Gabimi i Mirelës

Mar 31, 2018 | 13:01
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

Po i referohem me emër Ministres së Kulturës, aspak sepse nuk jam etik në komunikim. E di që e ka shumë problem politesën dhe e mirëkuptoj. Zgjodha emrin thjesht për referencë të gabimit të personazhit të këngës së njohur për fëmijë, por sidomos për të vënë theksin në atë që shembja e teatrit sot, nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet e të trajtohet si një shkarravitje e urbanit të unazës.

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

Sot Mirela e madhe po shkarravit dhe po zhduk një pjesë të rëndësishme të urbanit tonë të historisë. Gabimi i Mirelës së Ministrisë është faj.

E ky nuk është as tekë fëmijërore, as profanizëm e as dëshirë kulturore, pa përjashtuar që është një keqpërdorje me dëshirë e vetë ministres nga shefi i saj. Aq keq është përdorur Ministrja, sa sot të gjitha ndërtimet në formë kulle, që janë parashikuar të ndërtohen përgjatë bulevardit, sikurse ajo pranë Presidencës, janë produkt-pasojë pikërisht e propozimit të saj për të ndryshuar hartën e qendrës historike të Tiranës. Mirela në fillim për Ramën shkarraviti ligjin.

Kjo hartë e miratuar me VKM në 2017, përndryshe nga harta e Ansamblit të monumenteve të kulturës së vitit 2000, la jashtë qendrës historike një pjesë të madhe të territorit, ku gjenden pjesa dërrmuese e objekteve historike të qytetit të Tiranës.

Ky veprim rrëzoi dhe statusin si godinë monument kulture të Teatrit brenda Ansamblit, duke i hapur rrugë kësisoj shembjes së tij dhe rrëmbimit të sipërfaqes së tij. Këto janë ato rastet e vjedhjeve me ligj,të tjetërsimit të pronës, që Kryeministri i ka shumë qejf dhe që i ka aplikuar rëndom në këto vite qeverisjeje.

Sot, ne fatkeqësisht, për këtë shkak, prej babëzisë e pangopësisë së Ramës e Kumbaros, kemi një qendër historike që nuk ka të përfshirë brenda as Teatrin Kombëtar, as Sarajet e Toptanasve e as murin kryesor të Kalasë. Një absurditet kulturoro-historik ky i paprecedentë për një kryeqytet që këto objekte i ka me gishtat e dorës.

E gjithë zallamahia kryeministrore e ministrore për një teatër fashist, musolinian, kancerogjen e lloj-lloj përcaktimesh e argumentesh absurde, është thjesht një grabitjeëndërr e Kryeministrit, i cili ka qenë i investuar personalisht që prej vitit 1999, kur mbante detyrën e ministrit të Kulturës e më pas në 2012-ën kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës e tani si kryeministër, për të përfituar nga trualli shumë i vlefshëm i Teatrit.

Argumentet e Mirelës nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë shtuar fajin e Mirelës. Me Kryeministrin kanë ndërtuar tashmë një duet ku njëri e hedh dhe tjetri e pret, pa dashur që të tjerët të marrin vesh se kur do bëjnë e si do ta bëjnë. Kur donte të degdiste artistët drejt Turbinës, Mirela premtoi që Teatri nuk do shembet. Komisionit të Edukimit iu përgjigj që nuk ka as studim fizibiliteti e as projekt. Komunitetin e artistëve u mundua ta përçajë dhe ta etiketojë. Por nga ana tjetër, në pokerin e interesave u zbulua “As-i nën mëngë”-projekt i Bashkisë.

Ky projekt i shoqëruar me kafe, u përdor për të sfumuar protestën e artistëve dhe mori statusin e të mirëqenurit, sapo u prezantua më pas nga vetë Rama, megjithëse kishte gati një vit që ishte paguar nga firma e interesuar e kullave. Për koincidencë që nuk është e tillë, pikërisht aq muaj sa kishte hyrë në fuqi VKM-ja e porositur e 2017-ës. Ky i fundit, në një retorikë të huazuar nga hartimet e kohës së fashizmit, deklaroi me pompozitet se “teatri do shembet dhe mbi gërmadhat e tij do ndërtohet teatri i ri”.

N.q.s kryeministri do të ishte i sinqertë, ai duhet të pohonte qartazi që mbi gërmadhat e teatrit do të ndërtoheshin shtatë kullat e interesave të drejtpërdrejta financiare të tij, në tokë publike. Kulla këto, që do rrëmbejnë gati 3000 m2 të Teatrit dhe që në raport me sipërfaqen dedikuar atij, do të zaptojnë gati 80% të sipërfaqes totale të ndërtimit brenda perimetrit të truallit të Teatrit. Dikur, kur ishte kryetar bashkie, thuhej që Rama merrte 20% për xhepin e vet dhe lejonte 80% për pronarët e ndërtuesit.

Tani që është Kryeministër, e ka bërë me invers. I jep 20% pronarit publik (Teatrit) dhe mban me ndërtuesin 80% për vete. Megjithatë, përsëri Mirela fajtore nuk u dorëzua. Për të, projekti i studios daneze nuk ishte projekt, por një koncept-ide, një projekt-ide. Këtë qëndrim u mundua ta paraqiste dhe në seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar, të cilën e kishte refuzuar disa herë rresht dhe së cilit iu shmang me një përpjekje qesharake, për të fshirë fajin e saj me “çmendurinë” kryeministrore.

“Harroi” që ky projekt bie ndesh dhe me vetë VKM-në grabitqare të 2017-ës, e cila në rregullore pohon se “çdo ndërtim në zonën e e mbrojtur duhet të jetë në harmoni me godinat përreth”. Po se ç’harmoni mund të kenë shtatë kullat moderne e një Teatër futurist me godinat italiane të ministrive dhe të sarajeve të Toptanasve, vetëm Rama duhet ta dijë.

Faji i Mirelës nuk mbaron këtu. Ai shtohet akoma më shumë po ta shohësh në krahasim me qëndrimet e vetë artistëve. Këta janë të bindur në vlerën e papërsëritshme historike, kulturore e shpirtërore të Teatrit dhe nuk heqin dorë nga shtëpia e tyre. Larg kullave e larg politikës, ato janë busulla që duhet ndjekur. Vetëm ata me dëshirën e tyre të palëkundur për të ruajtur Teatrin, mund të fshijnë fajin e shkarravitur, në autobusin e nisur të historisë së Mirelës dhe jo Kryeministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura