Fshehu dënimin, ish-gjyqtari pyetet dy orë në Prokurori. Dha shpjegime për…

Sep 25, 2018 | 21:04
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, është thirrur ditën e djeshme në Prokurorinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje në lidhje me procedimin penal të hapur ndaj tij për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

thanza4

Procedimi për Admir Thanzën ka nisur pasi ky i fundit ka fshehur një dënim në shtetin italian për “vjedhje”. Dënimi është zbuluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Thanza, i cili kishte probleme me pasurinë dhe integritetin e figurës, u shkarkua nga Komisioni. Megjithatë, ai është mbrojtur duke thënë se vjedhjen e kishte kryer ish-kunata dhe ky e kishte marrë përsipër për të mbrojtur nipin që duhej të operohej në Itali. Burimet thonë se ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndroi rreth dy orë në mjediset e Prokurorisë së Tiranës, ku ka dhënë shpjegimet e tij për çështjen në fjalë.

DËNIMI

Dënimi në Itali është zbuluar nga përfaqësuesit e ONMsë, pasi gjyqtari Thanza nuk e kishte deklaruar në formularët e dekriminalizimit. Ai kështu bëhet gjyqtari i parë që fsheh një dënim. Vetë Thanza dha shpjegime në fund të seancës, duke thënë se ka marrë përsipër veprimin e paligjshëm të ish-kunatës së tij për të shpëtuar jetën e nipit, që kurohej në Spitalin e Pizës nga një sëmundje e rëndë.

“Kam tentuar me sinqeritet maksimal që të shpjegoj edhe në e-maile, edhe në materialet që kam paraqitur, ekzistencën e dënimit. Kurrë në jetën time unë nuk mund ta bëja një gjë të tillë. Mora përsipër diçka për të mbrojtur një fëmijë të mitur. Ai është gjaku im, djali i vëllait tim. Fillimisht nuk e dija, sepse ajo ishte një marrëveshje mes avokatit dhe prokurorit dhe që më është thënë që nuk cilësohet si dënim”, ka sqaruar Thanza javën që shkoi.

KONTAKTET

Sipas raportit të DSIK-së, gjyqtari Thanza është i papërshtatshëm për detyrën. Thanza nuk ka deklaruar me vërtetësi një procedim penal të ngarkuar ndaj tij për korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve që ushtrojnë detyra publike. Kjo çështje rezulton që të jetë pushuar më 29 korrik 2016.

Gjithashtu, ai nuk e ka plotësuar me korrektesë formularin përkatës, pasi nuk ka deklaruar kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Ky veprim, sipas KPK-së, e ngarkon subjektin me përgjegjësi për plotësim të pasaktë dhe të pavërtetë të formularit. Kështu, DSIK-u ka konstatuar papërshtatshmëri të subjektit për të vazhduar detyrën. Ai ka pasur kontakte me ish-kryeregjistruesin e Shkodrës në kohën që ishte shpallur në kërkim. Gjithashtu, Thanza ka takuar edhe bashkëshorten e Sh.B., teksa kjo e fundit ishte nën përgjim.

Pas takimit në vitin 2016 në një lokal në Tiranë, shtetasja L.H. ka telefonuar Sh.B. duke i thënë se “pallati kushton 50 mijë euro”. Prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për gjyqtarin, por për moskompetencë e kaloi dosjen në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila pas dy muajsh e pushoi atë, duke mos administruar si provë një video ku shihet se gjyqtari shkëmben para me shtetasen L.H.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura