Galeria, Shima: Tenderimi i linjës bashkë me godinën, gafë administrative

Oct 15, 2018 | 13:20
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ U bënë vite tashmë që flitet për rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Shpesh Ministria e Kulturës, e majtë apo e djathtë, ka dhënë ndonjë fond, por asnjëherë mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kushtet e një institucioni si ai i GKA-së. 

Rubens

Madje, ndonjëherë ka ndodhur që i ka akorduar fondet për restaurimin e fasadës dhe ia ka marrë sërish, për të mbyllur ndonjë vrimë tjetër. Por kësaj here duket se Ministria e Kulturës e ka marrë seriozisht çështjen e Galerisë Kombëtare të Arteve, fillimisht duke i ndërruar emrin në Muze Kombëtar të Arteve të Bukura e më pas duke hapur garë për projektin më të mirë për rikonstruksionin e godinës, por edhe të “narratives” muzeore, përmbajtjes së saj. Të dyja këto projekte, si atë që lidhet me godinën ashtu edhe atë të linjës muzeore, do t’i realizojë një firmë arkitekturore. Për historianin e artit Rubens Shima, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili së bashku me studiuesin Alban Hajdinaj ka realizuar linjën muzeore, që funksionon edhe sot e cunguar, ky lloj tenderimi është absurd. “Këto janë dy procese diametralisht të kundërta. Dhe në asnjë moment nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën. Është njëlloj si të pajtosh një kurator, për të projektuar një pallat banimi”, thotë Shima në një intervistë për gazetën “Panorama”. Nëse në formulimin e kërkesës për shërbim konsulence, Ministria e Kulturës fliste për “riformulim arkitektonik” të godinës, Shima thotë se kjo e fundit është monument kulture i kategorisë II dhe godinë-autore, që mban emrin e arkitektit Enver Faja, dhe si e tillë ajo nuk mund të “riformulohet”, madje edhe në rastet e dëmtimeve duhet të përdoren të njëjtat materiale ose të përafërta me to. Sa i takon aktivitetit të GKA-së, Shima thotë se ajo nuk është më një galeri kombëtare, por funksionon si private, për t’u bërë favore miqve e shokëve.

Galeria e Arteve
Galeria e Arteve

Z. Shima, tashmë është shpallur fituesi i tenderit të hapur nga Ministria e Kulturës për “shërbime konsulence” për rinovimin e godinës së GKA-së, por edhe të përmbajtjes së saj. Ju keni qenë drejtor i këtij institucioni, a janë forma këto që përdoren për raste të tilla?

Pa asnjë dyshim që shërbimi i konsulencës kërkuar dhe tenderuar nga Ministria e Kulturës për rinovimin, restaurimin dhe “riformulimin hapësinor” të Galerisë Kombëtare të Arteve më ka habitur pa masë, siç vetëm kjo ministri di të habisë. Përpara se të argumentoj anomalitë e vërejtura të këtij tenderi për konsulencë ideore në restaurimin e GKA-së, si ish-titullar i këtij institucioni dua të sqaroj disa çështje që nuk janë marrë në konsideratë dhe as nuk janë reflektuar fare në këtë histori me restaurim, rinovim dhe me riformulim arkitektonik. Ndiej keqardhje që paratë e taksapaguesve shpenzohen në mënyrë kaq të papërgjegjshme. Më duhet t’ju bëj me dije se, në Galerinë e Arteve ndodhen projekte të përfunduara vite më parë për zgjerimin e hapësirës së saj.

Në rast se nuk i gjejnë dot, mjafton t’i drejtohen arkivit të Institutit të Ndërtimit dhe të marrin një kopje atje. Ekzistojnë relacione teknike të detajuara për vlerësimin e gjendjes së objektit, bërë nga inxhinierë të ndryshëm. Gjithashtu, janë bërë edhe analizat e kampioneve të markës së betonit, për të konstatuar gjendjen fizike të tij, në laborator. Detyra e parë e projektimit për zgjerim të Galerisë është e vitit 1990.

Më pas, në vitin 1993 është një tjetër projekt i përfunduar zgjerimi, që mban titullin “Godina e fondit të Galerisë së Arteve Figurative”, ku parashikohej ngritja e një ndërtese shtesë për fondin e Galerisë, në pjesën e pasme të oborrit të saj. Në vitin 2009, arkitekti grek Nikos Fintikakis u pajtua nga Bordi i Miqve të Galerisë, bord i cili fatkeqësisht nuk ekziston më, dhe asokohe bashkë me arkitektin e ndjerë Enver Faja, firmën e të cilit mban godina aktuale, propozuan projektin e shndërrimit të Galerisë së Arteve në një godinë “green building”.

Pjesa më e madhe e punës u bë, por për arsye të mungesës së fondeve nga qeveria e mëparshme, mbeti një projekt në letër. Pa asnjë shpjegim, asnjë nga këto projekte, relacione teknike, analiza laboratorike nuk u morën në konsideratë nga Ministria e Kulturës, por u nxitua të paguheshin rreth 100 mijë euro, për t’ia filluar nga e para një pune që kishte nisur vite më parë.

A mund t’i ofrojë e njëjta kompani të dyja këto shërbime, pra të realizojë një projekt edhe për rinovimin e godinës, edhe të përmbajtjes?

Këto janë dy procese diametralisht të kundërta. Dhe në asnjë moment nuk mund të ngatërrohen me njëra-tjetrën. Është njëlloj si të pajtosh një kurator për të projektuar një pallat banimi. Sigurisht, këtu te ne, individë, studio, firma mund të bëjnë gjithçka, pa e vrarë mendjen dy herë, mjafton të ketë ca para në lojë, ca njohje politike dhe arkitekti bëhet kurator, idioti shitet për studiues. Shqipëria është vend i sharlatanëve. Injoranca manifestohet kudo. Është kriter bazë për t’u punësuar në administratë.

Ministria e Kulturës presupozohej të ishte pengesa apo mekanizmi bllokues që këto gjëra të mos ndodhnin. Tek e fundit, ç’mund të presësh nga një ministri, që tenderon konceptin kuratorial të Galerisë Kombëtare?! Jam shumë kurioz të njihem me projektin fitues.

Por, për t’iu rikthyer pyetjes suaj, tenderimin e konceptit kuratorial të narrativës së Muzeut apo njohur ndryshe si linja muzeale e Galerisë së Arteve, bashkë me restaurimin e godinës, e gjykoj një gafë administrative të pashoq. Shpalljen fituese të studios arkitekturore, që veç të tjerave do të propozojë edhe linjën e re muzeale të GKA- shndërruar me “urdhër peshku” në Muze të Arteve të Bukura, e konsideroj një absurditet të padëgjuar në historinë e muzeologjisë në këtë vend.

Një studio arkitekturore mund të bashkëpunojë me kuratorin/kuratorët, në rast se ky i fundit e kërkon këtë shërbim. Kjo është një praktikë e njohur kudo në botë. Ajo studio mund të merret me çështje që kanë të bëjnë me: shpërndarjen dhe vendosjen e instalimeve në sallë, përfshirë edhe veprat e artit. Me ndriçimin specifik të tyre, me konceptimin dhe realizimin e moduleve ekspozuese etj., etj., por gjithnjë duke ndjekur në mënyrën më strikte konceptin dhe projektin kuratorial.

Por, që një studio arkitekture që ndërton pallate banimi të fitojë tenderin për konceptin kuratorial të ekspozitës permanente të Galerisë se Arteve, kjo është përtej çdo imagjinate njerëzore, humoristike dhe në kulm e papërgjegjshme. Më vjen keq kur shikoj se në çfarë niveli është katandisur puna në “emërmadhin” Muze të Arteve të Bukura.

Në lidhje me godinën, konsulentit i kërkohet një projekt që parashikon “riformulim arkitektonik”, restaurim dhe rikonstruksion. Çfarë do të thotë “riformulim arkitektonik” i një ndërtese, që është monument kulture i kategorisë II?

Në kontekstin që është shkruar te detyra e projektimit të ministrisë, nuk do të thotë asgjë; është gomarllëku i radhës, i atyre që shkruajnë e dërdëllisin gjëra të tilla. Riformulim do të thotë të ndryshosh, të përshtatësh, të formulosh në një mënyrë të ndryshme, të rishikosh. Në rastin e Galerisë, ky term është i paaplikueshëm, pasi godina, që në fillim të herës është projektuar nga arkitekti Enver Faja, për Galeri Arti. Ajo është menduar për të qenë e tillë. Nuk ka qenë ndonjëherë as maternitet, as cirk, as repart ushtarak, që të ketë nevojë të riformulohet akitektonikisht.

Duke qenë edhe monument kulture, ajo thjesht duhet të ruhet kështu siç është. Duhet restauruar me kujdes dhe mundësisht me të njëjtat materiale, duke ruajtur me fanatizëm frymën e kohës. Fjala bie: të njëjtin mermer të prodhuar gjatë komunizmit ose të përafërt, të njëjtat pllaka dekorative që veshin muret e hollit qendror të saj, duhet të ruhen të njëjtët parmakë druri ekzistues, sepse dëshmojnë estetikën e kohës.

Duhen ruajtur për aq sa është e mundur, në rast dëmtimi pa kthim, duhen zëvendësuar me të njëjtat materiale ose shumë të përafërta me to. Madje, edhe germat e bronzit, dikur të vendosura në fasadën e saj ku shkruhej: “Galeria Kombëtare e Arteve”, të shkulura arbitrarisht, pa motiv, duhet të rivendosen, pasi janë elementë arkitektonikë të saj. Por, Galeria e Arteve, përveç se është monument kulture i kategorisë së dytë, është godinë- autor; realizuar prej arkitektit të njohur Enver Faja.

Si e tillë në të, nuk mund të bëhen ndryshime, tjetërsime, sajime – tërësia e godinës, volumet e jashtme dhe të brendshme, konceptimi i itinerarit të lëvizjes së vizitoreve, sallat duhet të ruhen te paprekura. Materialet e përdorura te veshja e jashtme e fasadës, me mozaikë njëngjyrësh, nuk duhet të zëvendësohen me materiale të reja aliene për godinën.

Kjo godinë, logjikisht, duhet të mbrohet edhe me Ligjin për të Drejtat e Autorit, ku ne Kreun e I, “objekt i mbrojtjes së të drejtave të autorit”, janë edhe krijimet arkitekturore. Pra, asnjë studio konsulence apo arkitektonike, e shpallur me tender apo pa tender, nuk mund të ndryshojë, modifikojë apo tjetërsojë projektin e godinës aktuale të Galerisë. Me sa duket, edhe kjo gjë nuk është marrë në konsiderate dhe as është përmendur në tenderin për shërbim konsulence për restaurimin e saj.

Siç e thamë edhe më sipër, shërbim konsulence ofrohet edhe për “narrativën” e muzeut, pra, Galerisë dhe Linjës së saj muzeore. Ju vetë keni ngritur Linjën që ka funksionuar deri vonë. A është kjo një procedurë normale? A nuk duket sikur në këtë mënyrë shmanget roli i drejtorit të GKA, i cili duhet të inplementojë idetë dhe vizionin e tij në këtë institucion (nëse e ka një të tillë)?

Nuk mendoj se drejtori aktual ka ndonjë ide apo, ca më shumë, platformë rreth linjës permanente të koleksionit të Galerisë. Ndryshe, do e kish bërë publike. Di që ka përzgjedhur një grup pune, për emrat e të cilëve nuk jam në dijeni, pasi edhe kjo gjë nuk është bërë publike nga Galeria.

Ajo që më bën përshtypje në këtë proces, është puna paralele që do bëhet/ në rast se do bëhet. Presupozohet se firma që është shpallur fituese do ta dorëzojë projektin e mbyllur, ku një ndër pikat është edhe konceptimi i linjës muzeore. Gjithashtu, grupi i ngritur nga Galeria, do të bëjë të njëjtën gjë: do të propozojë edhe ai projektin e linjës.

Ministria ka akorduar një fond prej 100,000 euro për shërbimin e konsulencës, pagesë për firmën fituese, po ashtu edhe Galeria ka akorduar një fond për të njëjtën gjë. Është paradoksale dhe abuzive, që të paguash dy herë për të njëjtin shërbim, dy grupe të ndryshme. Nuk e kuptoj indiferencën e Galerisë dhe mospërfshirjen e saj, kur ministria tenderon shërbime konsulence për vetë atë. Gjithashtu, në këtë të ashtuquajturin shërbim konsulence për restaurimin e Galerisë, nuk janë reflektuar prej ministrisë as nevojat e institucionit, me gjasë as janë pyetur fare.

Një godine, që pretendon ta rinovosh apo ca më shumë ta “riformulosh”, është e detyrueshme t’ia njohësh problematikat dhe t’ia zgjidhësh ato. Ndoshta galeria ka nevojë për ndërtimin e një magazine (fond) për ruajtjen dhe konservimin e koleksioneve, një zyrë të re restaurimi me gjithë specifikat e saj, një sallë konferencash, më shumë hapësira për zyra, ashensor, etj., etj…, kërkesa të cilat duhej të ishin marrë parasysh para tenderimit.

Pra, thënë ndryshe, është Galeria ajo që parashtron kërkesat e saja dhe ministria duhet t’i përfshinte në tenderin e shpallur dhe jo e kundërta. Edhe sot nuk e dimë në është pyetur Galeria, drejtori, shefat e saj, për këto gjëra, në duhej tenderuar koncepti kuratorial i ekspozitës permanente.

Nuk duket si një dorëzim te “privati”?!

Ky është absurditet. Nuk mund të tenderosh gjithçka te privati. Atëherë, përse duhet të ketë sektor studimi, kuratorë apo qoftë edhe drejtorë në Galerinë e Arteve, kur koncepti i muzeut të vjen paketë e gatshme? Kur këta nuk i pyet kush, kur nuk dinë gjë, por e mësojnë nga mediat?! Ajo që më bën përshtypje është neglizhenca dhe indiferentizmi i vetë Galerisë. Ky është një imazh i dëmshëm për punën e këtij institucioni. Unë nuk besoj se një firmë që projekton pallate banimi, ka në stafin e saj kuratorë, që njohin koleksionin e Galerisë dhe kurojnë ekspozita arti. Këtë gjë e di unë, ministria, publiku i gjerë, drejtori i Galerisë, tërë stafi i saj, përfshirë dhe rojën.

Përtej “tenderimit”, e keni ndjekur aktivitetin e GKA apo Muzeut të Arteve të Bukura, siç quhet tashmë, këto kohë? Po punohet? Sepse mediat janë pak në “terr informativ” në lidhje me këtë institucion…?

Ka vite që është kthyer në një vend, ku thjesht hapen dhe mbyllen ekspozita. Bëhen favore te miqtë, miqtë shiten si axhendë institucionale, institucioni si galeri private, afirmohen dhe forcohen lidhjet dhe njohjet personale. Nuk është institucion publik. Kjo është përshtypja që më është krijuar prej kohësh. Gjithashtu, më bie në sy mungesa e ekspozitës, linjës së përhershme me veprat e koleksionit të artit shqiptar. Tek e fundit, kjo ka qenë traditë e këtij institucioni. Ekspozitat permanente mund të jenë të kontestuara, të debatuara, asnjëherë të gjithëpëlqyera, por çdo herë kanë qenë aty. Të hapura për publikun. Ky është misioni i Galerisë së Arteve dhe qëllimi i ekzistencës së saj: Paraqitja e koleksionit të veprave dhe krijimi i një dialogu apo debati rreth tyre. Në rast se ato mbahen mbyllur dhe në vend të tyre ekspozojmë miq e shokë, kjo nuk mund të jetë politika e një institucioni kombëtar, publik, por thjesht një sjellje provinciale e rëndomtë, ndotur me gjithfarë interesash të vogla meskine. Shqiptarët nuk janë ciganë, kanë prodhuar art dhe artefakte sipas mënyrës së tyre, të dokumentuara këto së paku prej 150 vjetësh pa ndërprerje. Këtë presin njerëzit të shohin në Galerinë Kombëtare të një vendi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura