Galeria, katër emra për postin e drejtorit

Oct 18, 2017 | 13:35
SHPËRNDAJE

Pas shumë spekulimesh mbi kandidatët e mundshëm që do të merrnin pjesë në garën për postin e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, mësohen emrat e konkurrentëve. Janë katër syresh, emra të njohur e më pak të njohur, të cilët ofrojnë idetë e tyre për drejtimin e një prej institucioneve më të rëndë- sishme kulturore në Shqipëri.

Galeria-Kombëtare-e-Arteve-tirane-kulture-arkitektura-italiane-shekulli-i-20

Ditën e hënë u mbyll afati për dorëzimin e dosjeve të kandidatëve dhe përfundimisht, emrat në garë, nga do të dalë edhe fituesi janë: Kreshnik Xhiku, Helidon Haliti, Erzen Shkololli dhe Artur Çela.

Pasi të shqyrtohet dosja e çdo kandidati dhe platformat që ata kanë paraqitur për drejtimin e GKA-së, njëri prej tyre do të zgjidhet nga komisioni i ngritur pranë Ministrisë së Kulturës, si drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, duke zëvendësuar drejtorin ende në detyrë, Artan Shabani, i cili nuk rikandidoi për një mandat të dytë. Kreshnik Xhiku ka punuar si pedagog pranë Akademisë së Arteve nga viti 1982-1996. Nga viti 1996-1998, ai ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve Pamore.

Firmën e tij e mbajnë vepra si busti i Faik Konicës në Parkun e Liqenit të Tiranës, shtatorja e Mbretit Zog në bulevardin Zog I, busti i Skënderbeut në Londër si dhe disa nga shtatoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë, monumenti i Nënë Tereza në Cleveland Ohio dhe Ekuestri i Skënderbeut në Rochester Hills Michigan.

Punon si Konsulent Art në Universitetin George Mason, Fairfax, VA prej vitit 2007. Helidon Haliti i takon brezit të piktorëve që u diplomuan në Akademinë e Arteve në fillim të viteve ’90.

Haliti ka arritur të krijojë individualitetin e vet artistik, duke punuar në teknika e materiale të ndryshme. Ka hapur shumë ekspozita në Shqipëri e në Greqi, por edhe në shumë vende të tjera të Europës, madje deri në Kinën e largët. Ai është ideatori dhe presidenti i Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit, që u zhvillua këtë vit për të dytën herë. Erzen Shkololli është artist dhe kurator nga Kosova. Themelues i fondacionit, “Unë e dua Kosovën”. Në vitet 2003-2007 ka mbajtur pozicionin e drejtorit artistik në Contemporary Art Institute EXIT në Pejë.

Erzen Shkololli ka drejtuar Galerinë Kombëtare të Kosovës mes viteve 2011-2015; ka qenë komisar i pavijonit të parë kosovar në edicionin e 55-të të Bienalen e Venecias. Ka kuruar shumë ekspozita në Kosovë e Shqipëri. Artur Çela, prej vitesh i shkëputur nga skena e artit, është diplomuar për skulpturë në fillimvitet ’90. Pas vitesh emigracioni, është kthyer në Shqipëri, jo më si artist, por si biznesmen. Megjithatë, ka mbetur artdashës dhe me dëshirën e mirë për të bërë diçka për kulturën shqiptare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura