FSHF-ja të vërë presidentët përballë arbitrave, jo kapitenët…

Jan 26, 2017 | 21:16
SHPËRNDAJE

jetmiri-300x300JETMIR HALILAJ

Futbolli shqiptar ka probleme të mprehta me financat dhe me besimin nëse është i pastër apo jo. I pari lidhet kryekëput me aftësitë menaxhuese të drejtuesve të klubeve dhe me faktin që pushteti lokal (bashkitë) i mbajti peng për më shumë se dy dekada duke mos i privatizuar. Ndërsa problemi i dytë ka të bëjë me seriozitetin federatë-klube dhe neglizhencën ekstreme të shtetit.

Të gjithë këta faktorë prodhuan atë që sot na e vret shumë syrin: tribuna të boshatisura, aktivitet marketingu thuajse zero dhe tendencë të rrezikshme për korrupsion. Ky është shfaqur ose duke trukuar ndeshje për të përfituar para nga bastet, ose duke korruptuar arbitrat për të mbërritur Kupat e Europës.

Nëse nisemi nga kjo e fundit, atëherë po e quajmë të vlefshme iniciativën e FSHF-së për një takim mes arbitrave dhe kapitenëve të ekipeve shqiptare. Në fund të fundit, nuk ka asgjë të keqe që ta shohin njëri-tjetrin në sy dhe të diskutojnë disa gjëra sportive që mund të ndreqen brenda fushës së lojës. Por gjithsesi ai mbetet një takim “fair-play” dhe jo një takim ku vihen pikat mbi “i”. Sepse nëse një nga problemet kryesore të kampionatit është korrupsioni, atëherë e sigurt është se këtë nuk e bëjnë dot kapitenët e skuadrave, por presidentët e tyre.

Ndaj do të kish qenë më mirë që përballë arbitrave të ishin vendosur edhe presidentët për të parë se sa prej tyre do të mund të shikonin njëri-tjetrin në sy. Përndryshe, nisma si kjo të ngjajnë me vendimet e Komisionit të Etikës, e cila dënon disa lojtarë hallexhinj dhe nuk ka guxim të dënojë as presidentë dhe as të rrëzojë klube nga kategoria kur ato bëjnë teatër…

Financat

Zhvillimi i futbollit vlerësohet së pari me të ardhurat që ai gjeneron. Sepse gjithnjë e më shpesh themi që ky sport është industri, apo jo? Po në Shqipëri a ndodh kështu? A kemi sot klube më të pasura se disa vite më parë? A shesin klubet tona më shumë lojtarë jashtë vendit? A prodhojnë më shumë talente akademitë e futbollit? A shesin më shumë fanella dhe më shumë bileta klubet? A kanë përmirësuar infrastrukturën e brendshme? A kanë më shumë mjekë të specializuar në ekip? A kanë rritur numrin e ekipeve të moshave? A marrin më pak gjoba nga sjellja e gabuar e tifozëve? A kemi më shumë arbitra cilësorë se më parë?

Fatkeqësisht më rezulton që jo… Klubi më i madh, Tirana, ka probleme serioze financiare, pjesa dërrmuese të trashëguara. Partizani pretendon titullin, por ende nuk ka një stadium të vetin. Vllaznia ul buxhetin dhe mendon vetëm për mbijetesë. Flamurtarit i hiqen 6 pikë për detyrime financiare të pashlyera. Kukësi me Laçin nuk e mbushin dot stadiumin edhe kur e lënë hyrjen falas. Skënderbeu ka marketingun më të mirë, por i ikën më së paku 3 milionë euro nga duart në Kupat e Europës sepse u pezullua për manipulim rezultatesh!

Nëse e gjitha kjo quhet progres, atëherë do të vazhdojmë me klube në pikë të hallit, ku shumica e tyre, për shkak të varfërisë, do të jenë gjithnjë e më shumë vasale të federatës. Deri tani klubet e Superiores janë ndarë në katër kategori:
1) “Të mirët” që shkojnë në Kupat e Europës dhe bëjnë ca para;
2) të urtit që mjaftohen me mbijetesën në Superiore;
3) të pafuqishmit që bien nga kategoria që në nëntor dhe
4) rebelët e vetmuar.

Nga këta të fundit, zakonisht ka vetëm 1 të tillë çdo sezon. Ky ndoshta është motivi se përse FSHF-ja nuk trajton me seriozitet problemet e financave dhe të ndershmërisë së garës, por bën pirueta mediatike të vazhdueshme. Sepse nuk i intereson mbase që të ketë klube të shëndetshme financiarisht, të cilat nesër mund t’i kundërvihen qoftë për mënyrën se si menaxhon garën, por edhe për standardet e drejtësisë që vendos.

Është i vetmi institucion në botë që pranon publikisht se i njëjti organ juridik që të dënon, më pas edhe të fal. Është gati qesharake kjo që ndodh me ndryshimin e vazhdueshëm të kalendarit… Të bësh cirk me axhendën e ndeshjeve çdo javë dhe t’i injorosh tifozët kaq brutalisht sa ç’ka bërë federata gjatë këtij sezoni, vetëm këtu te ne ndodh. Dhe, si për t’i vënë qershinë mbi tortë kësaj tallejeje të madhe, FSHF-ja bën edhe një mbledhje ku ankohet për mungesën e tifozëve! Guxim i madh…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura