Fundi i fabulës së Ramës “po bëj shtet”

Apr 23, 2016 | 12:50
SHPËRNDAJE

prec zogajPREÇ ZOGAJ

Edi Rama është shfaqur i rënë këto ditë, kur popullariteti i tij ka lëvizur midis vizitës që bëri në Uashington dhe arrestimit të Emiljano Shullazit. Duket e çuditshme. Takimi me Presidentin Obama ishte për të përmbushja e një ëndrre. Arrestimin e Shullazit e ka kërkuar me emër, siç nuk ka ndodhur ndonjëherë, vetë përfaqësuesi më i lartë i SHBA në Shqipëri. Të dyja ngjarjet, pra, janë të tilla që duhej të rrezatonin përndritje dhe çelje në fytyrën e kryeministrit. Do të mjaftonte vetëm e para, nëse e dyta nuk është e denjë t’i bashkërenditet së parës si burim gëzimi.

Por jo. Kryeministri këto ditë jo nuk është shend e verë, por në të kundërtën, ngjan i ligështuar. E them me sinqeritet se kjo do të pëlqehej nëse do të mund të lexohej si përvuajtje njerëzore për vuajtjet e qytetarëve në vështirësi, si përbuzje ndaj krekosjes që feja e konsideron mëkat, apo si arratisje intelektuale nga gëzimet e cekëta të politikës. Midis përulësisë së politikanit shërbyes dhe mburrjeve të demagogut shelbues, shumica do të zgjidhnin gjithnjë përulësinë. Mirëpo në qëndrimet e zotit Rama ka shumë pak për të lexuar nga këto gjëra. Ai na ka mësuar të fusim edhe perëndimin e diellit të Zotit në spotet e tij të suksesit.

Ai nuk është dalluar për modesti, por për të kundërtën. Qeverisja propagandistike ka rezultuar të jetë talenti i tij numër një. Ka guxuar dhe nganjëherë ia ka dalë ta paraqesë të zezën të bardhë me dhuntitë komunikative. Merret me mend sa të lehtë e ka pasur me vizitën e bardhë në SHBA. Çfarë ka ndodhur që velat e gëzimit të tij nuk i shohim të hapura, por të mbledhura pas kthimit nga përtej oqeanit dhe pas arrestimit të Shullazit? Çfarë ka ndodhur që as sihariqet për kapërcimin e krizës ekonomike dhe hapjen e njëqind e shtatëdhjetë mijë vendeve të reja të punës, që ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i dha në përgënjeshtrim të shtatë a tetë raporteve negative ndërkombëtare për ekonominë shqiptare dhe Bankës së Shqipërisë, nuk e gjallërojnë pamjen e kryeministrit?

Hamendjet janë një potpuri. Por unë nuk dua të merrem me hamendje. Dua të besoj se mërzia dhe ligështimi i kryeministrit kanë një shkak të prekshëm e serioz që është tronditës jo vetëm për të, por edhe për qytetarët që i kanë besuar qeverisjen. Akuzat që prokuroria ka ngritur kundër grupit të strukturuar kriminal të Emiljano Shullazit janë rrënuese për fabulën e vetme të suksesit që reklamon me zë buçitës zoti Rama si kryeministër: fabulën se po bën shtet! Siç e kemi argumentuar më parë, kjo ka qenë qysh në krye një flateri tipike. Shteti shqiptar është shekullor. Shteti demokratik i njëzet e pesë viteve të fundit ka mundësuar anëtarësimin e vendit në NATO dhe Lëvizjen e Lirë si dy kulme të ëndrrës sonë europiane dhe euroatlantike.

Në këtë kontekst mund të premtohet përmirësimi, forcimi, modernizimi i shtetit, për të cilën ka hapësirë sa të duash. Kaq. Asgjë tjetër. Por Ramës i pëlqeu që disa fenomeneve që lidhen me moszbatimin e ligjit nga një pjesë e qytetarëve t’u jepte peshën dhe domethënien që ka vetë krijimi i shtetit. Me këtë fabul, duke premtuar e provuar zbatimin e ligjit edhe nga pakica që nuk i zbatonte, u vetëshpall as më shumë e as më pak, kalorës i shtetformimit. Dhe përfundoi, siç ndodh pothuajse gjithmonë kur vret lart për t’u dukur, kalorës i shtetrrënimit.

Në procesin e deritanishëm hetimor kundër Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij ka së paku tri akuza të mbështetura në fakte, dëshmi dhe padi penale që ndriçojnë mjaftueshëm dhe frikshëm shkallën e lartë të degradimit të shtetit nën qeverisjen e sotme. Së pari, është akuza për shkeljet e rënda që lidhen me fatin e hotel “Vollgës” në Durrës, si shembulli emblematik i tjetërsimit dhe grabitjes së pronës së ligjshme të qytetarit përmes gjyqtarëve të korruptuar apo të terrorizuar, përmes zyrtarëve të zyrave të privatizimit, të kthimit të pronave dhe hipotekave, vendimet e të cilëve janë blerë ose janë marrë nën kërcënimin e armëve – këtë do ta mësojmë gjatë procesit.

Denoncimet me zë të ulët apo me zë të lartë të ndonjërit prej këtyre zyrtarëve – edhe këtë do ta mësojnë më mirë gjatë procesit – janë injoruar kriminalisht në kupolën e lartë të ekzekutivit. Së dyti, është akuza që lidhet me denoncimet për gjobvënie të shtetasit Jani Zaka dhe sulmet me tritol ndaj pronës së tij që e kanë detyruar atë të braktisë vendin, duke parë se jo shteti, por banda po bënte ligjin. Së treti, janë denoncimet dhe provat që ka siguruar organi i akuzës për presionin dhe dhunën e ushtruar nga banditët ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynir Koni, dhe dekanit të fakultetit ekonomik, Dhori Kule, për t’i detyruar të tërhiqen nga gara zgjedhore në Universitet.

Ky është rasti kur zgjatimi banditesk ka përuruar ndërhyrjen dhe shtrirjen e autoritetit të vet kriminal edhe në botën akademike universitare. Në dy akuzat e para të akuzuarit kanë pasur për qëllim të përfitojnë për vete. Në rastin e tretë kuptohet se nuk kanë punuar drejtpërsëdrejti për vete. Përkundrejt shpërblimeve që kanë marrë më parë apo do të merrnin në vijimësi, ata janë vënë në shërbim të kundërshtarëve të Konit dhe Kules për të diktuar garën edhe në Universitete. Kjo ndodhi e tmerrshme tregon më qartë se asgjë sa larg kishte shkuar dhe ka shkuar aleanca e segmenteve të pushtetit politik me krimin në vend. Se nuk mund t’i vërë kush tjetër në lëvizje banditët për një mision të tillë, në një terren kaq të huaj për ta siç është shkolla.

Këto tri akuza janë vetëm maja e ajsbergut e pushtetit që ka marrë bota e krimit me lidhje qeveritare në Shqipëri. Janë me dhjetëra dhe qindra rastet e tjetërsimit, dhunimit dhe grabitjes me dhunë të pronës së tjetrit apo pronës publike në vend. Arsenali i armëve pa leje dikton vendime të paimagjinueshme. Krimi sfidon ligjin dhe shtetin sa herë të dojë. Rama ka arsye të jetë shumë i rënë. Në harkun e pak ditëve ai ka parë të bëhet pluhur e hi në sytë e publikut fabula e tij më e dashur “po bëj shtet”. Ndoshta e ka marrë lehtë në fillim. Nuk e ka parashikuar ku i del tymi.

Nuk është kujtuar se kur u jep dorën, banditët të marrin krahun dhe më shumë se krahun. Në të vërtetë kishte kohë që Rama mbahej si mbi një varkë të prishur në këtë premtimin e shtetformimit. Të kujtojmë, sa për ilustrim, aksionin kundër informalitetit që nisi me bujë të madhe në muajin shtator të vitit të kaluar me premtimin për të futur 350 milionë euro më shumë në arkën e shtetit, por që rezultoi një fiasko. Të kujtojmë faktin tjetër që droga humbi Lazaratin në vitin 2014 dhe po fiton mbarë Shqipërinë në vitin 2016. Do të mjaftonin për të provuar falsitetin e shtetformimit “Rama”. Sakaq arriti “Shullazi” dhe i vuri vulën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura