Gabimet në udhëzimin për tekstet shkollore

Apr 26, 2015 | 21:15
SHPËRNDAJE

PROF.DR.BAHRI BECI  
Lexova me interes udhëz imin e ministres së Arsimit për botimin (ose më saktë hartimin dhe miratimin) e teksteve të reja shkollore për vitin 2015-2016, po u befasova.
-Pse? -do të pyesni ju.
E para, për ato që në udhëzim emërtohen si afatet kohore të zhvillimit të konkursit: Shpallja e konkurrimit: 20 prill 2015 Dorëzimit i teksteve shkollore: 18 qershor 2015 Shpallja e fituesve: 30 qershor 2015
Pra, vetëm dy muaj afat për hartimin e një teksti të ri shkollor. Njësoj si Ministria paraardhëse, kur hapi konkursin për tekstet para këtyre, po edhe kur hapi konkursin për abetaren e ashtuquajtur “kombëtare”. Duhet të jesh tepër naiv që të pranosh se brenda dy muajsh mund të hartohet një tekst i ri sipas standardesh të reja (është hera e parë që kërkohet që tekstet e reja të hartohen mbi bazën e standardeve) ose të mos jesh sa duhet i përgjegjshëm për misionin që ke marrë përsipër të kryesh.

Pra, hartim tekstesh të reja mbi bazë standardesh e programesh të reja për 2 muaj, është mision i pamundur. E dyta u befasova për tekstet e reja që planifikohen nga MASH-i të hartohen për klasën e parë të arsimit fillor: a) Tekstet e klasës së parë të arsimit fillor sipas udhëzimit:

1. Matematikë
2. Dituri natyre
3. Edukim për shoqërinë
4. Edukim fizik. Pra, udhëzimi e ka përjashtuar hartimin e një teksti të ri për Gjuhën shqipe në klasën e parë,.

-Me çfarë argumenti? – do të pyesni ju.
-Me “argumentin” se para një viti është konkurruar për të ashtuquajturën abetare “kombëtare”, do të mendoja unë. Abetarja e ashtuquajtur “kombëtare”, e aprovuar nga MASH-i i mëparshëm, në të vërtetë është një abetare e hartuar në vitet ‘90 mbi bazën e parimeve të viteve shtatëdhjetëtetëdhjetë dhe e modifikuar herë pas here. Në kuadrin e konkursit për të ashtuquajturën abetare “kombëtare”, abetarja e viteve ‘90 e ndërtuar mbi bazën e parimeve të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë brenda dy muajsh në kuadrin e konkursit u bë abetare “kombëtare” e katër autorëve (dy nga Shqipëria e dy nga Kosova) po kjo nuk e ka tjetërsuar atë në një abetare të re bashkëkohore e aq më pak në një abetare “kombëtare” a të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Po të kemi parasysh kriteret e hartimit dhe mënyrën shumë problematike të vlerësimit të saj (këtu pikëpyetjet janë të shumta) fetishizimi i kësaj abetareje përmes epitetit “kombëtare” (kupto të detyrueshme dhe të pakonkurrueshme) dhe hedhja në kosh e abetareve të tjera, përfshirë edhe abetaren që doli me një “pikë” diferencë nga abetarja “fituese”, e bën shumë shqetësues fetishizimin e saj dhe shpalljen si abetare “kombëtare”.

Në asnjë vend të botës nuk quhet abetarja “kombëtare”, madje as edhe “abetare” për një arsye të thjeshtë se libri i Gjuhës së klasës së parë sot nuk konceptohet si një libër që u mëson fëmijëve vetëm alfabetin, po si një libër që i mëson ata të flasin, të lexojnë dhe të shkruajnë tekste. Për këtë arsye libri i gjuhës amtare i klasës së parë në vende të tjera ka emra të së autorit. E treta, pretendohet që ky udhëzim mbështetet në nenin 47 të ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” Ja neni 47 për tekstet shkollore : 1. Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
 2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.
3. Tekstet për nxënësit sigurohen nga subjektet botuese, përmes një procesi konkurrimi të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit….”. Emërtimi i një abetareje si “abetare kombëtare” jo vetëm nuk qëndron në vetvete, po bie në kundërshtim me nenin e mësipërm, sepse i jep një abetareje (cilado qoftë ajo) një status të veçantë në serinë e teksteve shkollore. E hyjnizon, e bën të detyrueshme, të pakonkurrueshme dhe për pasojë në kundërshtim me neni 47 që thotë se “Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve”. Pra, pyetja që lind këtu është se a do të ketë vetëm një abetare në shkollat tona apo më shumë. Në qoftë se MASH-i vendos të ketë një abetare “kombëtare” (kupto të detyrueshme dhe të pakonkurrueshme), çka bie në kundërshtim me ligjin, atëherë për të gjitha seritë e librave dhe për të gjitha klasat duhet të ketë një libër të detyrueshëm dhe të pakonkurrueshëm për çdo lëndë që do ta zgjedhë MASH-i. Kjo, jo vetëm që kërkon të ndryshohet neni 47, po për mua do të ishte një nismë e rrezikshme në kushtet e sotme.

Pra, ky nen parakupton që, kur hapet një konkurs për libra të rinj në dy ose më shumë klasa, në konkurs duhet të përfshihen librat e të gjitha lëndëve të asaj klase, aq më shumë në këtë rast, ku kërkohet që tekstet e reja të hartohen mbi bazën e standardeve dhe programeve të hartuara tërësisht të reja nga kjo Ministri. Në këtë kontekst, përjashtimi nga konkurrimi i hartimit të një teksti të ri për lëndën e gjuhës amtare në klasën e parë, është jo vetëm i dëmshëm dhe i papranueshëm, po edhe në kundërshtim me ligjin. Një MASH i ri me pretendime për të bërë një përmbysje a rilindje në fushën e arsimit, nuk ka arsye të përligjë e fetishizojë (duke e pranuar si “kombëtare”) një abetare të hartuar mbi bazën e parime të viteve shtatëdhjetë– tetëdhjetë. Dhe ajo më e çuditshmja dhe më e papranueshmja është se abetarja e ashtuquajtur “kombëtare” është hartuar mbi bazën e një programi të vjetër, të hedhur poshtë nga po nga kjo Ministri. Është hera e parë që MASH-i boton dhe kërkon që tekstet e reja të ndërtohen mbi bazën e standardeve. Dhe nuk ka arsye që edhe teksti i Gjuhës shqipe të klasës së parë të mos hartohet mbi bazën e këtyre standardeve. Ky qëndrim i dyzuar i MASH-it është, jo vetëm i papranueshme, po edhe me pasoja për mësimin e Gjuhës amtare në shkollë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura