“Fshati i ri, si ‘qershia mbi tortë’ për familjet e tërmetit”- Veliaj nga Peza: Opozita pa perspektivë dhe të ardhme

Jun 26, 2022 | 12:18
SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është takuar me socialistët në Pezë. Gjatë fjalës së tij, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës tha se “fshati i ri që po ndërtohet në Pezë do jetë ‘qershia mbi tortë’ pas Vaqarrit dhe Ndroqit”.

erion veliaj

“Fshati i ri në Pezë do të jetë “qershia mbi tortë” pas Vaqarrit dhe Ndroqit. Por, duhet të kuptojmë se vota ka rëndësi dhe nuk është tifozeri. Është e rëndësishme që fëmijët të rriten në një zonë urbane, ku shkollën e kanë afër, po ashtu edhe kopshtin, ku kanë mundësi të mësojnë si kodohet, të ndjekin një kurs muzike apo të merren me sport. Para Ndroqit, hapëm fshatin e ri në Vaqarr, i cili ndodhet vetëm një stacion autobusi nga Kombinati”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme vendore duhet të jenë model, teksa thumboi opozitën duke thënë se është pa perspektivë dhe pa të ardhshme.

“Këto takime janë edhe një mundësi për të komunikuar me njerëzit, për t’u thënë se kur votoni për Partinë Socialiste, nuk votoni për çunin apo gocën e mirë të fshatit, por për njerëz që ndihmojnë njerëz, që provuan se në ditët më të vështira, ishin aty, reaguan, shpëtuan njerëz dhe në ato ditë të vështira ndërtuan këto realitete të reja. Ne jemi duke menduar kë do të ndihmojmë tani, çfarë ngërçi do të zhbllokojmë tani, çfarë situate do të zgjidhim tani. Për partitë e tjera njerëzit nuk kanë kuriozitet se ato një herë i drejton burri, një herë gruaja. Kurse partinë tjetër një herë e drejton një non-grata, një herë non-grata tjetër. Edhe ithtarët e tyre e dinë se janë pa perspektivë, pa të ardhme, nuk kanë vota se nuk i mbështet njeri njerëzit që përçajnë të tjerët, që i dhunojnë të tjerët, që i pengojnë të tjerët. Unë dua që këto zgjedhje të jenë model”, theksoi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura