Galeria e Arteve, Shabani: Dezinfektim urgjent

Jul 8, 2015 | 14:17
SHPËRNDAJE

Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani

Kornizat e reja bëhen shumë shpejt të vjetra, restaurimeve u humb vlera kur futen në të njëjtat ambiente, ku prehen të tjera vepra që bluhen ngadalë nga mola e tenja… Kjo është gjendja në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ruhen mbi 5 mijë vepra në pikturë, skulpturë e vizatim. Kur disa muaj më parë, studiuesi dhe kuratori Vincent Van Gerven Oei bëri apel për shpëtimin e fondit të GKA-së përmes gazetës “Panorama”, drejtori i këtij institucioni, Artan Shabani, sigurisht nuk e priti mirë këtë reagim të një të huaji. Nuk e mohoi gjendjen e rënduar, madje edhe faktin se e kishte ngritur edhe herë të tjera këtë problem, por gjithashtu u duk se nuk donte që kjo çështje të merrte përmasa shumë të mëdha. Por tashmë shqetësimi ka shkuar atje ku nuk mban më, dhe vetë Shabani bën apel për dezinfektimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila nga sa mësohet ka 4 vjet që nuk i nënshtrohet këtij procesi.

“Fondi i GKA bashkë me gjithë Galerinë ka nevojë urgjente për dezinfektim. Sipas studimit që ka bërë sektori i restaurimit të GKA dhe sipas kontrollit konstant që ne bëjmë bashkë me stafin, themi që jemi në një gjendje që duhet patjetër dezinfektimi, sidomos të fondit të GKA-së. Ajo që sot prishet, nesër nuk bëhet më”, është shprehur Shabani për mediat, pas konferencës për shtyp për ekspozitën e piktores korçare Sofia Zengo Papadhimitri. Sipas Shabanit, arsyeja pse kjo gjë nuk është bërë deri më sot është për mungesë fondesh. “Çdo gjë sipas ligjeve në Shqipëri tenderohet dhe duan kohën e duhur, dhe çdo gjë bëhet me fonde, me para. Mendoj se si fillim duhen 4-5 mijë euro për dezinfektim”. Ai u shpreh se GKA ka bërë kërkesa të vazhdueshme në Ministrinë e Kulturës. “Ne si GKA prej dy vitesh kërkojmë që të dezinfektojmë Galerinë Kombëtare të Arteve. Por ne jemi një institucion nën varësi. Unë kam dërguar kërkesa në ministri për dezinfektimin”.

Sipas përgjegjësit të sektorit të restaurimit në GKA, Olsi Laska, ka më shumë se 4 vjet që institucioni nuk dezinfektohet. Sipas tij, e mira është që fondi të dezinfektohet çdo vit, madje dy herë në vit, për të shkatërruar larvat e insekteve. Megjithatë ai thotë se me mundësitë që kanë po përpiqen të mbajnë gjendjen nën kontroll. “E keqja është se dhe raftet janë prej druri dhe sado të ruash pikturat, nuk kemi mundësi që të bëjmë dhe dezinfektimin e rafteve, ndaj duhet një fond që të kemi një dezinfektim total të të gjithë fondit të veprave”. Sipas tij, nëse kjo nuk bëhet, kornizat e reja të bëra për ekspozitat e fundit, do të bien pre e gërryerjes prej insekteve. Gjendja u bë edhe më kritike në GKA, pas strehimit në të, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, të ikonave, “provë krimi”, të cilat përveçse bllokuan një pavijon të tërë, ishin edhe të padezinfektuar dhe insektet që ato bartnin kanë infektuar gjithë institucionin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura