Fushata prej bandilli e Edi Ramës për gratë

May 26, 2015 | 13:04
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

   Dy fytyrat më të spikatura që po shfaq Edi Rama në fushatën e tij elektorale, janë ajo e kërcënuesit në një anë dhe e seduktorit, joshësit të grave apo, për ta thënë me gjuhën popullore, e bandillit dhe jaranit në anën tjetër. Kërcënon zgjedhësit ngado ku shkon se nuk do të kenë fonde nëse votojnë kandidatët e opozitës, zhbalancohet dhe shtyhet në këtë shpërthim monist, deri në deklarata që do t’i konsideroja kriminale, siç është ajo se kandidatët e opozitës nuk kanë gjë në dorë, duke pohuar kësisoj kotësinë e zgjedhjeve, duke mohuar arsyen pse bëhen zgjedhjet, duke harruar se në fushatë garuesit janë të gjithë kandidatë, se fuqinë e kanë zgjedhësit, se zgjedhësit vendosin me votë cilit t’ia besojnë pushtetin, se fituesi, cilido qoftë, ka në dorë fuqinë e votës dhe të ligjit. Krimet e mendimit janë nganjëherë me të tmerrshme se krimet e pasionit, thotë studiuesi amerikan, Farid Zakaria.

Në anën tjetër, po ky Ramë e ka bërë refren t’u kërkojë votën grave në përgjithësi dhe atyre demokrate në veçanti me një lumë komplimentesh  për kthjelltësinë dhe epërsinë e tyre në krahasim me burrat, me lajka pa fund për forcën e tyre sunduese “kur mbyllet dera”, me batuta dykuptimëshe, politiko-erotike, të tipit “gratë e gjejnë me shpejt drejtimin e duhur”, me cilësime të tjera të zhargonit popullor, siç është ai që e quan zonjën e shtëpisë “ministre të brendshme”, police të familjes me fjalë të tjera, një përcaktim me lustër shakaje, por në thelb fyes që një kategori burrash e përdorin për t’u shtirur sikur janë shërbëtorët kokulur të grave të tyre dhe një kategori grash “të emancipuara” e tundin me mburrje si medalje trimërie. Mbrojtësit e klasit dhe dinjitetit të gruas neveriten me këto jehona të stilemave feministe, që ashtu si në komedinë e famshme të Molierit “Shkolla e grave”, u kërkojnë grave me qenë burra!

Të pranishmit në këto ekzibicione qeshin, disa nga budallallëku, disa sikur janë në estradë, disa të tjerë me idenë se kryetari po bën politikë të hollë. Të kuptohemi drejt: nuk kam asnjë vërejtje që Edi  Rama kërkon votën e grave. Është normale që një kryetar partie apo një kryeministër t’i drejtohet me përparësi një kategorie të caktuar  moshore, gjinore apo shoqërore, ku beson se ka më shumë mbështetje apo ku kërkon ta rrisë atë. Edhe shefi i opozitës, Lulzim Basha, po zhvillon një tur takimesh me rininë. Kjo nuk do të thotë se u ka hyrë në pjesë të tjerëve.

Çështja është si u drejtohesh, nga çfarë pozitash u flet dhe çfarë u propozon kategorive të preferuara. Më konkretisht, çfarë ka bërë Rama për gratë në përgjithësi dhe për gratë demokrate në  veçanti? Çfarë ka ndërmend të bëjë me tej për to që të pretendojë votat e tyre? Nga i vjen kjo shtytje dhe ky mëtim i padëgjuar që gratë dhe vajzat demokrate t’u kërkojnë burrave të tyre në shtrat apo “baballarëve që nuk mbushin” të votojnë për Edi Ramën?
Kuota pesëdhjetë për qind e përfaqësimit të grave në këshillat e  bashkive u vendos me konsensus. Për të nderuar të vërtetën duhet të themi se ishte PD që propozoi ngritjen nga tridhjetë në pesëdhjetë për qind, për çfarëdo të ishte trashanike, të kërkonte një shpërblim me votë, duke qenë se propozimi është bërë ligj me votat e shumicës.

Niveli i papunësisë në vend është më i lartë për gratë sesa për burrat. Gratë janë viktimat numër një të përkeqësimit të gjendjes së përgjithshme ekonomike dhe shoqërore në vend. Para se me qenë “ministre të brendshme”, ato janë amvisa, janë ministre të ekonomisë dhe ushqimit në familje dhe këtu ato e dinë çfarë heqin. Të gjitha rrugët përfundojnë në kuzhinë, të gjithë pjesëtarët e familjes i kanë sytë tek amvisa, ndërkohë që lekët janë pakësuar. Gratë shqiptare në përgjithësi janë viktima të vartësisë ekonomike nga burrat, viktima të  dëshpërimit që ofron një jetë e mbyllur, viktima të dhunës në familje. Këto janë temat e pashmangshme të takimit elektoral të një lideri politik me gratë apo për gratë. Të injorosh këto probleme, ti shohësh gratë kryesisht si qejflie, do të thotë t’i lëndosh dhe t’i poshtërosh ato.

Nuk ka asnjë sukses apo një shërbim të posaçëm të përfituar nga gratë gjatë këtyre dy viteve të fundit, që të përligjë votën e tyre në formë shpërblimi për kryetarin e qeverisë. Por, edhe po të kishim një situatë rozë me plot kuptimin e fjalës, pra edhe sikur grave, falë punës së qeverisë, të mos u dhembte koka për asgjë dhe mendja t’u rrinte natë ditë te ylli në krye të qeverisë, përsëri një yll me mend nuk mund t’ua kërkojë votën në një mënyrë kaq të pasjellshme, për të mos thënë të paturpshme, pa marrë mbrapsht zemërimin e tyre, duke i trajtuar si fanse budallaqe dhe duke u dhënë detyra si t’i kishte  vestalet e tij në shtëpitë e botës.

Është vërtet një fakt për t’u  studiuar se si zoti Rama, pasi lë të kuptohet se e ka në xhep votën e burrave, grave dhe vajzave socialiste, u është qepur grave dhe vajzave demokrate, të cilave u drejtohet sikur e di se çfarë kanë në mendje,  u jep detyra si t’i kishte punëtoret e veta, u kërkon t’u kthejnë mendjen burrave dhe etërve, nuk ka dert t’ua fyejë paraprakisht burrat dhe etërit nëse nuk do t’i konvertojnë dot në votues të Edi Ramës,  fut pyka në bashkëjetesën e tyre, e kështu me radhë. Pyetja është pse  vallë u drejtohet vetëm grave demokrate dhe nuk u drejtohet edhe  burrave demokratë? Nuk gjej asnjë shpjegim tjetër për këtë pretendim  diversionist të zotit Rama, përveçse të qenët i pushtuar nga mendimi se është një burrë seksi, që duke qenë ndërkohë edhe një burrë në pushtet, mendon se mund ta hedhë në tregun politik elektoral bindjen  sulltaniste se gratë e duan, vetëndierjen kazanovë, bandill, jaran, për të cilin gratë lënë kokën.

Një yll kinemaje apo sporti, siç janë në kohën tonë Bred Pit apo Kristiano Ronaldo, do të përqesheshin dhe do të përbuzeshin si të pagdhendur po të lëshoheshin kështu në  anonimatin e pafund të simpative femërore. Femrat pëlqejnë dhe duan të pëlqehen si të përveçme, jo si tufa e pulave të kotecit nga një gjel i fryrë. Burrat tërheqës e tregojnë klasin dhe edukatën duke i lënë gjërat në rrjedhën e tyre të natyrshme, pa rënë shumë në sy. Ky është një opinion. Nuk kam për qëllim të paralajmëroj dhe as t’u mësoj grave ndonjë gjë të panjohur. Shumë shkrimtarë më kanë bindur se gratë na njohin ne burrave me mirë sesa i njohim ne ato. Kam bindjen se në instancë të fundit nuk manipulohen as me premtime, as me shkelje syri.

Nuk kam për qëllim, po ashtu, të frenoj apo të ndryshoj zotin Rama dhe as dua të shfaq ndonjë mendim timin për paraqitjen e tij të jashtme. Jam indiferent ndaj faktit se ai vetë ka pasur disa përvoja martese dhe konkubinati, që mund t’i ndodhin njeriut në jetë. Thjesht e tregoj ketë episod të fushatës së Edi Ramës për gratë, nga më të shëmtuarit që unë kam parë ndonjëherë në ndonjë fushatë elektorale. E pse? Vetëm se zotëria, me sa duket, e mendon si një aset për t’u shfrytëzuar elektoralisht faktin se ka pasur disa përvoja martese dhe konkubinati. Nuk shoh arsye tjetër. Diskursi i tij diversionist, tani brenda familjes, deri në dhomën e gjumit, gëlon nga mungesa e respekti për gratë dhe na e paraqet nga një këndshikim tjetër megalomaninë e tij, që unë e mendoja të reduktuar sa për shkak të  vështirësive të mëdha që po kalon vendi në qeverisjen e tij, aq edhe për shkak të moshës që shkon. Por qenka rritur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura