Fundi i Gruevskit

May 14, 2015 | 14:41
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

   Tani, pas ngjarjeve tragjike të Kumanovës, secili mund të pyesë me të drejtë për jetëgjatësinë apo fundin e pushtetit diktatorial të Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Pas dorëheqjeve të fundit të disa ministrave dhe drejtuesve të tjerë, sipas liderit të opozitës maqedonase, Zaev, ky është vetëm një hap drejt fundit të Gruevskit. Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë duket se nuk tërhiqet nga kërkesa për dorëheqjen e Gruevskit. Ky i fundit kërkon aktualisht, pas dorëheqjeve të mësipërme, të sjellë në qeverinë e tij ministra nga radhët e LSDM-së, gjë që ka gjetur kundërshtimin e prerë të saj. Kërkohet nga opozita dorëheqja e Kryeministrit aktual dhe pastaj krijimi i një qeverie kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhjet e përgjithshme në vend.
Ngjarja në Kumanovë, pavarësisht nga rezultatet e një hetimi, i cili domosdoshmërisht duhet të bëhet nga ndërkombëtarët, sepse realisht regjimi i Gruevskit nuk mund të ketë besueshmërinë për zbardhjen e saj, edhe për vëzhguesin më të thjeshtë, krijon imazhin e skenarëve tepër të afërt me ata të politikës së Sllobodan Millosheviçit. Si ai që hegjemoninë serbe e ngrinte në mit, Gruevski, sapo erdhi në pushtet dhe gjatë tërë këtyre viteve, privatizoi jo më kot dhe historitë e të tjerëve qysh në lashtësi për sajimin e një historie të moçme të heronjve mitikë. Kushdo që shkon në sheshin qendror të Shkupit, përballet me një tejngopje të këtij sheshi me monumente të tilla gjigante për ndërtimin e identitetit kombëtar maqedonas.
Politika vrasëse, spastruese e Millosheviçit, duket se ka pika të ngjashme me atë të Gruevskit, në forma të hapëta kjo apo të nëndheshme. Ngjarja e fundit është më pranë saj. Krijohen alibi për shqiptarët, që ata të akuzohen si destabilizues etj. Sulmi barbar i regjimit të Gruevskit në Kumanovë i vuri vulën kësaj qeverisjeje. Por, kur flasim për këtë qeverisje, nuk mund të mos e ndalësh vështrimin edhe te ministrat shqiptarë, që vazhdojnë t’i japin frymë qeverisë Gruevski. Interesat e kujt përfaqësojnë ata? Vetëm të shqiptarëve jo. Është paradoksale të ulesh dhe më tej në kolltukun e ministrave të një qeverie vrasëse të bashkëkombësve të tu.
Organizmat ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Europian, dashur padashur, deri në ngjarjet e Kumanovës është bërë krah inkurajues për Gruevskin. Të dërguarit e tij janë njohur me situatën e paqetë në Maqedoni, marrëdhëniet e shqetësuara ndëretnike, pavarësisht Marrëveshjes së njohur të Ohrit pas konfliktit të vitit 2001. Sepse, edhe pas kësaj Marrëveshjeje, pavarësisht nga arritjet, problemet zienin, mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve ka vazhduar të jetë i pranishëm. Marrëveshja, si platformë e një shoqërie demokratike, i dha fund konfliktit në këtë Republikë dhe u garantoi shqiptarëve të gjitha të drejtat që u takojnë. Ajo i mundësonte vetë Maqedonisë ecjen e saj drejt një shoqërie multietnike, multikulturore. Por ka kaluar një dekadë e gjysmë e me të drejtë kërkohet implementimi serioz i saj, edhe pse liderët e Shkupit propagandojnë se përmbajtja e Marrëveshjes kuadër të Ohrit është pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë dhe se janë plotësuar të gjitha standardet për komunitetet etnike. Realiteti ka treguar se, pavarësisht vlerave të kësaj Marrëveshjeje, shqiptarët shihen jo të barabartë me maqedonasit, pushteti maqedon ka më tepër ngjyrën e atij monoetnik.
Në këto kushte, përgjimet, të cilat opozita filloi t’i bëjë të njohura, flasin po kështu për një pushtet që jetëzgjatjen e tij ua beson makinacioneve. Pushteti i Gruevskit ka lëvizur kështu brenda një sfere keqpërdorimi të tij. I trembur nga manifestimet e fundit, ku maqedonas e shqiptarë, me flamujt e tyre kombëtarë, kanë kërkuar ikjen e tij apo manifestimi i ardhshëm, i paralajmëruar për më 17 maj, ndoshta duhej krijuar një situatë si ajo e Kumanovës. Pra, inskenimi i një konflikti ndëretnik do të ishte barkë shpëtimi për Gruevskin. Ai u parapri gjatë gjithë kohës nga një patriotizëm i rremë, sipas të cilit vetëm ky mund ta ruante Maqedoninë dhe maqedonasit, se vetëm forca dhe vendosmëria e tij mund t’i mbante shqiptarët, por edhe nga dështimet në ekonomi, ecja në tërësi prapa e vendit, bllokimi i procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.
Në mbajtjen gjallë të këtij pushteti diktatorial, sikurse u ndalëm, kanë ndihmuar jo pak edhe drejtues të partive shqiptare, të cilët, për fat të keq, vazhdojnë dhe sot, kur që në orët e para të asaj çka po ndodhte në Kumanovë, duhet të ishin në këmbë dhe unikë, duke lënë mënjanë privitizmin e deritanishëm. Ai zgjim i tyre ishte tepër i vonuar, i dalë boje. Interesi i pushtetit të tyre duket mbi gjithçka dhe jo interesat e shqiptarëve, por as edhe i një Maqedonie sa më demokratike dhe europiane.
Kjo krizë që po përjeton Maqedonia, pavarësisht çdo lloj inskenimi, nuk mund t’i vijë dot në ndihmë më gjatë Gruevskit. Fundi i pushtetit të tij duket tashmë më i konturuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura