Fshehja e letrave për Frrokun, arrestohet shefi i Interpol Tirana. S’i përcolli Ministrisë së Drejtësisë materialet e Belgjikës

Mar 31, 2015 | 8:12
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Shefi i Zyrës Kombëtare Interpol Tirana, Artan Bajraktari, u arrestua mbrëmë nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Në pranga ra edhe shefja e Sektorit, Loreta Alla, e cila ka drejtuar Interpolin në vitin 2012.

Burime nga Ministria e Brendshme thanë mbrëmë se arrestimi i dy drejtuesve të lartë, u krye për akuzën “shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se nuk kanë vepruar në kohë në lidhje me rastin e deputetit Mark Frroku, i cili rezulton i kërkuar në Belgjikë. 

Mark Frroku/ Artan Bajraktari

Të njëjtat burime thanë se si Bajraktari, që drejton Interpolin nga tetori i vitit 2013, ashtu edhe Alla, e cila ishte në krye të kësaj zyre gjatë 2012-ës, nuk kanë përcjellë në kohë materialet që kërkonte Ministria e Drejtësisë për rastin “Frroku”.

Nga veprimet hetimore të kryera gjatë ditëve të fundit, SHÇBA, është provuar se dy drejtuesit e lartë kanë neglizhuar me detyrën, kanë vonuar kthimin e përgjigjeve drejt Ministrisë së Brendshme, ashtu edhe të asaj të Drejtësisë.

Nga të dhënat e deritanishme, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme konfirmon se ka verifikuar disa shkresa që i janë drejtuar Zyrës Kombëtare Interpol Tirana nga Komisariati nr.6 dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në të gjitha rastet, përgjigja ose është vonuar, ose nuk ka qenë ajo që pritej, duke hedhur dyshime edhe për ndonjë manipulim të mundshëm informacioni.

HETIMI
Deri paraditen e djeshme, para se SHÇBA të përgatiste provat për arrestimin e Artan Bajraktarit dhe Loreta Allës, ishin evidentuar të paktën tri shkresa për kthim përgjigje dhe vënie në dijeni, të cilave Zyra e Interpol Tiranës u është shmangur, ose ka vonuar.

Bëhet fjalë për një shkresë të Komisariatit nr.6 të Policisë së Tiranës, të vitit 2012, kur në krye të Interpolit ishte Loreta Alla. Në këtë shkresë i kërkohej Interpol Tiranës, që të kërkonte informacion në Bruksel për vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, pasi kishte të dhëna se në vitin 1999, ata ishin akuzuar për një vrasje atje, duke përdorur emrat e rremë, Liman dhe Azem Krasniqi.

Edhe pse vendimi nga Gjykata e Brukselit ishte dhënë që në vitin 2010 dhe Mark Frroku rezultonte i dënuar me 10 vjet burg e rrjedhimisht edhe i shpallur në kërkim, nuk u kthye asnjë përgjigje për Policinë e Tiranës. Veprimi u justifikua me vonesa nga pala belge, edhe pse kjo ende nuk është vërtetuar.

Një tjetër shkresë për kthim përgjigje dhe vënie në dijeni, mban datën mars 2014, kur në krye të Interpolit ishte Artan Bajraktari, ndërsa Alla shefe Sektori.

Lajmin e plote e lexoni sot ne “Panorama” print 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura