Lazarati sjell në Shqipëri Gabriel Garkon, luan rolin e policit Bujar

Sep 9, 2016 | 11:55
SHPËRNDAJE

Lazarat nuk është thjesht një emër fshati. “Lazarat” është një markë, madje nga ato të “mirat”.

Gabriel Garko, dje në Tiranë, gjatë prezantimit të filmit “Lazarat Burning”
Gabriel Garko, dje në Tiranë, gjatë prezantimit të filmit “Lazarat Burning”

 

Në Amsterdam, Amerikë, Kanada, të gjithë e njohin markën e hashashit që vjen nga Shqipëria, por askush nuk e di se ku bie kjo e fundit.

Kjo ka qenë pikërisht nxitja për producentët e filmit aksion “Lazarat Burning”, një prodhim amerikan, i kompanisë filmike “Mercury Films”, me regji të William Kaufmann, ku rolin kryesor, atë të një shqiptari me emrin Bujar, e luan aktori italian Gabriel Garko.

Ky i fundit, shoqëruar nga producenti ekzekutiv i filmit Issa Zaroui, prezantuan projektin e tyre në Tiranë. Nën një kolonë zanore me titull “Sweet, sweet Albania”, ata do të flasin për një histori shqiptare. FILMI “Filmi do të tregojë Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka asgjë negative”, thotë Issa Zaroiu.

Producenti Issa Zaroui dhe aktori italian Gabriel Garko, gjatë prezantimit të djeshëm
Producenti Issa Zaroui dhe aktori italian Gabriel Garko, gjatë prezantimit të djeshëm

Të flasësh për Lazaratin duke dhënë një imazh pozitiv, sigurisht nuk është edhe aq e thjeshtë, por me sa duket “Lazarat Burning” ka pikërisht këtë qëllim.

“Është një film që do ta xhirojmë në Shqipëri, në të gjithë Shqipërinë. Është film aksion që do të tregojë Shqipërinë në një mënyrë pozitive”, thotë producenti Zaroui, i cili tregoi për të pranishmit historinë e realizimit të këtij filmi.

“Lazarati nuk është sekret shqiptar, atë e di çdo vend i botës, është markë. Para se të vija, nuk e dija çfarë ishte Shqipëria. Një shok më telefonoi dhe më tha jam në Shqipëri. E pyeta ku ndodhet, edhe ai u përgjigj se është aty ku është Lazarati. Më tha që duhej të bëja një film, por iu përgjigja se nuk ishte e lehtë, pasi duheshin bërë shumë kërkime. Ai më nisi qindra linqe me shkrime për Lazaratin. U binda dhe thirra skenaristin dhe ndenjëm dy javë. Shkuam në Lazarat e folëm me njerëzit atje, ata u trembën se mbase po bënim reklamë të keqe, por u thashë se nuk do të ndodhë”, tregon producenti.

Posteri i filmit
Posteri i filmit

Iu desh të vinin katër herë në Shqipëri, të flisnin me njerëz, të bënin kërkime e për të zhvilluar një skenar të mbështetur mbi kronika lajmesh dhe rrëfime të vetë shqiptarëve. “Kur të shihni filmin, do ta kuptoni se ka histori të vërteta që kanë ndodhur”, thotë ai.

Por ai nuk mund ta fshehë zhgënjimin që provoi në kthim. Tashmë shumë gjëra kishin ndryshuar. Fushat nuk ekzistonin më. Kur u ktheva, pashë vetëm fusha bosh, shkova kur kishte mbaruar gjithçka, ngela në fakt pak i zhgënjyer.

“Kur u ktheva, pashë vetëm fusha bosh, shkova kur kishte mbaruar gjithçka, ngela në fakt pak i zhgënjyer”. Xhirimet do të nisin në muajin prill dhe pjesë e kastit do të jenë 3 aktorë amerikanë, 3 aktorë rusë, Gabril Garko, si dhe disa aktorë shqiptarë. Për këta të fundit ai thotë se e ka një listë, por për përzgjedhjen e tyre do të vijë vetë regjisori Kaufmann. Sa u takon emrave për të cilët është folur deri më tash, ai thotë se janë thashetheme.

XHIRIMET

Producentët e filmit shpresojnë që xhirimet të zhvillohen në Shqipëri dhe jo në ndonjë vend tjetër të Lindjes, si në rastin e “War dogs”, për të cilin realizuesit kishin shfrytëzuar periferitë e Bukureshtit.

Dhe në fakt në atë film kishte aq shumë Shqipëri dhe Gërdec, sa ç’mund të ketë në çdo film tjetër të Hollivudit, që as e ka haberin se ku bien këto vende. “Do të xhirojmë në Krujë, në male, në breg, dhe do të tregojmë bukurinë e Shqipërisë, bukurinë e vërtetë që askush s’e ka parë përveç vizitorëve”, thotë producenti ekzekutiv, sipas të cilit nisja e projektit ishte e vështirë, për shkak të një buxheti të limituar, që sipas tij kap një shifër prej vetëm 2 milionë dollarësh.

“Takova Kryeministrin dhe ai më premtoi se do të kishte një reduktim takse, që do të thotë se nuk paguajnë kompanitë që vijnë për të xhiruar në Shqipëri. Kjo bën që të ftohen më shumë filmbërës në Shqipëri dhe të vihet Shqipëria në hartën e filmave. Ju keni parë filmin “War Dogs”, ku ka një pjesë të vogël për Shqipërinë kur ripaketojnë plumbat; ata e filmuan në lagje të varfra të një vendi tjetër dhe e quajtën Shqipëri. Kjo ndodh shpesh, por mendoj se kjo është një mundësi që kanë shqiptarët për t’i treguar vendin e tyre një audience ndërkombëtare”, shton ai.

E megjithatë në film nuk mund të mos ketë xhirime në fusha të mbjella me kanabis. Nëse filmi do të xhirohet në Shqipëri, atëherë pajisjet do të vijnë nga Maqedonia, pasi këtu është e vështirë të sigurohen të gjitha pajisjet. Filmi mendohet të jetë gati në gusht ose shtator të vitit 2017 dhe do të shfaqet në SHBA e Europë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura