G20-pandemia dhe ekonomia, angazhim për bashkëpunim më rezultativ

Nov 24, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

ANASTAS ANGJELI

Anastas-Angjeli

Gjatë gati një viti, e veçanërisht në këtë periudhë ku ritmet e efekteve të pandemisë Covid-19 janë në kulmin e rritjes së tyre, dhe pasojat ekonomike, me gjithë paketat e ndihmës dhe masat e marra nga qeveritë, organizmat ndërkombëtare ekonomike e financiare që çështjet e pandemisë dhe ekonomisë të jenë dhe mbeten në qendër të vëmendjes së liderëve të shteteve më të zhvilluara dhe jo vetëm, institucioneve më të rëndësishme ekonomike e financiare ndërkombëtare, mediave e rrjeteve sociale më me emër në botë, shkencëtarëve dhe ekspertëve më të dëgjuar etj. Samite, konferenca, debate, nisma dhe vendimmarrje të njëpasnjëshme kanë shoqëruar zhvillimet, efektet e pandemisë Covid-19, ndikimet dhe pasojat humane, sociale e ekonomike në shkallë globale dhe në çdo vend.

Këtij qëllimi i shërbeu edhe Samiti i G20-ës i kësaj fundjave (21-22 nëntor) që u zhvillua në Arabinë Saudite si vend organizator dhe mikpritës, edhe pse, siç është bërë praktikë gjatë këtij viti të pandemisë, edhe ky Samit u zhvillua në versionin online. Kryefjala e takimeve virtuale të zhvilluara gjatë dy ditëve të Samitit si edhe e deklaratës së nënshkruar nga të gjitha vendet në përfundim të tij nuk mund të ishte tjetër, veçse pandemia dhe ekonomia taksimi ndërkombëtar etj.

Edhe ky Samit, ashtu si edhe ai i muajit mars të këtij viti, vendosi theksin pikërisht te përpjekjet e përbashkëta të vendeve të G20 për përballimin e pandemisë dhe të pasojave që ajo ka si në ekonomitë e vendeve të G20, ashtu edhe në ekonominë globale në tërësi. Gjatë këtij Samiti, ashtu siç u duk edhe nga deklarata e përbashkët, vendet e G20 u përpoqën të ravijëzojnë drejtimet kryesore të politikave të përbashkëta të nevojshme për ditën e nesërme, pra, për një periudhë post-Covid me fokus kryesor Zbatimin e Rregullave Ndërkombëtare të Shëndetit, përpjekjet e përbashkëta për furnizimin e të gjithë vendeve me vaksinën anti-Covid (vendet e varfra falas), arkitekturën e re financiare, iniciativën e pezullimit të borxhit, tregtia dhe investimet, ekonomia dixhitale dhe ekonomia e gjelbër,

Vendet e G20 përsëritën angazhimin e tyre për të bërë gjithçka që është e mundur për të luftuar pandeminë e koronavirusit, duke paralajmëruar se rimëkëmbja globale mbetet e pabarabartë, shumë e pasigurt dhe e prekshme nga rreziqet në rritje. Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e 20 vendeve më të fuqishme në botë theksuan se kriza shëndetësore ka goditur rëndë pjesët më të prekshme të shoqërisë dhe theksuan se disa vende do të kenë nevojë, përveç ngrirjes së pagesave të interesit, edhe lehtësimin e borxheve. Gjithashtu, theksuan se janë mobilizuar burime për të adresuar nevojat e menjëhershme të financimit për shëndetin global dhe për të mbështetur kërkimin, zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e sigurt të vaksinat efektive COVID-19. Gjatë punimeve dyditore u theksua nevoja urgjente për të vënë nën kontroll përhapjen e virusit, e cila është thelbësore për mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike globale si dhe u ritheksua vendosmëria për të vazhduar të përdoren të gjitha mjetet dhe politikat e nevojshme për të mbrojtur jetën e njerëzve, vendet e punës dhe të ardhurat; për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike globale dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar.

Ashtu siç është bërë traditë tashmë, deklaratat e bëra në Samite të tilla, më shumë se politika konkrete, gjenerojnë angazhime politike shumëpalëshe, megjithatë edhe këto angazhime nuk mund të thuhet se janë të parëndësishme. Çdo angazhim politik, qoftë edhe në forume të tilla të larta, pavarësisht se për t’u kthyer në politika konkrete kërkojnë kalimin e një tërësie procedurash institucionale në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, mbetet një pikënisje shumë e rëndësishme e një procesi të gjatë politikëbërjeje.

Ja cilat ishin më konkretisht pikat kryesore të deklaratës së përbashkët, të publikuar në përfundimin e punimeve të këtij Samiti.

Një pikë e rëndësishme e deklaratës ishte angazhimi për zbatimin e Iniciativës së Pezullimit të Shërbimit të Borxhit (Debt Service Suspension Initiative, DSSI). Vendet që janë pjesë e kësaj iniciative, do të mund të pezullojnë pagesën e borxhit të tyre. Sipas raportimit paraprak të FMNsë, kjo iniciativë ka lehtësuar shumë vende të varfra që të bëjnë shpenzime që lidhen me pandeminë. Janë rreth 46 vende, të cilat kanë përfituar nga kjo iniciativë.

Në lidhje me shëndetësinë, vendet e G20 mbeten të angazhuara për të përmirësuar zbatimin e Rregullave Ndërkombëtare të Shëndetit si dhe për të mbështetur vendet që janë në nevojë. Nëpërmjet deklaratës, vendet e G20 theksojnë rëndësinë e mandatit të agjencive të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht Organizatës Ndërkombëtare të Shëndetësisë.

Në lidhje me tregtinë dhe investimet, deklarata e përbashkët e G20 përmban një angazhim për të mbështetur tregtinë e lirë, të drejtë, jo diskriminuese dhe të qëndrueshme. Gjithashtu, vendet e G20 zotohen për të mbajtur tregjet e tyre të hapura dhe për të përmirësuar ambientin e biznesit. Të njëjtin angazhim zotohen të kenë edhe në lidhje me transportin dhe udhëtimet ku sigurimi i rrugëve të transportit dhe i zinxhirit të furnizimeve mbeten prioritete. Gjithashtu, vendet zotohen që çdo masë kufizuese që lidhet me pandeminë të jetë transparente, e përkohshme dhe në linjë me detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Për sa i përket arkitekturës financiare ndërkombëtare, vendet e G20 mbeten të angazhuara për të siguruar një rrjet global financiar të sigurt, me FMN-në në qendër të tij. Ritheksohet vendosmëria për të çuar përpara procesin e reformimit të qeverisjes së FMN-së deri në 15 dhjetor 2023.

Në deklaratë ritheksohet rëndësia e madhe që ka infrastruktura si një nxitës i rritjes dhe mirëqenies. Infrastruktura konsiderohet thelbësore për promovimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë. Vendet e G20 mbështesim iniciativat e ndërmarra gjatë këtij Samiti siç është Axhenda e Infratech e Riadit (G20 Riyadh InfraTech Agenda), e cila promovon përdorimin e teknologjisë në infrastrukturë, me qëllim përmirësimin e vendimeve për investime, rritjen e vlerës për paranë dhe promovimin e investimeve cilësore në infrastrukturë për e rezultate më të mira në fushën sociale, ekonomike dhe mjedisore.

Ekonomia dixhitale vazhdon të mbetet një prioritet për G20-ën. Në deklaratën e përbashkët duket qartë mbështetja për një ekonomi dixhitale të hapur, si një katalizator për rritjen e qëndrueshme dhe inovacionin.

Çështjet e taksimit ndërkombëtar, luftës ndaj korrupsionit, luftës ndaj pastrimit të parave, mbështetja ndaj hapjes së vendeve të reja të punës, luftës ndaj diskriminimit të grave, mbështetje së arsimit dhe turizmit, mbrojtjes së ambientit ashtu siç ka ndodhur edhe në Samitet e mëparshme të G20 u përmendën edhe në deklaratën e përbashkët të këtij Samiti.

Edhe ky Samit, duke marrë parasysh kushtet e jashtëzakonshme, në të cilat ndodhet bota si pasojë e pandemisë, tregoi edhe një herë angazhimin e palëkundur të vendeve të G20 për të bashkëpunuar në fushat me interes global. Përvoja ka treguar që realiteti shpeshherë e tejkalon optimizmin e deklaratave të përbashkëta. Por le shpresojmë që sfidat tepër serioze, me të cilat po përballet njerëzimi, do të shërbejnë si katalizator për një bashkëpunim ndërkombëtar me rezultativ. Sepse problematikat e shkaktuara nga pandemia do të mund të përballen vetëm në mënyre kolektive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura