Fshehu pasurinë, prokuroria çon për gjykim gjyqtarin e Kavajës Osman Aliun

Apr 19, 2015 | 11:29
SHPËRNDAJE

Pas kallëzimit të bërë vitin e shkuar nga ILDKP, prokuroria ka dërguar për gjykim për fshehje pasurie, gjyqtarin e Kavajës, Osman Aliu.

Osman Aliu

Në shtator të 2014-ës, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka çuar për ndjekje penale gjyqtarin e Shkallës së Parë në Kavajë, Osman Aliu.

Sipas organit të akuzës gjyqtari ka fshehur pasurinë dhe nuk justifikon burimet e krijimit të pjesës që ka deklaruar. “ILDKPKI do të dërgojë pranë Prokurorisë së Përgjithshme kallëzimin penal për subjektin Osman Aliu, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale të ‘fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrimit të produkteve të veprës penale'”, thuhej në njoftimin e ILDKP-së.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave njofton se ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin etj.”, vijonte më tej njoftimi i Inspektoratit.

Gjatë kohës kur ishte planifikuar edhe një seancë pyetjesh me gjyqtarin Aliu, ky i fundit, pasi ka refuzuar të japë përgjigjet për pasuritë, ka fyer inspektorët e këtij institucioni.

“ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore dhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu sot në ambientet e ILDKPKI, i cili jo vetëm refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë, por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës”, thuhej në njoftimin e muajit shtator 2014. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura