“Furtuna sapo ka filluar”- Paralajmërimi i kreut të Kadastrës për grabitësit e pronave: Shkon Lamja natën djeg regjistrat, mos dëgjoni broçkulla!

Jun 25, 2022 | 12:16
SHPËRNDAJE

Kreu i Kadastrës ka paralajmëruar se “furtuna sapo ka filluar” për të gjithë ata që kanë vendosur duart në regjistrat e pronave.

Teksa shpërndante legalizimet në Synej, Artan Lame shprehu bindjen se “Prokuroria do t’i hyjë me themel kësaj çështje” dhe do jetë një kalvar dhe proces i gjatë kontrolli për ta.

Ai siguroi të gjithë qytetarët që kanë me letra e djersë, prona e tyre do të jetë e sigurt, duke iu drejtuar: “Mos dëgjoni broçkullat poshtë e përjetë, jo i dogji, jo ngrihet natën, jo shkon Lamja natën djeg regjistrat”.

Artan Lame: “Dua të garantoj të gjithë qytetarët se prona e tyre, kushdo që e ka me letra dhe me djersë është e sigurt. Mos dëgjoni broçkullat poshtë e përjetë, jo i dogji, jo ngrihet natën, jo shkon Lamja natën djeg regjistrat. Prona e qytetarëve është e sigurt, unë dola në televizor dhe inventari është bërë pikërisht për këtë gjë. Është vënë një ditë zero, nga këtej nuk ndodh më asgjë, Prokuroria të vijë e të kontrollojë çfarë është bërë nga kjo ditë e më përpara, neve garantojmë që me pronën nuk luhet më. Ama të gjithë ata që kanë vendosur dorë mbi ato arkiva, të gjitha organizmat zyrtare të këtij shteti kanë të drejtën e Zotit të vijnë dhe ti kontrollojnë, e të kërkojnë llogari. Rrini të qetë për pronën tuaj të ligjshme, jam i bindur që Prokuroria do i hyjë me themel dhe ta vazhdojë këtë hetim, por unë besoj, s’më takon mua se nuk bëj parashikime të paprovuara, do jetë një histori shumë e gjatë, një furtunë që sapo ka filluar, furtuna e kontrollit se çfarë është bërë në vite dhe dekada me regjistrat e pronave. Do jetë një kalvar i gjatë dhe një proces i gjatë kontrolli për ta.”

 

© Panorama.al

Te lidhura