Fundi i Joseph Roth dhe aventurat e tij me gratë e rastësishme, në gjendje të dehur!

May 29, 2018 | 15:37
SHPËRNDAJE

Vepra e Joseph Roth u bënë të njohura gjithashtu dhe nga artikujt e tij të viteve të fundit, atëherë kur Roth ngrinte zërin kundër Europës së frikësuar, që po e linte Hitlerin të bënte ç’të donte dhe të vazhdonte marshin e tij të luftës e të vdekjes. Si një antinazist i përbetuar, shkrimet e tij u botuan në rrethet e emigrantëve të përndjekur dhe ata që e dënonin ashpër politikën ekspansioniste të Gjermanisë naziste. Në vitet 1936-1939, Joseph Roth banonte në “Hotel Tournon”, në rrugën me të njëjtin emër në cep të kopshteve të “Jardins de Luxembourg”-ut në zemër të Parisit, dy hapa larg Senatit francez.

Miku i afërt i tij, shkrimtari Stefan Zweig e ndihmonte me para sa herë ai ngelej pa një dysh. Në atë periudhë, Roth nuk shkruante më, as në letër dhe as në makinë shkrimi, por ai vetëm diktonte. Çdo mëngjes, një sekretare e tij vinte në kafenenë poshtë hotelit. Ata uleshin në tavolinën e tij të përhershme që shikonte nga rruga dhe si gjithnjë, ai i thoshte:14

“Atëherë ku e kemi lënë?”…Ajo i lexonte paragrafin e fundit dhe ai fillonte t’i diktonte vazhdimin… Kështu u shkruan romanet e fundit të tij. Roth ishte një gjeni i fjalës dhe në kafenenë e tij mblidheshin emigrantë të shumtë austriakë e gjermanë, që ishin kundër Hitlerit. Një ditë shkova në atë kafene dhe u ula pikërisht në tavolinën e tij. Pronarja e dikurshme e lokalit ka vdekur. Ajo quhej Germaine Alzard. Roth e kishte qejf pijen, madje përhumbej në të. Shpesh i thoshte asaj se “një fletë e shkruar është sa një gotë ‘Penod'”.

Para se të vdiste, ajo i kishte lënë disa kujtime një gazetari që e kishte pyetur rreth shkrimtarit. Madje, ajo i kishte treguar se si një herë, një mbrëmje të vonët, kur ai ishte i dehur, i kishte kërkuar akoma dhe një gotë, ajo ia kishte refuzuar dhe i kishte thënë se do ta mbyllte lokalin dhe se duhej shkuar për të fjetur. Padronia e re kishte shkuar ta mbyllte kafenenë nga brenda dhe pastaj ishte ngjitur nga dalja e pasme, e ndjekur nga klienti i fundit dhe i përhershëm i saj. Por ja që Roth, nën avujt e alkoolit, i kishte zgjatur duart drejt vitheve të saj.

Një e shtyrë dhe një goditje në bark e kishte shembur shkrimtarin nëpër shkallë. “Të nesërmen, – kujtonte ajo, – e kisha harruar fare këtë histori dhe e pashë Roth-in, por ai veçse kaloi para kafenesë dhe shkoi drejt Saint-Germain-dès-Près. Pas një ore, dikush më solli një tufë me lule me një kartë të shkruar nga Roth, i cili më kërkonte ndjesë për incidentin e një mbrëmje më parë”.

Jo rrallë, Roth i shkruante poezi padrones së tij… Kur Joseph Roth vdiq, disa nga miqtë e tij thanë se ai bëri mirë që vdiq në atë kohë, edhe pse ishte veçse 45-vjeçar, pasi lumturisht, ai nuk e përjetoi tmerrin e Luftës së Dytë Botërore, ferrin që ai kishte parathënë me zë të lartë para gjithë botës. Më 24 maj të vitit 1939, atje në kafene “Tournon”, ai mori vesh lajmin e vetëvrasjes së mikut të tij të afërt, Ernest Toller në New York, çka e tronditi aq shumë, sa e çuan në spital nga ku s’do të dilte më. Tri ditë më vonë, ai vdiq… Ai nuk e pa përndjekjen e hebrenjve nëpër Europë dhe në Francë; nuk i pa as trenat e vdekjes… ndoshta dhe ai mund të kishte qenë një udhëtar i pafat i trenave nazistë, që shkonin drejt kampeve të Auschvitz, Dachau Mathausen…

Ai vdiq si një poet i dëshpëruar për fatet e botës. Ai ishte i bindur në atë që kishte shkruar që në vitin 1935 se “Në fillim Gjermania do të festojë fitoret e saj, por në fund ajo do të vdesë urie dhe do të njohë thyerjen e plotë. Mos kini asnjë iluzion. Do të jetë koha e ferrit…”. Kush e ka parë Gjermaninë e fill pasluftës që ishte kthyer në një gërmadhë të vërtetë nga bombat e aleatëve, e ka parë vërtet atë ferr që po jetonte populli gjerman. Artikujt e tij për Shqipërinë kanë një lloj lirizmi, por dhe një ironi të thekshme.

Që atëherë kanë kaluar shumë dekada. “Qortimet shqiptare” të Joseph Roth nuk i dëgjoi askush nga liderët politikë. Për dekada me radhë, ky vend vazhdonte të vegjetonte në një plogështi të skajshme mejhanesh, në një autarki të pashembullt dhe frikë obsesionale ndaj të huajit, pa folur për gjakmarrjen, që një shtet i sotëm demokratik, nga një anë mburret në mënyrë folklorike para botës (MISS-et janë një uverturë koncertale), dhe nga ana tjetër nuk sheh sesi gëlon gjakmarrja dhe sesi në peizazhin njerëzor shqiptar bulë- zojnë ferexhetë, ai “kortezh funebër”, për të cilin shkruante Roth.

Luan Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura