Fushata “Bëni biznes të pastër”, Beqiraj: Partner me ata që zbatojnë ligjin

Mar 20, 2015 | 16:24
SHPËRNDAJE

Bizneset në regjim akcize do të jenë në fokusin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në fushatën “Bëni biznes të pastër”. Kjo e fundit synon ndërgjegjësimin e operatorëve, kryesisht atyre të tregtimit të pijeve alkoolike, për të qenë korrektë në zbatimin e pjesës që lidhet me pajisjen me pullë fiskale.

Irena Beqiraj

Gjatë ceremonisë së mbajtur dje me rastin e çeljes së fushatës, zëvendësministrja e Financave, njëkohësisht drejtore e përgjithshme e komanduar e Doganave, Irena Beqiraj, do të shprehej se kjo është faza e parë e cila do të pasohet me kontrollin për zbatimin korrekt.

“Nuk është një fushatë me anë të së cilës duam të gjobisim, por një fushatë me anë të së cilës të sigurojmë që të gjitha bizneset janë në përputhshmëri me ligjin dhe të sigurojmë një konkurrencë të pastër midis tyre. Ky është edhe qëllimi ynë kryesor. Ne duam të jemi partnerë të biznesit, por vetëm të atij biznesi i cili zbaton ligjin dhe bën biznes të pastër”, tha Beqiraj. Të pranishëm ishin dje edhe përfaqësues të konsulentit “Crown Agents” dhe të kompanisë koncesionare të prodhimit të pullave fiskale “SICPA”. Drejtori i programit të asistencës të “Crown Agents”, David Smith, tha se fushata është e nevojshme pasi nga agjentët në terren një ndër argumentet e hasura në rastet e shkeljeve të ligjit ka qenë ajo e mungesës së informacionit. Për këtë është përgatitur edhe një informacion i plotë. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave për Akcizën, Dritan Çekani, sqaroi dje edhe mënyrën si do të funksionojë fushata.

Sipas tij, faza e parë do të jetë sensibilizuese në gjithë zinxhirin e prodhimit dhe shpërndarjes, kurse e dyta ajo e kontrollit përmes teknologjisë për operatorët që përdorin pulla fiskale të falsifikuara.

“Faza e dytë do të jetë kontrolli në terren, menjëherë sapo fushata sensibilizuese të ketë përfunduar. Kontrolli në terren do të jetë ai që do të penalizojë subjektet të cilat mbajnë, tregtojnë, prodhojnë apo transportojnë produkte pa stemën fiskale. Gjithë bizneset, tregtarët dhe pikat që tregtojnë mallra me pullë fiskale, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, “Crown Agents” dhe “SICPA” do t’i pajisin me validatorë, me anë të të cilëve mund të verifikojnë pullat fiskale. Ato do të tregojnë nëse pulla është e rregullt, ose jo”, tha Çekani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura