“Furtunë” te skuadra e Kategorisë së Parë, klubi pezullon katër lojtarë

Oct 22, 2019 | 10:40
SHPËRNDAJE

Analizë me tone të larta te Devolli pas humbjes me Turbinën në Cërrik. Përfundimi? Katër futbollistë të pezulluar nga drejtuesit e klubit dhe bëhet fjalë për portierin Hektor Mali, mesfushorët Mikea Avdillari dhe Ronaldo Isufi, si dhe sulmuesin Paolo Ivani, autor i 3 golave deri tani.

devolli

Diçka e papritur, duke parë paraqitjen dhe pikët që Devolli debutues në Kategorinë e Parë ka grumbulluar në këto 5 javë të para të kampionatit. Sipas drejtuesve të klubit të Devollit, këta futbollistë nuk kanë pasur impenjimin e duhur në ndeshjen e fundit, ku ka ardhur edhe humbja e parë e kampionatit. Në analizë ka marrë pjesë edhe presidenti i skuadrës, kryebashkiaku i Bilishtit, Eduard Duro.

devolli

Diskutimet në këtë mbledhje të gjatë kanë qenë me tone të larta. Për momentin, masa ndëshkuese është pezullim dhe sot pritet të mësohen më shumë në lidhje me këtë çështje, nëse lojtarët e përmendur më sipër do të qëndrojnë përkohësisht të pezulluar, apo do të largohen nga Devolli. Gazeta mëson se ata do të stërviten me grupin këto ditë. Në fakt, skuadra bilishtare qëndron në pozita të mira në klasifikimin e Grupit B, në vend të tretë, bashkë me Apoloninë, me nga 10 pikë, ndaj dhe nuk pritej që të kishte masa. Por drejtuesit bilishtarë nuk pajtohen me rezultatin dhe kanë fajësuar katër futbollistët e pezulluar, Malin, Avdillarin, Isufin dhe Ivanin, që të gjithë nga qyteti i Korçës.

BRAZILIANI PAIVA

Nga Devolli ndërkohë është larguar sulmuesi brazilian Franc Paiva. Një largim që nuk ka lidhje me ndeshjen e fundit. Braziliani, sipas asaj që mësohet nga klubi bilishtar, ka probleme familjare dhe ka kërkuar vetë të largohet.

Thanas Gjata

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura