Hyrja në kafe me certifikatë vaksinimi?/ Manastirliu e mbështet idenë: Si futen në një lokal në Evropë? A kërkojnë me Green Pass? Edhe ne do ta…

Nov 4, 2021 | 11:50
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, foli nga foltorja e Kuvendit mbi punën e bërë nga strukturat shëndetësore në përballimin e pandemisë së Covid-19. Teksa theksoi se Ministria e Shëndetësisë është e përgatitur për çdo lloj skenari të mundshëm në të ardhmen, Manastirliu u përqëndrua kryesisht te procesi i vaksinimit.

Manstirliu-ogerta-Kuvendi-Parlamenti_Vaksinimi

Sipas saj ritmet e fushatës së vaksinimit nuk janë aty ku duhet krahasimisht me vaksinimet në Evropë. Kjo dhe për shkak dhe të kontekstit, ku qytetarëve europian u kërkohet certifikatë vaksinimi për të hyrë në kafe ose për të marrë shërbime, duke i bërë ata më të angazhuar për tu vaksinuar.

Manastirliu la të kuptohej se edhe në Shqipëri mund të përdoret certifikata e vaksinimit për marrjen e shërbimeve të tilla, me qëllim nxitjen e procesit të vaksinimit.

“Marrëveshja që ne kemi sjellë sot në Kuvend është për 500 760 vaksina. Më shumë se 200 mijë vaksina nga kjo kontratë kanë ardhur. Është një bashkëpunim shumë efektiv me kompaninë Pfizer, për të përfituar nga fitimi i vitit të ardhshëm dhe doza të tjera të vaksinës. Jo vetëm rritjen e mbulesës vaksinale për ata që nuk janë vaksinuar, por për të plotësuar nevojat për dozën e tretë dhe dozave përforcuese. Qeveria shqiptare është e angazhuar për t’iu përgjigjur përballjes me pandeminë. Dua të theksoj faktin se prej 18 muajsh po ndodh një përforcimi i strukturave shëndetësore.

1600 shtretër janë në dispozicion të qytetarëve,  të pajisur me linjat e oksigjenit dhe pajisjet e tjera jetëshpëtuese. Ne kemi skenarët e vënies në funksion të të gjithë sistemit shëndetësor nëse numrat e infektimeve do të shtohen. Më shumë se 4000 mjekë dhe infermierë janë mbështetur me bonusin prej 500 dhe 1000 euro për kontributin e dhënë në vijën e parë të luftës kundër pandemisë. Asnjë qytetar nuk ka mbetur pa ju dhënë shërbim, qoftë për sa i përket ndjekjes nga mjeku i familjes, qoftë nga strukturat e vendosura në spitalet Covid. Për informacion të qytetarëve, që në momentin e parë që jemi përgatitur për të shtuar kapacitetet, kemi shtuar 250 shtretër në spitalin Covid3 dhe Covid4.

Kjo nuk është zgjedhur nga një njeri as nga qeveria, por është udhëhequr nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe vendimet konsistente të tij.

Çdo strategji dhe skenarë që ne kemi përfshirë në planin e përgjigjes edhe për dy vitet në vijim, bazohet tërësisht në rekomandimet e ekspertëve dhe qeveria i është përgjigjur financiarisht kërkesave të tyre, në mënyrë që qytetarëve mos t’i mungojnë vaksinat dhe shërbimi. Sot kemi 1.9 milionë vaksinime të kryera. A jemi aty ku duhet? Pse nuk po ecim me ritme të shpejta? Patjetër që këtu duhet mobilizimi i të gjithëve. Prej disa javësh kemi nisur fazën e dytë të aksionit të vaksinimit, derë më derë dhe në çdo universitet. Mos harroni se kur krahasohemi me Evropën duhet të përmendim kontekstin. Si hyhet në një lokal në Evropë? A hyhet me Green Pass? Do ta vendosim Green Pass-in? Si shkohet në strukturat e tjera të shërbimit? Do ta vendosim Green Passin. E vendosëm në Universitete.

*I ndërhyn Alban Vokshi.

Ju lutem shumë mos bëni zhurmuesin se je dhe kryetare Komisioni. Ta kam thënë, duhet të kesh klas kur humb, duhet të kesh klas kur akuzon. Ki klas!”, tha Manastirliu

 

 

.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura