Gafat e merkatos, portieri i merr Luftëtarit 10 mijë euro

Sep 8, 2018 | 15:53
SHPËRNDAJE

Që Luftëtari ka gabuar në përzgjedhjen e lojtarëve gjatë merkatos së verës, kjo nuk do shumë për t’u kuptuar. Mjafton të shikosh lëvizjet që ka bërë klubi në muajt korrik-gusht, për të konfirmuar se sa të paqartë kanë qenë drejtuesit e merkatos. Shembulli më konkret është ai i portierit zviceran, Hrvoje Bukovski.

bukovski

Ky i fundit debutoi me fanellën bluzi në mënyrën më të keqe të mundshme, duke pësuar pesë gola në ndeshjen e parë ndaj Ventspils, e vlefshme për Ligën e Europës. Më pas 26- vjeçari luajti për afro 50 minuta edhe në takimin e kthimit, që u mbyll 3-3 në “Elbasan Arena”. Mirëpo, befas doli jashtë planeve të klubit, duke parë që nuk bënte diferencën në krahasim me rivalin tjetër në portë, Shkëlzen Ruçi. Me Bukovskin ishte firmosur një kontratë 1-vjeçare, edhe pse kur u largua, klubi e “shiti” sikur kishte marrëveshje vetëm për në Kupat e Europës.

Që pas eliminimit të ekipit nga Europa, prishja e marrëveshjes me Bukovskin ka qenë një hall më vete për klubin gjirokastrit. “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta se portieri ka qenë i vendosur për të respektuar marrëveshjen, ndërkohë që klubi ia kishte bërë të qartë se duhet të gjente një skuadër tjetër. Në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Kastriotit, Bukovski u la në tribunë, ndërsa në stol Luftëtari u detyrua të merrte të riun Shumeli, duke qenë se portieri Ilias Melka ishte i dëmtuar.

hrvoje bukovski

Ish-portieri i Jang Bojsit në Superligën helvete nuk pranonte të largohej pa një dëmshpërblim nga ana e klubit. Në këto kushte, vetëm në fund të gushtit, pas negociatave të shumta, Bukovski pranoi ofertën e klubit për 10 mijë euro dëmshpërblim dhe të largohej. Pra, as dy ndeshje me Luftëtarin dhe një shifër e majme e çuar dëm, vetëm sepse drejtuesit e merkatos nuk dinin se çfarë kishin marrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura