Fundi i Qeverisjes Krenare

Dec 12, 2019 | 15:19
SHPËRNDAJE

gurakuqi

Nga Romeo Gurakuqi

Edhe sa kohë do e durojmë mbi krye “shkambin” e randë të “ndërtesës shtetnore të rrënueme” prej arrogancës, paaftësisë, padrejtësisë dhe talljes së administratorëve krenaristë, në këto kohë të fatkeqësisë që ka kapërthye një pjesë të madhe të territorit shtetnor?

Asht pyetja që bajnë çdo ditë mijëra qytetarë të kësaj republike të shkërmoçur nga korrupsioni, injoranca, termeti dhe kapja prej duarve te padukshme te hienave të krimit. Mendoj se ka ardhë momenti me i dhanë fund spektaklit lodhës të njeriut që po na bjerr ditët me kastile pa ia nda, ndërkohë që emergjenca e kthimit të jetës në vend, në shumë aspekte, mbetet në rendin e parë dhe pa pergjigje.

Kolapsi i jetës në hapësirën ma vitale të Shqipnisë, ku asht e përqendrueme ekonomia, tregtia, jeta arsimore dhe universitare në vendin tonë, pengon çdo pore tjetër të shoqnisë dhe shtetit për riaktivizim me kohë të plotë. Pikërisht për shkak të randësisë nacionale të ripërtëritjes dhe rindërtimit te këtyre anëve, unë mendoj se protagonisti i zvarritjes boshe, nuk duhet të lihet ma tutje në lojen e tij vetmitare të inskenimeve të pafrytshme dhe damtuese. Asht nji lojë cinike që bahet në nji kohë tragjike me pasoja mjaft komplekse dhe të gjithanshme për shoqërinë dhe përspektiven e saj.

Jemi në rrethanat e nji paqartësie dramatike, ku kërkohen zgjidhje adekuate, zgjidhje të cilat nuk thellojnë ma tej dezintegrimin e komuniteteve të prekuna nga fatkeqësia, por i japin shpresë dhe siguri për rikompaktësim në të njejtën hapësirë urbane, të jetës së tyre te ardhshme. Për këtë kërkohet vendosje në veprim të menjiherëshëm e procesit të studimit për këtë rindërtim të jetës së bashkësive aty ku ishin deri me 26 nëntor.

Mirëpo, pavarësisht se kjo nevojë asht në mendjen e çdo qytetari, ne nuk shohim se qeveria disponon një platformë dhe metodë të arsyeshme për zgjidhje afatgjatë dhe me parime të kjarta. Deri më tash kemi degjue që publikut t’i komunikohen çdo mëngjes, veç andrrat e çmenduna të netëve të dhjetorit të fundit, me zhvendosje drastike të lagjeve të tana të Dyrrachium-it tonë krenar, por nuk kam pa që qeveria të ketë promovue nji mbledhje të inxhinierëve urbanistë durrsakë, të asistuem nga të dijshmit e vertetë të fushës nga institutet projektuese të Tiranës, për të skicue rindërtimin me garanci dhe me vazhdimësi të pjesëve të damtueme të qytetit tonë, historikisht mjaft të randësishëm. Asht e papranueshme që në rindërtimin e Durrësit, Krujës, Laçit etj., të injorohen me arrogancë opinioni i njërëzve që llogarisin në komunitetet e prekuna. Nismat çrrënjosëse që u komunikohen qytetarëve nga i pari i ekzekutivit spontanisht gjatë ‘spektakleve”, përmes hokave që ban gjithandej ku shkel në vrapimin e tij të pandalshem, i konsideroj shfaqje të nji politike dritëshkurtër, që nuk respekton dinjitetin e njerëzve në komunitete, i vlërësoj si shfaqje të autoritarizmit që instrumentalizon me detyrat e ngarkueme nga kushtetuta, kujdesin e vertetë ndaj njerëzve të mbetun pa strehë.

Pasiguria për jetën e përditshme, mungesa e garancive politike dhe juridike ka kapërthye jetën tonë në mënyrë të gjithanshme, ndërsa dhjetra mijëra bashkëqytetarë gjenden pa një strehë mbi kohë dhe me një cikel normal të jëtes familjare të prishur dhe pa përspektivë rregullimi.

Mirëpo, pavarësisht traumës së përgjithshme dhe pamundësisë sistematike të këtij shteti të degraduem për t’iu përgjigjur emergjencave, unë besoj se ky vend i ka mundësitë për të nxjerrë prej gjirit të popullit të vet, burimet e afta njërëzore për udhëheqje të saktë administrative dhe korrektuese.

Kam pa disa herë nji dorë të shtrime të Kryeministrit të vendit dhe pyetjet e para që kam ba kanë qenë: A e ka me gjithë mend? A asht serioz? A ka nji plan zbritjeje nga froni i të gjitha pushteteve? A i don me të vërtetë njërëzit e vendit të tij, apo këto ditë të katastrofës e kanë ba ma human? A thue u ngop me paaftësinë e tij shkëlqyese? A kërkon nji fasadë për punën e tij pararandëse të nëndheshme, apo ka kuptue kotësinë e vijimit të matejshëm të lojës?

Duhet të jemi të qartë: Ka veç nji mënyrë për të kuptue dorën e shtrime për me dalë prej dy krizave që po na rrënojnë gradualisht: Dorëheqje në të mirë të krijimit të nji qeverie tranzitive, të përbamë nga administratorë të spikatun, të udhëhequn nga nji njëri publik i kuotum nalt prej shoqnisë në aspektin e besueshmërisë dhe respektimit të lirive dhe ligjeve. Shqipnisë i duhet sot ma shumë se kurrë, Qeveria e Rindertimit dhe e Reformave Institucionale Administrative. Dy krizat janë kapërthye aq keq me njëna-tjetrën, sa zoti Rama dhe ortakët e tij duhet ta kuptojnë se nuk i kanë as mundësitë, as kapacitetet intelektuale brenda ekzekutivit, as besueshmërinë dhe as konsensusin publik për t’i kthye popullit shpresen, donatorëve garancinë e përdorimit racional të fondeve dhe organit sovran, legjitimitetin e hequn me arrogancën e komisarëve të mandateve.

Çdo ditë që kalon veç zgjat amullinë, shton vuajtjet e njerëzve të pastrehë, rihap lojën e krizave kushtetuese, rrit pasigurinë e periferive, largon popullin mban ekonominë në stanjacion dhe gjallon aktivitetin e “djelmëve të zgjuar dhe shkathët” që kanë kapur për veshësh politikanët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura