Futboll & Drejtësi

Jul 10, 2016 | 12:26
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Sot në darkë luhet ndeshja finale e Kampionatit Europian të Futbollit midis Francës e Portugalisë dhe ne, shqiptarët, si të gjithë europianët, do të ngulemi para  ekraneve të vogla të televizorëve ose para ekraneve gjigante të fan zone-ave për të bërë tifo, disa për Francën dhe disa për Portugalinë. Përqendrim, pritje, ankth, luhatje të theksuara emocionale… Cigare, birrë, baste, debate të zjarrta…

Klithma, ulërima, ofshama, të shara… Gëzim e hidhërim… Shpresë dhe zhgënjim. Gjithsesi, duke kaluar kështu nga një gjendje shpirtërore në tjetrën, harrojmë… Harrojmë hallet e përditshme… Harrojmë gati gjithçka, madje edhe vetveten. Në këto rrethana të pazakonta, jam i sigurt që po të ketë një ndërprerje furnizimi me energji të mbarë atdheut tonë të dashur kapitalist dhe tmerrësisht demokratik sonte nga ora 21:00 deri në orën 24:00, dhe sikur të nesërmen të kishte zgjedhje vendore a kuvendore, kandidatët e shumicës parlamentare do të rrezikonin të gjendeshin para surprizash fort të pakëndshme.

Sidoqoftë, nuk dua aspak të luaj rolin e Kasandrës dhe jam i bindur me 99,99 për qind se nuk do të ketë një ndërprerje të tillë, prandaj le ta shijojmë ndeshjen Francë-Portugali duke harruar, po e përsëris, gjithçka, deri edhe vetveten. Rrjedhimisht, duke harruar edhe një kampionat tjetër, kombëtar ky, por jo në stadiumet tona. Për cilin kampionat e kam fjalën dhe penën? Oh, e shoh që e paskeni harruar!

E kam fjalën për kampionatin e… Ah, në mos vriteni, të paktën plagoseni paksa mendjen, të dashur bashkatdhetarë! Që të mos e shpërdoroj durimin tuaj të tendosur, po e them që në krye të herës: E kam fjalën, pra, për Reformën në Drejtësinë tonë fatkeqe, mjerane e të gjorë, që është kthyer jo në stadium, por në arenë gladiatorësh ku po ndeshen dy ekipe të vendosura deri në fund për të korrur një fitore përfundimisht përfundimtare.

Në krye të njërit, Rama e Meta, emblemë dykrenore e së majtës shqiptare, të dy trajnerë e njëherazi lojtarë të pazëvendësueshëm, që merren vesh për mrekulli me njëri-tjetrin (ndonëse i pari ka qenë dikur basketbollist dhe tjetri peshëngritës); në krye të ekipit tjetër, Berisha e Basha, figura ballore të së djathtës shqiptare, i pari trajner e i dyti lojtar dhe, me gjasë, trajner i ardhshëm, të cilët, gjithashtu, merren shumë mirë vesh me njëri-tjetrin (ndonëse nuk kanë qenë ndonjëherë as basketbollistë e as peshëngritës).

Edhe në rastin e “kampionatit” shqiptar të Reformës në Drejtësi, arbitrat ose, më shqip, gjyqtarët, janë të huaj: nga Uashingtoni (kryesori) dhe nga Brukseli e Venecia (anësorët), dhe, deri tani, u kanë nxjerrë vetëm disa kartonë të verdhë dy ekipeve tona, çka i lë shtegun hapur edhe ndonjë njëmbëdhjetëmetërshi apo, akoma më keq, ndonjë kartoni të kuq në të dy krahët.

Sonte mbaron Kampionati Europian i Futbollit, atë do ta fitojë Franca ose Portugalia, pra, vetëm një ekip, kurse “kampionati” shqiptar i Reformës në Drejtësi do të zgjasë më shumë, sepse dy ekipet tona, e majta në pushtet dhe e djathta në opozitë, duan që të shpallen kampionë që të dyja njëkohësisht një herë e përgjithmonë! Ha, ha, ha!

Sa të paparë që janë! Gjithsesi, unë do të bëj çmos që, pas finales së sotme, të organizohet një takim midis Didier Deschamps-it me Antoine Griezmann-in dhe Fernando Santos-it me Cristiano Ronaldo-n, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, Ramës e Metës dhe Berishës e Bashës, me qëllim që të dyja palët tona të binden për ta lënë të përfundojë në barazim ndeshjen e Reformës në Drejtësi në mënyrë që spektatorët, pra, tërë shqiptarët, të kënaqen sadopak, ndryshe do të kemi nevojë, në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, për trajnerë e lojtarë të huaj me synim që rezultatet e ndeshjeve tona në “kampionatin” e mundimshëm të drejtësisë të mos falsifikohen sistematikisht në kurriz të popullit tonë qengj të urtë që nuk po pi asnjë nënë, jetimi i gjorë i kopesë së hallakatur midis barinjve të tij të sotëm, të cilët po ia qethin dhe, së shpejti, do t’ia rruajnë leshin mbi shpinë e nën bark deri në qimen e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura