Fushaj: Vllaznia rrezikon të merret peng, do futet politika

Jan 31, 2017 | 18:19
SHPËRNDAJE

Valter Fushaj është gati të rikthehet në krye të Vllaznisë. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-presidenti i kuqebluve tregon mënyrën se si ai mund të bindet për të qenë sërish njeriu që do të udhëheqë klubin drejt objektivave madhorë. Fushaj e cilëson dështim total administrimin e klubit në pesë vitet e fundit, ndërsa ngre një pikëpyetje të madhe nëse Bashkia e Shkodrës nuk saktëson se kush ka të drejtë të blejë aksione te Vllaznia.

Fushaj Valter

“Bashkia e Shkodrës, por gjithashtu edhe e Vlorës, janë të vetmet që nuk i respektojnë njerëzit që kanë investuar për shumë vite në futboll. Nëse do të futen për të blerë aksione gjithkush te Vllaznia, atëherë ju garantoj se futbolli në Shkodër mbaron një herë e përgjithmonë”, ka thënë ndër të tjera ish-kreu i klubit, që tifozët shkodranë e kanë mbështetur vazhdimisht, duke e parë si njeriun e duhur për një Vllazni që synon vendet e para.

Zoti Fushaj, si i keni parë zhvillimet më të fundit te Vllaznia, teksa Bashkia e Shkodrës ka njoftuar për nisjen e procesit të privatizimit të klubit…

Të jem realist, jam i informuar vetëm përmes mediave nga deklaratat që ka bërë kryebashkiakja për privatizimin. Ajo që konstatoj, është se po bëhet çmenduria më e madhe me Vllazninë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Bashkia kërkon të miratojë një buxhet shumë më të vogël për Vllazninë vetëm për privatizim. Nuk e kuptojnë se kështu janë duke e lënë klubin pa lekë. Kjo është gafa më e madhe që mund të bëhet. Në momentin që bashkia kërkon ta privatizojë klubin, atëherë duhet të jetë shumë korrekte, pasi i bie që te Vllaznia në sezonin e ardhshëm të ikin lojtarët cilësorë dhe të zëvendësohen me më të dobët. Pastaj do të kemi edhe dështim të fazave përgatitore në prag të kampionatit. Besoj se e keni parë çfarë i ndodhi pak javë më parë skuadrës.

E keni fjalën për minifazën në Ulqin…?

Po, po. Shkuan në Ulqin të kursejnë lekë dhe nuk dinin çfarë bënin aty. Administratori aktual është i dështuar, bashkë me të tjerët që kanë pasur këtë detyrë ndër vite. Pesë persona ka vënë bashkia dhe të gjithë kanë dështuar në menaxhimin e klubit Vllaznia.

Gjithsesi, në njëfarë mënyre, bashkia është dorëzuar dhe ka pranuar që klubi do të shitet brenda vitit. Ju jeni i interesuar?

Natyrisht që kam pasur interesim për të investuar te Vllaznia edhe pak kohë më parë, por kam kuptuar që bashkia kërkon ta mbajë vetë klubin dhe në këto kushte nuk jam afruar.

fushaj vajushi

OK, por tani hapat janë konkretë për privatizimin e klubit…

Zyrtarisht si një ish-drejtues i klubit që kam investuar për tetë vite, nuk më kanë thënë asgjë nga bashkia. OK, thonë që do të shiten aksionet, por nuk saktësohet mënyra se si. Bashkia duhet të dalë dhe të thotë se kush ka të drejtë të blejë aksione në klubin e futbollit. Bashkia duhet të vendosë klauzola për mënyrën se si dhe kush do t’i blejë këto aksione. Pastaj, është në nderin e kësaj bashkie që të tregojë mirënjohje ndaj atyre që kanë investuar për shumë vite te Vllaznia. Një prej tyre jam unë, që e kam mbajtur klubin për 8 vite.

Çfarë i druheni më shumë në këtë proces madhor për klubin?

Nëse do të hyjë për të blerë aksione gjithkush te Vllaznia, atëherë ta garantoj unë se në lojë do të futen edhe njerëzit e politikës. Por, nëse ndodh kështu, futbolli në Shkodër mbaron një herë e përgjithmonë. Personalisht e konsideroj qesharake nëse unë do të futem në këtë garë si i barabartë me një që nuk mund të ketë kontribuar aspak në klub. Nëse bashkia do të më vendos në kushte të barabarta me të tjerët, atëherë do të ishte një mosmirënjohje e madhe. Unë jam i interesuar të blej aksione, por nuk e di se si do të kryhet ky proces.

Ju thatë që bashkia ka dështuar me klubin, por ndërkohë fondi për Vllazninë ka jo i vogël në këto vite. Është thjesht çështje menaxhimi?

Di që bashkia ka harxhuar çdo vit nga 500 milionë lekë që në momentin kur unë kam lënë klubin. Në pesë vite që unë isha president, bashkia më ka dhënë gjithsej 400 milionë lekë të vjetër, pra nga 80 milionë lekë fond për çdo vit, bashkë me administrimin e akademisë Vllaznia, që ishte model. Tashmë këta duhet të kuptojnë se çfarë mirënjohje duhet të kenë për mua, që u kam kursyer në pesë vite plot 2.1 miliardë lekë nga buxheti i bashkisë. Pra, që ta kuptojë i gjithë opinioni sportiv në Shkodër, sot bashkia është -2.1 miliardë lekë, vetëm se sepse ka dashur ta mbajë klubin me kokëfortësi.

Pse mendoni se bashkia ka dashur ta mbajë klubin me kokëfortësi?

Më vjen shumë keq, pasi shikoj që bashkia ka menduar gjithnjë se ka një garë me mua, duke menduar pse mos ta mbajnë vetë, pasi e bëjnë më mirë. Po ju them publikisht, me mua si Valter nuk kanë asnjë garë, por të shikojnë si rival kundërshtarët që kanë në kampionat.

Ju vetë e keni bërë një bilanc se sa keni investuar në 8 vite te Vllaznia?

Kam harxhuar pa fund, por një bilanc nuk e kam bërë. Pa llogaritur tre vite si zv.president, mund të them se kam investuar miliarda dhe kam ditur ta menaxhoj më së miri klubin. Gjithsesi, unë di të them se Bashkia e Shkodrës, por gjithashtu edhe ajo e Vlorës, nuk i respekton njerëzit që kanë investuar për shumë vite në futboll. Janë të vetmet qytete që nuk kanë ditur t’i vlerësojnë njerëzit që e kanë mbajtur gjallë futbollin. Situata në Shkodër është identike si në Vlorë. Tani është momenti që klubi t’i jepet një personi që e njeh sportin, që di t’i menaxhojë mirë situatat dhe që ka dhënë prova në të kaluarën.

valter fushaj

Jeni gati të merrni në dorë fatet e klubit?

Siç e thashë edhe më lart, jam i interesuar, por dua të vlerësohem, pra të kem një lloj të drejte për atë që kam dhënë te Vllaznia. Nëse unë do të jem si i barabartë, atëherë nuk blej qoftë edhe një aksion. Nuk mund të futem në ankand pa pasur rrethana lehtësuese si një ish-president që ka sjellë edhe trofe në Shkodër. Unë nuk kam investuar te Vllaznia për t’u marrë me politikë. Jam tifoz i kësaj skuadre dhe kam shpenzuar shumë para, kohë dhe mund. Vllaznia është në zemrën time dhe gjithçka e kam bërë me një pasion të madh.

Më lart përmendët faktin se mund të ndërhyjë politika për të përdorur klubin. A mund të jeni pak më i qartë?

Nëse nuk do të ketë disa sqarime se kush ka të drejtë të blejë aksione, atëherë po ju them me siguri se Vllaznia do të merret nga dikush për t’u përdorur për të tjera gjëra. Këtë ua kam thënë direkt edhe drejtuesve të bashkisë, që duhet të kenë kujdes, sepse e di shumë mirë çfarë do të ndodhë. Ka për të humbur vlera dhe do të shkojë gjithçka dëm. Ka për të blerë dikush 10%, dikush 20% dhe do të përdoren emra të ndryshëm, që nuk kanë lidhje me atë të vërtetin që ka marrë aksionet. Prandaj insistoj që bashkia duhet të më japë të drejtë, pasi e kam treguar me vepra se çfarë mund të bëj për Vllazninë.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura