Fshehu 41 transferta, nën akuzë gjyqtari i Kavajës

Apr 20, 2015 | 18:17
SHPËRNDAJE

Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu

Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, përfundon i pandehur në Gjykatën e Tiranës me akuzën e “refuzimit për deklarim, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.

Lajmi është bërë i ditur dje nga Prokuroria e Tiranës, e cila njoftoi se ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në Gjykatë dosjen penale ndaj gjyqtarit të dyshuar. Sipas kërkesës për gjykim të Prokurorisë, hetimi ka nisur më 5 nëntor 2014 kur organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal ndaj gjyqtarit për veprën e “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë, pasurive, interesave privatë”. Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e materialit kallëzues depozituar pranë Prokurorisë, më datë 30.09.2014 nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. ILDKPKI ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal në ngarkim të shtetasit Osman Aliu, ndërsa më pas ka nisur hetimi për këtë çështje.

 HETIMI

Nga materiali kallëzues, si dhe nga hetimi, Prokuroria thotë se është provuar se ka mosdeklarime dhe fshehje në pasurinë që zotërohet nga gjyqtari. Sipas Prokurorisë, kjo ka dalë nga analiza e dokumentacionit të administruar nga ILDKPKI, lidhur me deklaratën e interesave privatë të subjektit Osman Aliu dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare. Sipas akuzës, në deklaratën periodike vjetore të vitit 2008, gjyqtari rezulton me një mosmbulim të pajustifikuar midis të ardhurave dhe aseteve neto, në vlerën 545 634 lekë. Nga verifikimi i dokumentacionit, lëshuar nga institucionet bankare, rezulton se subjekti deklarues nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare që nga viti 2005 e në vazhdim. Likuiditeti cash në fund të vitit 2013 rezulton të jetë në vlerën 3.130.000 lekë. Nga ana tjetër, në datë 17 janar 2009 është nënshkruar një kontratë huaje midis shtetasit K.K, në cilësinë e huadhënësit dhe subjektit deklarues Osman Aliu, në cilësinë e huamarrësit. Ky veprim juridik nuk është deklaruar nga subjekti. Prokuroria vë në dukje se nga dokumenti zyrtar i lëshuar nga kompania financiare vërteton se në periudhën kohore 2009-2013, gjyqtari ka dërguar jashtë territorit të Shqipërisë shumën prej 10.200 eurosh, veprime te cilat subjekti nuk i ka deklaruar.

TRANSFERTAT BANKARE

Lidhur me transfertat e kryera nga gjyqtari Osman Aliu, me procesverbalin e datës 23.02.2015, pranë kësaj kompanie financiare, është sekuestruar dokumentacioni për 41 transferta. Nga dokumentacioni i sekuestruar konstatohet se transferta e parë është kryer me datë 28.03.2009, dhe ajo e fundit me datë 17.12.2013. Pikat nga janë nisur këto transferta rezultojnë të jenë degët e kësaj kompanie në Kavajë dhe Durrës. Dërguesi në të gjitha transfertat është shtetasi Osman Aliu, pritës në transferta kanë qënë dy shtetas, të afërm të tij. Këto transferta nga gjyqtari nuk janë pasqyruar në dekleratat periodike 2009- 2013, të paraqitura prej tij në ILDKPKI.

APARTAMENTI

Nga dokumentacioni administruar me procesverbalin e datës 19.12.2014, konstatohet se shtetasi Osman Aliu, në cilësin e palës porositëse, me datë 02.11.2007 ka lidhur kontratë sipërmarrje ndërtimi me një subjekt ndërtues, për një apartament me sipërfaqe 69 m2, të cilit pasi t’i zbritet sipërfaqja 37.5 m2, duhet t’i paguante shoqërisë ndërtuese sipërfaqen 31.5 m2 në vlerën e 15 750 euro. Detyrimi për pagesën e kësaj shume është përcaktuar që të bëhet në tri keste nga shtetasi Osman Aliu, e konkretisht 3000 euro në momentin e lidhjes së kontratës. 5000 euro brenda datës 30.11.2008. Ndërsa 7750 euro në momentin e lidhjes së kontratës së shitblerjes. Sipas përcaktimeve të kësaj kontrate, subjekti Osman Aliu, sipas mandatarkëtimit të datës 15.11.2008, ka likuiduar detyrimin 5000 euro në favor të kompanisë së ndërtimit. Kjo shumë i është marrë hua shtetasit K.K. nga gjyqtari Osman Aliu, bazuar në kontratën e huas, datë 17.01.2009. Sipas Prokurorisë, këto veprime nga subjekti deklarues nuk janë pasqyruar në dekleratat periodike 2008-2013, të paraqitura prej tij në ILDKPKI.

NGA TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura