Fshatrat turistike, si do bëhet pagesa për truallin

Jun 16, 2015 | 23:05
SHPËRNDAJE

Pas mbylljes së procesit të vetëdeklarimit, për familjet që kanë blerë apartamente në fshatrat turistike, ALUIZNI ka përcaktuar afatet dhe mënyrat e pagesës së truallit.

Qeveria gjate nje mbledhje
Me anë të një vendimi, i cili është botuar dje në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se qytetarët do të kenë 6 muaj kohë për të kryer pagesën e llogaritur për parcelën ndërtimore. Më pas do të aplikohen penalite. Vlera e faturuar, për çdo muaj vonesë do të rritet me 10%.

VENDIMI

Në vendimin për disa ndryshime në mënyrën dhe llogaritjen e afateve të pagimit të çmimit të tokës në zonat me përparësi turizmin janë përcaktuar edhe lehtësira. Kështu, familjeve që do të kryejnë pagesën brenda një muaj nga dita e njoftimit, do t’u zbriten 10% nga shuma e faturuar. Veç kësaj, vendimi sjell ndryshim edhe në mënyrën e pagesës. Qytetarët nuk do të kenë më mundësi për shlyerje të tarifës me këste. Sipas vendimit, ajo do të duhet të bëhet e plotë dhe brenda një periudhe 6-mujore. Më parë, krahas pagesës së plotë, ishte si opsion edhe pagesa në mënyrë periodike. Por vonesat që ka sjellë kjo skemë e aplikuar më herët ka sjellë domosdoshmërinë e rishikimit, e më tej ndryshimit të saj. “Nëse pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit nuk kryhet brenda afatit të parashikuar, mbi vlerën e detyrimit llogaritet penalitet në masën 10% të çmimit total të truallit ose pjesës takuese, për çdo muaj vonesë, me kusht që masa e penalitetit të mos e kalojë këtë çmim, apo vlerën e pjesës takuese, sipas rastit”, përcakton vendimi i ALUIZNI-t.

LIGJI I RI

Vitin e kaluar u miratuan ndryshime në ligjin për legalizimet në zonat turistike, të pozicionuara kryesisht përgjatë vijës bregdetare. Për herë të parë u përcaktuan që të drejtën për të marrë lejen e legalizimit dhe hipotekën ta kishin edhe familjet që kanë blerë apartamente në këto zona. Pra kjo procedurë nuk mbeti e ngushtuar vetëm tek investitori. Në rastet kur nuk aplikon drejtpërdrejt subjekti, aplikon vetë qytetari që e ka blerë apartamentin apo banesën. Më herët, kreu Agjencisë së Legalizimeve Artan Lame ka bërë të ditur se numri i familjeve të cilat kanë blerë banesa në këto zona shkon deri në 15 mijë, ndërsa vetëm për rreth 3000 prej tyre kanë përfunduar procedurat. Para disa muajsh, Agjencia e Legalizimeve çeli fazën e vetëdeklarimit, duke u dhënë mundësi qytetarëve që nuk kishin deklaruar më herët të plotësonin formularin, si edhe të depozitonin dokumentet e nevojshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura