“Fund marrëzisë”, nën akuzë dhjetë zyrtarë për ryshfet

Oct 13, 2015 | 7:58
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë si të pandehur një numër prej dhjetë punonjësish të Njësisë së Kontrollit të Lojërave të Fatit dhe Drejtorisë së Tatimeve të akuzuar për korrupsion e shpërdorim detyre. 

Nga operacioni “Fund Marrëzisë”
Nga operacioni “Fund Marrëzisë”

Dhjetë të akuzuarit e kësaj çështjeje janë arrestuar në maj të këtij viti pas një hetimi disamujor të Prokurorisë së Tiranës. Ndaj tyre gjykata ka vendosur masën e arrestit për disa inspektorë të administratës batimore dhe inspektorë të Njësive të Lojërave të Fatit, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Në bazë të hetimit, i cili ka nisur kryesisht nga ana e Prokurorisë së Tiranës, bazuar në informacione të mbërritura në Prokurori nga qytetarë të ndryshëm, fillimisht u arrestuan në flagrancë Kreshnik Kasaj, me funksion menaxher në një kompani bastesh, i dyshuar për “korrupsion aktiv” dhe shtetasi Metjon B, inspektor i administratës tatimore.

Sipas Prokurorisë, këta dy shtetas u arrestuan në datë 15 prill 2014, pasi menaxheri Kasaj po i jepte shumën prej 100 mijë lekësh të rinj inspektorit të Tatimeve. Abuzimi është kryer nga të akuzuarit edhe gjatë aksionit “Fund Marrëzisë” kur janë njoftuar kazino të ndryshme që të ulnin qepenat para kontrolleve konstatuese në terren nga grupet e ngarkuara.

ABUZIMET
Nga hetimet ka rezultuar se inspektori i Tatimeve, nëpërmjet influencës së tij, ndërhynte te disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll te pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kasaj, në disa qytete të Shqipërisë. Në vijim të hetimeve të nisura para pak muajsh,
Prokuroria e Tiranës ka arritur të krijojë dyshime të arsyeshme se shtetasi Kasaj, menaxher i kompanisë së basteve me përhapje të gjerë në shumë qytete të Shqipërisë, kishte krijuar lidhje të dyshuara si korruptive edhe me shtetasin P.A., i cili kishte njohje në radhën e inspektorëve të Njësisë së Lojërave të Fatit.

Nëpërmjet shtetasit P.A., menaxheri Kasaj shmangte kontrollet e disa prej inspektorëve të lojërave të fatit në pikat e kompanisë ku ai ishte menaxher. Sipas akuzës, nga hetimi ka rezultuar se menaxheri Kasaj, nëpërmjet lidhjeve të dyshuara korruptive me disa inspektorë të administratës tatimore dhe disa inspektorë të Njësisë së Lojërave të Fatit, u shmangej detyrimeve ligjore, pasi një pjesë e pikave të kompanisë rezultojnë të palicencuara ose me punonjës të paregjistruar.

ARRESTIMET
Gjatë operacionit të koduar “Stop”, Policia ekzekutoi 8 urdhërarreste për zyrtarë Tatimesh e të Lojërave të Fatit, të akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa 3 të tjerë u shpallën në kërkim. Dy prej tyre u kapën më vonë, ndërsa në gjykatë disa prej të akuzuarve u liruan për t’u ndjekur në masa të tjera nga arresti me burg.

Të arrestuarit ishin zyrtarët e Lojërave të Fatit, Jani Burakas, Valentin Loka, I.R. e Maltin Jacaj, zyrtarët e Tatimeve, Trëndafil Tarja e Mensur Hoxha, shtetasin Petrit Ahmetaj, specialist në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Kreshnik Kasajn, menaxher i një kompanie bastesh.

Nga hetimet është konstatuar se krahas shpërdorimit të detyrës dhe veprimeve korruptive, në shumë raste, për të justifikuar punën e tyre, këta persona, nëpërmjet kontrolleve, godisnin subjektet private që ishin të rregullt në pagimin e taksave dhe detyrimeve të tjera, por që kishin shkelje të vogla.

Ata akuzohen se toleronin plotësisht subjekte të tjera, të palicencuara nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, për të justifikuar punën e tyre, këta inspektorë gjobisnin subjekte të rregullta, por nga ana tjetër, nuk kryenin asnjë veprim ndaj subjekteve tërësisht të jashtëligjshëm, pra duke dëmtuar ndjeshëm subjektet e rregullta, si me gjoba, ashtu edhe me konkurrencë të pandershme.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura