“Ftesa është gjithmonë e hapur”- Kryeministrja serbe mesazh Kosovës t’i bashkohet “Open Balkan”: Qytetarët do të përfitojnë nga kjo nismë

Nov 15, 2021 | 16:19
SHPËRNDAJE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, u bëri thirrje të gjitha vendeve në Ballkan, përfshirë Kosovën, që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur”.

brnabiç

Ajo tha se ftesa për këto vende është “gjithmonë e hapur”.

Nisma e bashkëpunimit “Ballkani i Hapur”, e cila përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis vendeve.

“Qytetarët që jetojnë në rajon do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga kjo nismë”, tha Bërnabiç më 15 nëntor, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një takimi të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i cili po mbahet në Parlamentin serb.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.

Në Beograd më 4 nëntor, është mbajtur takimi i radhës i udhëheqësve të nismës rajonale për bashkëpunim “Ballkani i hapur”.

Në takim morën pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, si dhe afaristë nga rajoni.

Presidenti Vuçiq tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se nisma “Ballkani i hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, i tha REL-it se Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura