Kallëzimi i ILDKP-së, Dritan Prifti akuza Metës: Ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit, fshehu dosje bashkë me Berishën

May 22, 2015 | 9:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas kallëzimit të ILDKP-së, Dritan Prifti ka sulmuar kreun e Kuvendit Ilir Meta duke e akuzuar si urdhëruesin e kësaj çështje. 

Ja deklarata e plotë e Dritan Priftit:

“Ishte surprizë për mua që ky kallëzim erdhi sot. Pak kohë më parë, Ilir Meta ka thirrur në zyrë Shkëlqim Ganajn dhe i kërkoi që të denoncojë mua, Harasanin dhe Tom Doshin. Ganaj shpërfilli ligjin e zbatoi urdharat e Kryetarit të Kuvendit. Kam qenë i informuar që më parë për këtë çështje, pasi më kërkuan informacion për pasurinë dhe unë i dorëzova gjithë dokumentet. Ndërkohë, për të tjera dokumenta që duhej ti merrja jashtë shtetit nënshkruam një marrveshje që do ti dorëzoja më datë 30 qershor.

Dritan Prifti konference per shtyp

Ky kallëzim penal është një persekutim politik i bërë me anë të shpërdorimit të detyrës, pasi nuk u lejua një proces normal. Unë nuk mbaj funksion publik prej dy vitesh dhe ligji nuk e parashikon kontrollin e pasurisë sime. Përsa i përket shumës prej 4.6 milionë euro, ajo ka qenë një kredi e marrë prej një kompanie ku bashkëshortja ime është aksionere në minorancë. Unë kam deklaruar pasurinë e bashkëshortes sime në këtë kompani, ndërsa aksionet financiare munnd ti gjejnë në QKR, nuk është detyrimi im ti deklaroj se çfarë ka bërë kompania. Më kanë denoncuar edhe për një llogari prej 5 mijë lekësh të djalit tim 6 vjeçar.

Atë llogari nuk e kam hapur as unë as bashkëshrotja ime për djalin. Por është një dhuratë që bashkia e Tiranës i jep çdo fëmije të tretë të një familjeje kur lind.  Ka dy arsye pse e bëjnë këtë. E para është se jam mik i Tom Doshit dhe kam deklaruar të vërtetat. E dyta është se i tremben rikthimit tim në politikë e u nxjerr të palarat. Ilir Meta ka prona në tre kontinente. është një nga më të pasurit e Ballkanit. Pyes Ilir Metën a ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit?

E pyes a është betuar para pedagogut të tij në bankat e shkollës për ti shërbyer sigurimit? Ilir Meta, doli ketri nga kafazi! Pse se kontrollon njeri atë. Por ai që fshehu dosjen e sigurimit bashkë me Berishën e ka të lehtë ti fshehë edhe pasuritë.

Por pavarësisht persekutimit që më bëhet nga shteti unë tashmë jam rikthyer në politikë. Ndërkohë, këto ditë do tu dorëzoj partnerëve tanë ndërkombëtarë shkeljet ligjore të Ilir Metës. U them qytetarëve se një ditë unë do ta mund Ilir Metën e do të jem qeveri”, përfundoi Prifti. 

Dritan Prifti

Sakaq, sot Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dërgoi kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për Dritan Priftin. ILDKP akuzon ish-ministrin e LSI-së, për fshehje të pasurisë në shumën 4.6 milionë euro.

ILDKPKI bën me dije se abuzimi është konstatuar gjatë kontrollit të deklarateve me shtrirje nga viti 2033-2013 ku janë vërejtur kontrata të rreme, transferta të dyshimta parash dhe dyshime për pastrim parash, për të cilat i kërkohet organit të akuzës të hetoje edhe më gjerë, për të parë nëse ka edhe vepra të tjera penale.

Deklarata e plotë

ILDKPKI bazuar në ligjin “për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” përfundoi kontrollin dhe rikontrollin e plotë të deklaratave të interesave private të subjektit Dritan Prifti, për funksionet Ish Ministër dhe Ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë për periudhën kohore 2003-2013, nga ku rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme, kontrata fiktive pasurish, transferta bankare të dyshimta e pa burime të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash, brenda e jashtë vendit në shumën rreth 4.600 000 euro.

ILDKPKI ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për veprat penale të parashikuara nga nenet 257a/2 dhe 287 të Kodit penal, duke insistuar që hetimet paraprake të shtrihen më tej, me qëllim për të zbuluar nëse ndodhemi edhe para veprave të tjera penale. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura