Ftesa ruse, ftesë për stanjacion demokracie

Nov 22, 2019 | 10:22
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ROMEO HANXHARI romeo hanxhari

Në distancë kohore prej disa javësh, tashmë ftesa ruse bërë Shqipërisë për ta braktisur rrugën drejt Bashkimit Europian dhe për t’u bërë menjëherë pjesë e Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik, duket se është de facto një nxitje për Shqipërinë për të mos avancuar me standardet e saj demokratike, standarde të cilat fare qartë i kërkoi Bundestagu gjerman dhe i theksoi më tej në këndvështrim tjetër Presidenti Macron. Ftesa e Federatës Ruse tashmë duket qartë që ishte e mirëllogaritur, madje ndoshta edhe e koordinuar…

Ajo ftesë e bën Rusinë që të fitojë në të gjitha rastet e përgjigjes nga ana e Shqipërisë. Por, me sa duket, ajo ftesë e bën përfituese edhe forcën qeverisëse në Shqipëri, e cila e kërkon hapjen e negociatave me BE-në, mundësisht vetëm duke luajtur kartën gjeopolitike të “forcave të treta në Ballkan” dhe pa ndryshuar mundësisht aspak nga pozicioni i vet në raport me përmbushjen e kushteve të sipërcituara të partnerëve europianë. Ndërsa, në kushtet aktuale, ajo që humbet nga ftesa ruse, është demokracia në Shqipëri. Pse? Le t’i shohim të tria opsionet: “po”, “jo”, dhe “heshtje” si kjo që po ndodh prej javësh…

Një “po” shqiptare ndaj ftesës, në fakt, përjashtohet nga Rusia. Ajo e ka fare të qartë këtë, sepse ne jemi vend i NATO-s që prej 11 vjetësh dhe popull pro amerikan që prej 100 vjetësh.

Përgjigjja më realiste që pret Rusia është një “JO” e prerë. Atëherë, pse e bëri ftesën?! Konkretisht, Rusia e lexon fare mirë që maxhoranca qeverisëse në Shqipëri që prej 2 vitesh e ka përdorur shumë fort kartën gjeostrategjike të “rrezikut rus në Ballkan”, me qëllimin për t’i argumentuar Bashkimit Europian që ky i fundit t’ia hapë negociatat asaj për të ndalur atë rrezik. Theksimi i shpeshtë i këtij lloj mesazhi krahas avancimit jo të kënaqshëm prej disa vitesh në përmbushjen e kushteve reale të standardeve europiane, është interpretuar nga media europiane si një mungesë aftësie apo, aq më keq, vullneti nga ana e Shqipërisë, për të punuar për përmbushjen e atyre kushteve. Liderët politikë europianë e kanë kuptuar këtë, pavarësisht se janë të ndjeshëm edhe ndaj kërcënimeve reale gjeopolitike. Së fundmi u detyrua edhe Presidenti i Francës, Macron, në revistën “The economist”, t’i vlerësojë publikisht si “të pabaza pretendimet e rrezikut rus nëse nuk hapen negociatat”. Mesazhi për negociatat ama ishte dhënë shumë më herët: zonja Ambasadore e Francës në Tiranë, në festimet e 14 korrikut 2018, kishte thënë shprehimisht se “nëse nuk e ndryshoni situatën (lidhur me luftën kundër krimit dhe korrupsionit) negociatat për anëtarësim jo vetëm që nuk do të hapen, por mund edhe të shtyhen pa afat”. …E pra, prej korrikut 2018 e deri në tetor 2019 kishin kaluar gati 1 vit e gjysmë, por mesazhi nuk ishte marrë seriozisht… Për rrjedhim, në 14 korrikun e një viti më pas, 2019, zonja Ambasadore foli hapur për “zgjedhjet e çuditshme të qershorit në Shqipëri”. Mesazh shumë eksplicit, i cili sërish u nënvlerësua…

E, pra, kushdo që e njeh situatën në Shqipëri, e ka të qartë se një nga kushtet më të vështira për t’u plotësuar nga maxhoranca është ai i ndarjes së krimit nga pushteti si edhe ai i dënimit të krimeve elektorale: sepse plotësimi i këtyre dy kushteve do ta vinte përfundimisht në pikëpyetje statusquo-në politike në Shqipëri, çka nuk përtypet mirë nga maxhoranca, në të drejtën e saj të interpretimit të gjërave. Ajo do thjesht që të marrë hapjen e negociatave dhe kështu të justifikohet që të vazhdojë qeverisjen deri në zgjedhjet e rregullta të 2021. …Prandaj, maxhorancës i intereson aq shumë dhe e ka dëshiruar aq shumë një ftesë ruse si ajo që u bë botërisht. …Dhe, madje, prandaj ajo po hesht ndaj kësaj ftese gjatë këtyre javëve. Jo sepse po mendohet a t’i thotë “po” apo “jo”. Nuk ka shans. Por ajo po tenton të përdorë suspansën diplomatike për ta nxjerrë ftesën më fort në dukje dhe për t’i dhënë artificialisht asaj një peshë, që ndoshta nuk e ka… Lidhja që edhe Kryetari i Parlamentit i Shqipërisë i bëri këto ditë presionit kinez të 5G-së me votën “JO” të Këshillit Europian, është provë e kësaj këmbënguljeje. Por zhvlerësimi publik që Presidenti Macron i bëri së fundmi kësaj teze të rrezikut rus apo kinez, e ka kthyer atë tezë në të pavlerë. …Megjithatë, maxhoranca në Shqipëri, me sa duket, ende po uron që debati i brendshëm në Bashkimin Europian lidhur me “lëkundjen e rolit gjeopolitik të BE-së” apo lidhur me “hapjen e portave ndaj rrezikut rus e kinez në Ballkan për shkak të JO-së franceze”, të bëjë të mundur që liderët e Këshillit Europian të mbyllin sytë përpara kërkesave të tyre, lidhur me standardet demokratike të Shqipërisë dhe t’ia hapin asaj negociatat vetëm për shkaqe gjeostrategjike. Nëse ky urim do të bëhej realitet pikërisht kështu, kjo do të bënte që në Shqipëri, përveç plotësimit të Gjykatës Kushtetuese (me dhimbje) apo të SPAK-ut, ndoshta të mos lëvizte asgjë tjetër. …Prandaj, kjo ftesë ruse erdhi ashtu si “rastësisht” në një moment “të artë”. …Fakti që Presidenti Vuçiç e përdori publikisht njëkohësisht edhe ftesën ruse edhe “Jo-në” e BE-së, duke e përqeshur këtë të fundit si institucion “që s’mban fjalën”, uroj të jetë i rastësishëm…

Po pse, pra, i intereson Rusisë edhe një “jo” shqiptare ndaj ftesës së saj? Thjesht, sepse Rusia nëpërmjet ftesës u ka dhënë një as në dorë atyre që duan hapjen e negociatave për shkaqe gjeopolitike, pa realizuar përmbushjen e standardeve demokratike. Nëse Shqipëria e merr hapjen e negociatave edhe pa i plotësuar kushtet e Bundestagut apo të Presidentit Macron, por thjesht për shkak të “presionit rus” edhe nëpërmjet ftesës, situata në Shqipëri do të hynte në stanjacion edhe për vite të tjera. E, në këto kushte, një vend pa standarde të forta zgjedhore dhe pa sundim të fortë të ligjit, i intereson Rusisë për t’i hapur rrugë ndikimit të saj klientelist politik dhe ekonomik.

…Prandaj, ftesa ruse tashmë ka filluar ta japë rezultatin e saj gjeopolitik, pavarësisht nga përgjigjja që do të marrë de jure nga Shqipëria: po, jo, apo heshtje. “Po-ja” ka vdekur që dje. “Jo-ja” nesër do t’i drejtohet Rusisë. Sot, “heshtja” i drejtohet ende …Këshillit Europian.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura