“Fundoset” leku, Euro shënon rritje historike ditore. Sot u këmbye me…

Jun 8, 2018 | 12:46
SHPËRNDAJE

Monedha e përbashkët ka shënuar një rritje të fortë sot në tregun e brendshëm. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 127.58 lekë, me një rritje prej 2.33 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme.

Capture-11

Kjo është rritja historike më e madhe ditore në historinë e euros, që kur ajo ka filluar të kuotohet si monedhë fizike në janar 2002 dhe ka filluar të tregtohet në Shqipëri, sipas serive kohore të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Vetëm në tre ditët e fundit, euro është mbiçmuar me 3.41 lekë, duke arritur në nivelin më të lartë që fillimi i muajit maj.

Në rënie të fortë ka qenë dhe dollari, i cili u këmbye sot me 108.36, me një rritje prej 2.48 lekësh, në krahasim me ditën e mëparshme. Paundi u rrit me gati tre lekë dhe franga zvicerane me 2.33 lekë.

Arsyeja kryesore e këtij forcimi të shpejtë lidhet me ndërhyrjen në treg të Bankës së Shqipërisë, guvernatori i të cilës deklaroi tre ditë më parë se institucioni monetar qëndror do të blinte valutë në treg për të frenuar mbiçmimin e lekut që kishte dalë përtej parashikimeve.

Përtej ndërhyrjes, efekti psikologjik kë të herë ka vepruar në të kundërt, duke përshpejtuar mbiçmimin e euros, ndryshe nga pak ditë më parë, kur pritshmëritë për një rënie të euros po zhvlerësonin më shumë monedhën e përbashkët.

Aktorët e tregut pohuan se dje dhe sot ka pasur një dyndje të lartë të njerëzve që kërkonin të blinin valutë, pasi kishin frikë se mos forcohej më tej euro. Luhatjet e mëdha kanë vështirësuar parashikimin për ecurinë e mëtejshme të kursit të këmbimit, ndonëse tradicionalisht euro është e dobët në verë, si rrjedhojë e efekteve sezonale.

Luhatjet e mëdha të ditëve të fundit kanë bërë që agjencitë të rrisin marzhin e tregtimit të shitblerjes, nga 1.5 lekë dje në gati 2 lekë sot. Në agjencitë valutore kryesore në Tiranë, një euro mund ta blini sot me jo më pak se 128 lekë, nga 126 lekë që ishte një ditë pas deklaratave të Bankës së Shqipërisë.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, euro u zhvlerësua me shpejtësi, duke arritur në 5 qershor në 124.17 lekë, niveli më i ulët në 10 vite, përpara se Banka e Shqipërisë të njoftonte ndërhyrjen. Monitor

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura