“Furgoni” i Erenik Beqirit shfaqet në Tiranë, një grusht prej viteve të tranzicionit

Sep 20, 2019 | 13:06
SHPËRNDAJE

Do të mjaftonin 15 minuta për të ndjerë grushtin brutal të viteve të tranzicionit në stomak. 

the-van

Mjaftojnë 15 minuta për të kuptuar dramën e pamundësisë. U shfaq mbrëmë në kinema “Millenium”, filmi me metrazh të shkurtër “The Van”. Një produksion shqiptaro-francez, me regji të Erenik Beqirit dhe interpretimin e aktorëve Phénix Brossard, në rolin e djalit, Arben Bajraktarin atë të babait, Lulzim Zeqja në të sekserit, etj.

Filmi zhvillohet në Shqipërinë e tranzicionit, ku ëndrra e shumicës së të rinjve është të largohet nga vendi. Anglia është një tokë e premtuar për shumëkënd, por që të shkosh atje duhen para, shumë para. E si mund të sigurosh disa mijëra euro me punën e një punëtori ndërtimi?! Cila është zgjidhja!? Ndeshje të paligjshme boksi.

Nga filmi "The van" me regji të Erenik Beqirit
Nga filmi “The van” me
regji të Erenik Beqirit

Por nuk janë thjesht ndeshje. Gjetja e organizatorëve është makabre. Ndeshjet zhvillohen në një furgon në lëvizje, i cili ndalon vetëm kur njëri prej lojtarëve do të shtrihet në shesh.

Një herë një sy i nxirë, një hundë e shtypur, njolla në trup… Edhe një ndeshje tjetër, edhe një… Por deri kur trupi nuk do të të tradhtojë!? Një prind që kërkon të të ndihmojë, por ti je zhytur aq shumë sa që nuk mundesh të dalësh më Fundi?! A mund ta paguash udhëtimin me gjakun e babait?! Beqiri e mbyll filmin kur at e bir hyjnë në furgon. Frymëmarrja e rënduar është e fundit që shuhet, teksa dalin titrat.

Rruga drejt festivaleve Publiku shqiptar ndjen në stomak çdo grusht që merr i riu, protagonist i filmit. Por duket se kjo histori i ka bërë jo pak përshtypje publikut të huaj. Emigracioni, nevoja për të lënë vendin për shkaqe ekonomike ose politike, tashmë është një plagë globale.

Nga filmi "The van" me regji të Erenik Beqirit
Nga filmi “The van” me
regji të Erenik Beqirit

Dhe ai furgon nuk është thjesht dhe vetëm shqiptar. Kjo është arsyeja pse filmi, i cili nuk është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por më pas ka pasur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, për të ndjekur jetën e vet nëpër festival, ka tërhequr vëmendjen e publikut të huaj dhe të jurive. Nuk ishte e rastit që mes një shumësie filmash nga e gjithë bota, ai u zgjodh në 9 filmat që garë për “Palmën e Artë” në një nga festivalet më të rëndësishme kinematografike në botë, në atë të Kanës.

E më pas udhëtoi drejt “Zemrës së Sarajevës”, në International Cinematographers, Film Festival MANAKI BROTHERS, por fitoi çmimin si filmi i shkurtër më i mirë në International Film në Batroun Mediterranean Film Festival, filmi i shkurtër më i mirë në Molise Cinema Film Festival. Ndërkohë që rruga e tij nuk mbyllet këtu. Filmi do të shfaqet edhe gjatë edicionit të 17-ë në Tirana International Film Festival, por dhe në festival të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura