Gajda Toptani, mbesa e Abdi Toptanit: Ju rrëfej tim gjysh, nga firmosja e Pavarësisë te harresa

Sep 24, 2012 | 14:47
SHPËRNDAJE

Firmëtar i Pavarësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës, disa herë ministër, Abdi Toptani ishte një nga figurat më të rëndësishme të para çlirimit. E mbesa, vajza e djalit tregon për jetën e të gjyshit, nga postet deri te harrimi i plotë nga diktatura, madje te ndëshkimi i të bijve. Pa dashur të ndalet gjatë në pjesën e dhimbshme, Gajda Toptani tregon edhe për dënimin me burg të të atit dhe si e varrosi e vetme, pasi sekretarët e partisë ia kthyen mbrapsht kolegët e punës.

Familjet e mëdha, mbiemri i të cilave është përmendur në kohë të ndryshme për të mirë e për të keq, kanë gjithnjë për të treguar. Paraardhësit e tyre kanë lënë aq gjurmë në histori, disa prej tyre ende të pazbuluara, saqë shkrimi i një gazete nuk mundet t’i përcjellë, por sidoqoftë, pasqyron pjesshëm kohën tjetër. Atë kohë kur Shqipëria nuk kishte një status të sajin, kur pushtimet vinin nga të gjitha drejtimet. Pikërisht atëherë kishte burra shteti që u dëgjohej zëri, e që ju dëgjohej edhe jehona, edhe sot, 100 vite të shkuara, në pragun e 100-vjetorit të krijimit të shtetit. Mjafton të përmendësh Aktin e Shpalljes së Pavarësisë dhe te Abdi Toptani mendja të shkon vetë. Ishte njëri nga 42 firmëtarët më me ndikim në këtë ngjarje të madhe të krijimit të shtetit. Pak vite më vonë, kur vendi të hynte në një epokë tjetër, edhe emri i tij, ashtu si i shumë atdhetarëve të tjerë, do të injorohej apo lihej ne heshtje, veç nuk mund të fshihej nga faqet e historisë, që sot e gjithnjë do të shkruhet. Sot, në Tiranë, fisi i Toptanëve vazhdon të jetë i madh, por nga fëmijët e fëmijëve të Abdiut, kanë mbetur vetëm 2 mbesa dhe një nip nga të cilët  mbesa e tij, Gajda Toptani, e bija e Xhahitit, ka lindur dhe ruan ende mbiemrin Toptani. Me gjithë dokumentet që ruan me fanatizëm në arkivin e saj të historisë, Gajda nuk është fare natyra e një personazhi që kërkon të jetë publik, e bindur se për gjyshin e saj nuk ka nevojë pse të flasë as ajo e askush tjetër, ç’ka qenë për të bërë, ai e ka lënë të firmosur. Megjithatë, disa detaje përtej veprimtarive të tij publike, më mirë se ajo, nuk mund të na i thotë kush tjetër. Sado me hezitim, sado të kursyera… shtëpinë e saj nuk është e vështirë për ta gjetur, jeton në rrugën që mban emrin e të gjyshit, Abdi Toptanit. Rrugën historike ku është rritur edhe babai i saj. Rruge të cilën Abdi Toptani e hapi vetë përmes pronës së tij. Sa më shumë i afrohesh derës së apartamentit, aq më shumë të qasen gjurmët e së shkuarës. Me gjithë kundërshtitë e fëmijëve, Gajda ka arritur që me disa nga mobiliet e vjetra të familjes së saj të madhe dhe antikuarëve dekorues, t’i japë shtëpisë atmosferën e një muzeu historik që, ndër të tjera, ka edhe dashurinë e gjakut që jetojnë në të.
[portfolio_slideshow]
Veprimtaria dhe ndikimi i Abdi Toptanit në historinë e Shqipërisë janë të njohura, por ju, si një prej trashëgimtarëve të tij, mund të na tregoni një aspekt tjetër, më familjar…
Gjyshi lindi në 1864-n në Tiranë, në një nga familjet më të njohura e të pasura të asaj kohe. Një nga legjendat thotë se Toptanasit mund të jenë pasardhësit e Topisë… Kur arriti në moshën shkollore, Abdiun e dërguan për studime në Stamboll, në shkollën “Ruzhdije”. Aty është lidhur me rrethet përparimtare të rilindësve, kushëririn e tij Murat Toptani, vëllezërit Frashëri etj., një pjesë e të cilëve ishin edhe kushërinjtë e tij për shkak të lidhjeve të ndryshme martesore që bëheshin brenda familjeve. Ky ishte shkaku mbase që u thellua edhe më tepër te ai atdhedashuria mbi të cilën nuk vuri asgjë. Duke qenë i pajisur me mentalitet modern për ndërmarrje të ndryshme, gjë që e karakterizoi gjithë jetën, përqafoi pa hezitim idetë përparimtare të kohës duke ia kushtuar kauzës së drejtë. Në 1895-n u kthye në atdhe, në tokat e tij, të cilave iu përkushtua (Për të punuar në to madje solli traktorin e parë në Shqipëri). Nuk hoqi dorë në asnjë moment ndaj luftës kundër shtypjes turke. Kishte marrëdhënie me të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ishte njeri i thjeshtë, serioz, i përkushtuar në çdo punë, të gjitha këto m’i tregonte im atë. Nuk vinte në asgjë interesin vetjak dhe kjo është treguar me veprat e tij duke fituar gjithnjë simpatinë dhe duke pasur influencë në masat e gjera.
Në 1900 e shohim gjerësisht të aktivizuar në luftën kundër osmanëve, si dhe në përhapjen e gjuhës shqipe së bashku me Muratin, Refikun, Fuatin etj. Pas vitit 1902 ishte ndër të parët që u hodh pa asnjë kusht në lëvizjen antiosmane, për ta vijuar me ngulm këtë veprimtari edhe në vitet e mëpasshme. Deri në 1912-n ka qenë gjithnjë ballë të gjitha kryengritjeve, të cilat u kurorëzuan me shpalljen e pavarësisë në të cilën gjyshi ka qenë një ndër 42 firmëtarët e këtij Akti, në cilësinë e përfaqësuesit të Tiranës, Krujës dhe Kavajës. Abdiu priti në Durrës Ismail Qemalin dhe e shoqëroi atë në Vlorë. U zgjodh ministër i qeverisë së Vlorës, ministri i parë i Financave të shtetit të sapoformuar shqiptar, dhe duhet të them që si në këtë post si në të tjerë që pasuan, nuk pranoi të merrte asnjë rrogë.  Gjyshi nuk ka pranuar kurrë të merrte asnjë lloj shpërblimi për shërbimet që kryente për atdheun e tij. Ai nuk ishte i dhënë pas posteve, por përqendrohej te puna që duhet të kryente për vendin e tij… Në qeverinë e princ Vidit, Abdi Toptani ka qenë ministër i Bujqësisë.
Gjyshi ka qenë një nga organizatorët e përkrahësit e flaktë të Kongresit të Lushnjës, ku u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Lartë.
Cilët kanë qenë fëmijët e Abdi Toptanit dhe a e kanë vijuar ata veprimtarinë e babait?
Fëmija i parë ka qenë Ihsani, i cili është larguar në tetor të ’44-s me grupin e ushtarakëve të misionit anglez, Abaz Kupin etj. U dënua më pas me vdekje në mungesë. Xhaxhai ka qenë nga të paret shqiptarë që kanë mbrojtur gradë shkencore. Ai ka mbrojtur doktoratën për ekonomi politike. Punoi për “Newsweek” dhe BBC. Vdiq po në Londër në vitin 2001, duke ruajtur gjithnjë statusin e tij politikisht të pavarur. Amaneti i tij i fundit ka qenë që hiri i trupit pas vdekjes t’i shpërndahet në malin e Dajtit. Fëmijët e tjerë kanë qenë 2 vajzat Hiqmeti e Zejnepi, si dhe më i vogli, im atë, Xhahiti, që kreu studimet në shkollën e Fultz-it për Agronomi, ndërsa të lartën në Milano për Shkenca Agrare. 3 fëmijët e parë të gjyshit kanë studiuar në Vjenë, si shumë nga kushërinjtë e tyre (32 Toptanas), sapo  arrinin moshën shkollore, pra 8 vjeç. Edhe për këtë gjyshi është parë me sy jo të mirë, sepse kishte ide shumë përparimtare për kohën.
Çfarë ju ka treguar babai për të atin?
Gjyshi gëzonte respekt në të gjitha shtresat e shoqërisë së kohës. Natyrisht që këtë e kishte fituar pasi ishte njohur gjerësisht si njeri i drejtë e fisnik e që mbi të gjitha vinte interesat e atdheut. Gjithnjë, të pasur e te varfër, burra shteti vinin e i kërkonin këshilla. Në Valias, aty ku kishte shtëpinë, dihej që ishte gjithnjë e tejmbushur, në çdo vakt e në çdo kohë. Çdo ditë shtrohej drekë për më shumë se 80 veta, që ishin nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Që nga trupa diplomatike, miq të familjes, miq të miqve, kalimtarë të rastit, të pasur e të varfër do të ndaleshin patjetër aty, te shtëpia e Abdiu Beut në Valias, ku gjithnjë do të gjenin diçka të shtruar. Me fëmijët ka qenë autoritar veçse pa u bërtitur kurrë, siç funksionon me njerëzit e mëdhenj. Siç më ka treguar xhaxhai, ka qenë pikërisht ky respekt që njerëzit kishin për gjyshin, që e ndihmoi xhaxhain, Ihsanin, të bëjë bashkë legalistë, ballistë, e nacionalçlirimtarë e të ketë  fillesat mbledhja e Mukjes. Mbledhja e Mukjes filloi në shtëpinë e Abdi beut në Tapizë, e më pas u transferua në Mukje për arsye sigurie. Po ajo shtëpi që po ju flisja më parë, ka qenë strehë mikpritëse për të gjithë.
Pas gjithë kësaj mikpritjeje, duhet të fshihet doemos një grua e zonja për t’i përballuar, gjyshja juaj…
Natyrisht që ka qenë edhe meritë e saj të presësh gjithë këta njerëz që hyjnë e dalin përherë, çdo ditë të vitit në shtëpi. Gjyshja ka qenë një grua bujare e zemërgjerë, por jo vetëm për shkak të mikpritjes. Edhe vonë kam takuar njerëz të cilët më kanë treguar se si gjyshja ime i kishte bërë me pajë. E dini pajën e atyre viteve që përgatitej kur duhet të shkoje te burri? Ishte pothuajse e detyrueshme se ashtu ishte zakoni. Kështu, ajo ndihmonte vajzat e varfra duke iu dhuruar pajën. E ka bërë këtë ndoshta, sepse edhe ajo vetë ka qenë një vajzë e thjeshtë, nga një shtresë e varfër, kur është martuar me gjyshin. Nga kjo anë, gjyshi nuk ka ndjekur rregullat e kohës, madje i ka thyer ato duke u martuar me gjyshen. Mori gruan që donte, jo atë që të tjerët do të caktonin për të. E për ta bërë të ndihej mirë dhe e barabartë me të, kaloi në emër të saj prona të cilat ajo mund t’i administronte vetë.
Përveçse për shkak të mbiemrit, çfarë tjetër e penalizoi babain për ta çuar pas hekurave?
Babai u dënua në prill të ‘54-s me 15 vjet burg, nga të cilat vuajti 10 vite. Shkak i dënimit ka qenë një letër që i ka dërguar të vëllait, Ihsanit. Ky i fundit e pyeste se si ishim, si jetonim, e babai i tregon për realitetin këtu, si kishin shkuar gjërat, si i kishin marrë gjithçka e si qenë përndjekur intelektualët. Pas burgosjes së babait, unë dhe mamaja ime u dëbuam nga Tirana. Fati im i madh ishte që daja im, Zef Bumçi, u kujdes për mua si të isha vajza e tij duke më përkushtuar gjithë jetën e tij. Kujtoj që kur isha 5 vjeç, kisha dëshirë të bëhesha aviatore që të kisha mundësi të fluturoja me aeroplan e të shkoja të merrja mamanë pa e parë njeri, sepse kur ajo vinte fshehtas të më takonte, e mbuluar me çarçaf, gjendej ndonjë i zellshëm që lajmëronte menjëherë Degën famëkeqe të Brendshme, e polici vinte trokiste në derë.
Para se të vdiste në vitin 1987, babai duke e kujtuar të vëllain të vdekur, më la amanet të takohesha me fëmijët e tij (në të vërtetë e dinte të vdekur të vëllain, pasi qe e pamundur të kishim kontakt me jashtë, e mendonte se mund të kish lënë fëmije). Madje unë i thashë aman o babë, pse më fut në ngatërresa… Babai im nuk e pa më kurrë të vëllain që nga viti 1944. Kur erdhi demokracia, mora vesh që xhaxhai, Ihsani, ishte gjallë e jetonte në Londër. Pata fatin që ta takoja, e natyrisht të flisnim gjatë.
Pothuajse nuk e keni njohur babain në vitet e para të jetës, si ishte ajo kohë e në vazhdim?
Që në moshë fare të vogël, vetëm 3 vjeç, kam hasur vështirësitë e para të jetës. As fëmijët e tjerë nuk është se jetonin të lumtur, por të paktën nuk vizitonin burgjet e Shqipërisë. Kam shkuar në moshë fare të vogël në burgun e Tiranës për të takuar babain, pastaj në atë të Burrelit. Kur babai ka dalë nga burgu, kam qenë 13 vjeç. E gjithë jeta jonë e atyre viteve kaloi në kushte nga më të vështirat. Pasi doli nga burgu, babai punoi teneqexhi, zanat ky që s’mund ta merrte tjetër veçse në burg, kur punonte ne kampet e punës për të ndërtuar Sanatoriumin, uzinën “Traktori”, Pallatin e Kulturës, Kombinatin e Mishit etj.
Mua sigurisht që m’u mohua e drejta e studimeve. Në këto vite njerëzit, qoftë edhe të afërm të familjes, kishin frikë të na afroheshin apo të na vizitonin në shtëpi. Ishin fare të paktë ata që guxonin, apo të na ndihmonin, siç bëri vajza e tezes së babait Meremja, e cila megjithëse në kushte të vështira, na pranoi në shtëpinë e saj kur na dëbuan nga Tirana. As ne nuk shkonim askund, sepse mund t’i dëmtonim njerëzit që vizitonim.  Ndër shumë gjëra të tjera, siç mora vesh më vonë, kur më vdiqën prindërit, kolegët e mi të punës ishin nisur për ngushëllim, por dikush u kishte dalë përpara për t’i penguar, duke i thënë se ishim armiq të popullit.
Ku jetuat pas daljes nga burgu të babait?
Pas daljes nga burgu, unë bashkë me babain dhe nënën vazhduam të jetojmë te shtëpia e dajës, i cili nga ana e tij kishte shpëtuar vetëm falë talentit, si një nga karikaturistët më të mirë. Shtëpia e tij qe bërë “Refugium peçatorum”… pasi banonte dhe daja tjetër që kish bërë 20 vjet burg, qeshte im atë… të cilit sensi i humorit nuk i mungoi as në situatat më të vështira….
Ju janë djegur asokohe një pjesë e mirë e shtëpive, si shpëtuan Sarajet që janë ende edhe sot?
Në kohën e Haxhi Qamilit na janë djegur shtëpitë e Valiasit, por për Sarajet, e cila atë kohë ka qenë shtëpia e Adem Toptanit, më ka treguar xhaxhai, i cili ishte 8 vjeç në atë kohë, se kur turmat e Haxhi Qamilit u nisën për t’ia djegur, një terzi i kohës i kishte ndalur duke u thënë se Qamile Hanmi (stërgjyshja ime) ishte shumë fetare dhe vendi ku ajo jetonte, Sarajet pra, konsiderohej thuajse një vend i shenjtë. Vetëm prej saj ka shpëtuar pa u djegur.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura