuhës shqipe ia njohim që në minutat e para të bisedës.

Në përpjekje për të zbuluar sekretet e një krijimtarie të pakohë, dëgjojmë me kërshëri “babanë” e Çufos, teksa rrëfen jetën e tij. Sfida të kapërcyera me punë e mirënjohje e masandej talenti, që i paraprinë rrugën një përralle ndoshta ende të pashkruar, asaj të djaloshit nga Selcka e Gjirokastrës. Për “Panoramën”, Bushaka tregon përshtypjet e tij për Lidhjen e shkrimtarëve dhe pse nuk donte që Kadarenë ta internonin. Po ashtu, ai rrëfen edhe vështirësitë që iu desh të kalonte në Skrapar, ku Partia e degdisi pas Plenumit të Letërsisë për Fëmijë. Mirëpo, të tijat, siç thotë, nuk qenë ditë aq të vështira. Në mendje ka ende pamjen e ish-shefit në “Zërin e Popullit”, mikut e bashkëpunëtorit Vangjush Gambeta, në një fshat të Burrelit, e vuajtjet e tij deri edhe për ushqimin e përditshëm. Emocionohet kur flet për të, sytë i përloten…

“Ishte njeri i rrallë, ndoshta gazetari më i mirë që ka pasur Shqipëria”, thotë. E mbushur është jeta e tij sa me përralla për fëmijët aq me ngjarje që përfshijnë edhe të tjerë personalitete. Ai ndan me ne një “episod të dhimbshëm” me Dritëro Agollin, kur shkrimtari pas fjalimit në Kongresin e 10, ishte në vëmendjen e të gjithëve. Një gazetar anglez, fill pas takimit me Nexhmije Hoxhën, do ta pyeste Gaqon për planet e mikut të tij në lidhje me Partinë. “Dritëroi është gjallë dhe mund ta pyesësh”, do t’ia kthente Gaqo gazetarit, e mandej pesha e përgjigjes i mbetej Agollit.

Thonë se fëmijëria ndikon në krijimtarinë e një shkrimtari. Si e kujton Gaqo Bushaka vegjëlinë e tij?

Unë kam lindur në Selckë të Gjirokastrës, një nga 9 fshatrat e Lunxhërisë. Madje edhe vetë fjala Selckë vjen nga sllavishtja, e do të thotë fshat i vogël. Pak metra tej shtëpisë sime, është shtëpia e mësuesit të parë të gjuhës shqipe, Pandeli Sotirit. Më vjen shumë keq që kanë bërë veç një pllakë të vogël për ta kujtuar, kur ai meriton një monument të madh. Qe një nga themeluesit e Mësonjëtores së Korçës e drejtor i saj, e të drejtoje një shkollë në atë kohë (nga 7 marsi i 1887-ës), kur injoranca ishte me thes, nuk ka qenë aspak e lehtë. Është e vërtetë se njerëzit janë larguar, e kanë mbetur shumë pak shtëpi, por kjo pak rëndësi ka. Është diçka që duhej bërë, edhe sikur fshati të mbetej pa njeri.

Duket e fortë lidhja që keni me vendlindjen, edhe pse jeni rritur në Tiranë. Si u zhvendos familja juaj në kryeqytet?

Isha pak më shumë se 2 vjeç, kur babai që punonte në Tiranë, në ish- hotel “Prestol”, na mori edhe mua me nënën për të jetuar këtu. Njerëzit në kryeqytet u treguan shumë të dashur me ne dhe kjo si të thuash na e bënte më të lehtë. Kushtet ishin të vështira, shkoja në shkollë me një çantë prej lecke, por edhe për të tjerët kështu ishte. Më kujtohet që ushqimin e hanim në shkollë gjatë pushimit të madh. Na jepnin qumësht pluhur të zier dhe një biskotë të quajtur galetë e një lloj gjalpi, që asokohe unë nuk e dija se ishte margarinë. Ime ëmë e quante gjalpë prej druri e nuk e hante. Pra, e tillë qe jeta, derisa mbarova 7-vjeçaren e fillova gjimnazin te “Qemal Stafa”. Mirëpo gjatë kësaj kohe, në shtëpi situata ekonomike ishte tepër e keqe. Unë isha shumë i ndjeshëm, ndaj vendosa ta lija gjimnazin e të bëja shkollën e Zyrave të Punës, prej nga dola elektricist.

Punuat në këtë zanat?

Po, sapo përfundova shkollën u emërova në Uzinën “Partizani”, si elektricist e më vonë baterist në PPT. Ishte një profesion tepër i vështirë, se më duhej të punoja mes avullit të acidit, por megjithatë mua më erdhi në ndihmë. Aty nuk hynin të tjerët, kështu unë mund të mësoja për të shkuar natën në shkollë. Derisa e mbarova gjimnazin me një mesatare të lartë e më doli shkolla për mjekësi.

Ç’ndodhi që hoqët dorë nga kjo degë?

E fillova mjekësinë, madje nisa edhe praktikën. Por ndodhte diçka, më binte të fiktë nga gjaku. Kujtoj se miq të mi, që sot janë mjekë shumë të mirë, më thanë: Nuk do të shërbejë i sëmuri ty, por ti të sëmurit”. Kështu, unë shkova në Ministri edhe ma ndërruan degën menjëherë, se mjekësinë e kërkonin shumë. Edhe unë e doja, por ky ishte një defekt që nuk rregullohej. Atëherë u regjistrova për GjuhëLetërsi, ku i mora provimet pa e humbur vitin. Mandej në vit të dytë, u dha urdhër që në Gazetari, që do të hapej në pasdite, studentët nuk do ishin të rinj, por të degëve të tjera: Mjekësi, Inxhinieri etj.. Kështu, nëse do të bëhej një shkrim për hidrocentralin, do të zgjidhej një inxhinier. Për shëndetin, do të zgjidhej një mjek, siç u zgjodh Flamur Topi për vite të tëra. U bë ky konkurs edhe tek ne, dhe nga 26 studentë që ishim për Gjuhë-Letërsi u zgjodhëm 6, mes të cilëve ishte Kozeta Mamaqi, Xhevahir Spahiu, Spiro Dede dhe unë. Kështu mbarova dy fakultete dhe më vonë u emërova në Gazetari.

Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli

Dëshira për të shkruar lindi gjatë kësaj kohe apo më herët?

Nisa të shkruaj që në vitin e fundit. Madje botova edhe një libër me tregime të titulluar “Peshqit e Janit”, po ashtu shkruaja te “Letrari i ri”, që ka qenë asokohe në “Zërin e Rinisë”. Kjo disi edhe e kuptueshme, pasi asokohe na jepnim mësim emra shumë të njohur si Dritëro Agolli apo Vangjush Gambeta. Pra, autoritete të kohës. Spiro Deden, Xhevahirin dhe mua na mori Dritëroi te “Zëri i Popullit”. Mirëpo, nuk qe ajo që doja. Unë kërkoja të shkoja në revistën “Fatosi”, për fëmijë. Kam dëgjuar edhe të thonë se “Ky duhet të jetë i marrë!”. Kjo, sepse të ikje nga “Zëri i popullit” për te “Fatosi” ishte fare e pazakontë. Pas dy vitesh më lanë dhe shkova.

Në “Zërin e Popullit” punuat me Agollin, të cilin e kishit edhe pedagog. Si ishte kjo periudhë për ju?

Te “Zëri i popullit”, unë kisha shef Vangjush Gambetën, që më vonë u dënua. Për mua, ai është gazetari më i mirë, një ndër të rrallët që vendi ynë ka pasur. Jo vetëm që bënte artikuj të mrekullueshëm për ekonominë, por të mahniste edhe me reportazhet e tij. Kishte autoritet. Më vonë e dënuan, për shkak të kunatit, Koço Theodhosit, dhe e çuan në një fshat të Burrelit. Atje jetonte shumë keq. Kushtet ishin aq të vështira, saqë merrte ujin e makaronave që mbetej në kuzhinë, i shtonte pak vaj e limontoz dhe e përdorte për supë. Vuajti shumë… Ishte një njeri i rrallë, jo vetëm ai, por edhe e shoqja. Një grua fisnike nga familja File e Shkodrës.

nexhmije-hoxha

Po Dritëroi, si ishte nga afër?

Dritëroi ishte vërtet një njeri i mirë, pa qibër fare. Nuk pyeste nëse ishe i ri apo i vjetër. Me të mund të pinte kafe kushdo. Po të kishe nevojë për ndihmë, nuk ta kursente. Unë kam dhe një episod të dhimbshëm, si të thuash, me të. Në Kongresin e fundit të Partisë së Punës, për krijimin e Partisë Socialiste, mua, krahas dy emrave të tjerë, më caktuan për të shkruar. Aty po fliste me tone kritike Dritëroi, ndërkohë që po i suleshin, a thua po e mbysnin. Kur mbaroi, unë po e prisja. “Gaqo, më duket se e dhj..a, – më tha”. “Jo, – iu përgjigja, – ti the mendimet e tua, shumë prej tyre i ndaj edhe unë”. Mandej shkuam të pimë një kafe. Ishte krijuar një rrëmujë. Ndërkohë sapo na sjellin kafen, Dritëronë e thërrasin dy veteranë. Unë asokohe isha drejtor i Këshillit Botues “Naim frashri”. Vjen drejt meje përkthyesi dhe më thotë se kishte ardhur një gazetar nga Londra, që kërkonte të bisedonte me mua. “Është te shoqja Nexhmije, sa të mbarojë”, shtoi përkthyesi. “Le të vijë, – i them unë”. Erdhi gazetari dhe pyetja e parë që më bën është: “Pas kësaj pritje që i bëri Dritëroit Partia, do të rrijë më si pjesë e saj?” “Dritëroi është gjallë, – i them unë – ja ku është, mund ta pyesësh.

– O kryetar, – e thërras, – ka ardhur një gazetar nga Londra për ty”.

Ai erdhi, u ul dhe gazetari ia bëri pyetjen.

Përgjigja e Dritëroit qe kjo: “Unë s’kam moshë që të ndërrojë parti, besoj se duhet të ndërrojë Partia”.

Ç’ndodhi pas kësaj, besoj se gazetari e bëri publike përgjigjen e Dritëroit…

Fill pas kësaj bisede, ne shkuam tek ish-ekspozita “Shqipëria sot”, aty ishte një kafe. Të rinjtë e pritën Dritëroin me duartrokitje. E kishin dëgjuar në televizion, apo në radio, nuk e di. Pimë nga një fërnet. Unë nuk pija, por atë ditë bëra përjashtim. Mandej shkuam në shtëpinë time, se e kisha aty afër, dhe kur u zgjova në mëngjes, thashë me vete: “Boh pikuaka prapë çatia! Hapa sytë dhe pashë se mbi krye po qante nëna ime. S’më kishte parë ndonjëherë në atë gjendje e kushedi çka menduar. “Iku ky”, ka thënë (qesh).

Po ish-Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, çfarë mbresash ju ka lënë?

Nuk kam kujtime të këqija. Ne ishim të rinj dhe i shikonim shkrimtarët, si Stjero Spase apo Fatmir Gjata me admirim, ndërsa Kadare me moshë ishte më afër nesh. Unë s’kam pasur probleme, edhe pse disa herë i kam thënë mendime e mia. Për shembull, edhe preferencat në letërsi i kam shprehur, duke thënë se në poezi pëlqej Lasgushin, ndërsa në prozë Kutelin. Natyrisht që Kadareja spikati në kulturën tonë, madje pavarësisht se “Dimri i madh” ka disa kapituj për Enver Hoxhën, nëse e mendon mirë, duhej një guxim i madh që të shkruhej ai libër. Të gjithë bien dakord sot për faktin se në atë kohë, të thoshe se “s’ka patate” të fusnin në burg. Ndaj Kadare është një rast i rrallë dhe unë s’kam dashur kurrë që ta dënonin. Kjo edhe për shkak të një arsyeje disi personale, pasi kur u dënua ai, për t’u internuar në Berat, ndodhi që më internuam edhe mua gjatë Plenumit të Letërsisë për Fëmijë. Më dënuan pasi kisha realizuar 3 romane që nuk trajtonin jetën e kishin karakter historik. Për “Djaloshin nga Dyrrahu”, “Gunën e Zezë”, e vepra tjetër qe për Skënderbeun. Ndaj më çuan dy vjet në Skrapar.

Si mund ta konsideroni këtë etapë të jetës suaj në gazetë?

Unë nuk arrita dot shumë, sepse më çuan në Skrapar. Ndenja dy vjet midis Beratit dhe Skraparit. Jeta e korrespodentit atje, ishte e vështirë. Makina s’kishte, përpos mungesave të tjera. Kështu edhe për të shkuar për të ngrënë duhej të bëje rrugë të gjatë, sepse veç një restorant kishte. Me gjithë këto kushte, si të tjerët, edhe unë nuk bëra ndonjë çudi, masandej nisa në revistën “Fatosi”.

Ndërkohë ç’bëhej me letërsinë për fëmijë, vijuat të shkruanit dhe në këto kushte?

Ka qenë më tepër një fazë përgatitore. Mandej botova një libër të titulluar “Karroca gazmore”, me të cilin mora edhe një çmim. Ky qe i dyti pas “Peshqit e Janit” dhe redaktore ishte Adelina Mamaqi. Një grua shumë e zonja, e cila asokohe pati botuar edhe librin e parë të sajin për të rritur, të titulluar “Ëndrra vashërie”. Pastaj fillova librat e tjerë me radhë dhe paralelisht punoja për “Çufon”. Me të kam punuar shumë, u bë 20 vjet. Shumë herë më ka zënë gjumi në bankat e Bibliotekës Kombëtare, ku vinin vajzat që punonin aty e më zgjonin. Libri pati një lloj suksesi e vijon të shitet edhe sot.

Çfarë ju ndihmonte të kuptonit kaq mirë botën e fëmijëve?

Nuk di ta them! Duhet të jetë një dhuratë nga qielli, diçka që vinte vetvetiu. Madje njëherë Limoz Disdari, miku im, më porositi të bëja një tekst kënge për të rritur. Dhe përsëri doli për fëmijë. Këngën e këndoi Ardit Gjebrea në Shkodër dhe fitoi çmim. Në juri atëherë ishte Vaçe Zela, Mentor Xhemali etj., krahas tyre edhe unë. Kur do të vlerësoheshin tekstet, unë doja të mos isha pjesë e vlerësuesve. “Tani do dal jashtë, – u thashë, – se kam tekst dhe vetë”. Mentori këmbënguli: “S’ke për të ik, s’ka ndonjë gjë. Nëse thotë Vaçja ‘jo’, atëherë fjala e saj ka peshë”. Kështu qëndrova. Kur erdhi radha për të votuar, unë u çova i pari: Propozoj që çmimin e parë ta marr Gaqo Bushaka. Vetëm unë mund t’ju qerasë, se të tjerët nuk i njihni. Ata nisën të votojnë me të dyja duart. Kryetari i Komisionit u kthye nga Vaçja dhe i tha: “Ç’të mundon? A është tekst i mirë? Ty të mundon burokracia, se pse Gaqo propozoi veten”. Të gjithë qeshën, dhe si përfundim, e mora çmimin. Çmimi ishte diku te 1000 lekë, po unë kisha dhe miq shkodran, që duheshin qerasur. Në fund hoqa dhe xhaketën e u thashë: E merrni e shisni se s’kam më lek. Nuk ma morën shkodranët, ma lanë xhaketën (qesh).

Sot kohët janë të tjera, e po ashtu edhe mënyra e të menduarit e fëmijëve, komunikimi i tyre. Si u jeni përshtatur me veprat tuaja këtyre ndryshimeve?

Ne, më herët, thoshim që fëmijët lindin me 7-vjeçaren, kurse për të rinjtë e sotëm unë them se lindin me të mesmen. Kjo, pasi kanë shumë informacion nga pajisjet teknologjike. Këto ndryshime hasen edhe te libri që kam tani në duar “Aventurat e Çufos në Amerikë”. Lidhur me këtë, unë kam dhe një këshillë për prindërit, se edhe unë vetë kam dy nipa. Duhet t’i lënë fëmijëve mundësi të zhvillojnë prirjet e brendshme, jo t’i imponojnë, se masandej del si ai fruti me shumë kimikate. Po ashtu edhe mësuesit duhet të jenë shumë të kujdesshëm, sidomos ata të fillores. Unë edhe sot e kësaj dite e kujtoj me nostalgji mësuesen time të parë. Dikush mund ta konsideroj si absurde, por nëse do ishte në dorën time, unë mësuesen e klasës së parë do ta paguaja po njësoj me një pedagog në universitet.

Thatë se keni dy nipër. Kaloni kohë me fëmijët e vegjël, ju ndihmon prania e tyre për të shkruar?

Unë nipërit i kam në Amerikë, por as me fëmijët e mi nuk kam kaluar shumë kohë. Mirëpo, kam pasur një mani, që e kam edhe sot: Edhe sikur të mos bëja një libër të mirë, të paktën gjuhën, mënyrën e të shkruarit ta kisha të pastër, të rregullt, që fëmijët të mos mësonin gabim. I kam numëruar edhe njëherë, janë 70 fjalë të pista që nuk duhen përdorur, as nga të rriturit, jo më nga fëmijët, e që hasen nëpër emisione.

Si edhe në këto emisione, fëmijët tërhiqen nga imazhi. Të paorientuar, shpesh zgjedhin libra të tërhequr nga ilustrimet, apo me kopertina të zbukuruara, ndërkohë që nga përmbajtja lënë për të dëshiruar…

Në momentin që figura e mposht lëndën, kur nuk është tregim me figura, mendoj se shkrimtari është i dështuar, ka marrë fund. Po e keqja është sot se s’kemi ilustrator, ndaj kushton më shumë ta ilustrosh librin, sesa autori që e ka shkruar.

Si e shikoni brezin e sotëm të shkrimtarëve për fëmijë?

Nuk po e shikoj fare. Has ndonjë që ka shkruar prej kohësh, por jo të rinj që spikasin. Masandej si të metë te vetja, mund të them se lexoj pak, kjo edhe sepse pensioni im është i ulët, afro 20 mijë lekë, e kështu më duhet edhe të bëj ndonjë punë, që të përballoj jetesën.

Si ka mundësi që keni një pension minimal?

Në 2009-ën, Ministria e Kulturës më ka akorduar një pension të veçantë, i cili ende nuk më është dhënë. Dikush thotë se duhet të bisedoj direkt me Kryeministrin. Po unë s’kam punë me njeri. Është dorëzuar dokumentacioni i duhur, ata le ta shohin. Kam kërkuar 2-3 herë një përgjigje që të paktën të më thonë: More, nuk të takon kjo punë! As këtë se kanë bërë.

Episodet e dhimbshme në jetën tuaj, mesa duket, vijojnë edhe sot… Ka ngjarje të vërteta që kanë frymëzuar librat tuaj?

Në përgjithësi, unë kur doja të mblidhja thënie, apo batuta humoristike, shkoja në ambiente publike, si stadiumi. Jo aq për ndeshjen, por për të parë e dëgjuar tifozët. I fiksoja e mandej i shkruaja. Apo në piknikë, në takime me fëmijë, si Muaji i Letërsisë që ka qenë dikur. Shkoja edhe nëpër shkolla. Një histori reale është pas “Ariu artist”. Kështu, unë shkoja në cirk për të parë kur zbutësi i kafshëve, Skënder Baçova, punonte me ariun dhe rrija në një qoshe. Një ditë, i ikën ariu nga duart dhe vjen drejt meje. Ai vrapoi i alarmuar dhe thirri: Ç’është ai i marrë aty, do të na i hajë ariu!”. I marri qeshë unë. Dola jashtë dhe pas disa kohësh botova librin “Ariu artist” e i çova një kopje edhe Skënderit. Pasi e kish lexuar librin, i kishte pëlqyer shumë dhe na ftoi bashkë me gruan për drekë.

Cila është përditshmëria juaj?

Zakonisht punoj 4-5 orë, pastaj lexoj ndonjë libër. Dal me shokët, qajmë hallet e kohës (qesh). Tani u shkatërruan edhe teatrot, se më parë shikonim një shfaqje, një estradë. Dhe në Teatrin Popullor janë vënë pjesë shumë të mira, si për shembull “Karnavalet e Korçës”, “Njollat e murrme” etj..

Mund të na zbuloni pak nga “Çufoja në Amerikë”?

Kalova rreth 4 vite e gjysmë në Amerikë, sa mora pasaportën, se atje kam vajzën. Pata mundësi të shikoja nga afër jetën atje dhe kam mbet shumë i kënaqur. U sollën me mua, si me njeriun e tyre në momente të veçanta, p.sh. kur dhashë provimin për pasaportë. Unë këto i çmoj shumë, se në përgjithësi jam rritur vetëm. Kështu, për sa i përket librit, mësuese Mjellma është zhvendosur në Amerikë dhe foton nxënësit e saj, Çufon, Tipin etj., atje për datëlindjen e vajzës. Shpenzimet i merr të gjitha përsipër dhe nxënësit shkojnë 15 ditë përpara. Në libër rrëfehen aventurat në Amerikë, derisa personazhet marrin avionin për t’u rikthyer në Shqipëri. Natyrisht jam munduar ta shtoj pak dozën e humorit.

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura