Fryma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Jun 10, 2018 | 17:52
SHPËRNDAJE
Sami Repishti
Sami Repishti

Sami Repishti

(Shenim: “ …. I vetmi mjet për ta çuar zërin e tyre në Konferencën e Berlinit qenë protestat dhe memorandumet. Për këte qellim, në të katër anët e vendit u organizuan përsëri nën drejtimin e organeve të Lidhjes së Prizrenit mbledhje të gjera popullore, në të cilat u shpreh edhe njëherë vendosmëria për të mos lejuar asnjë coptim të trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Nga të katër anët e vendit u hartuan me një përmbajtje të tillë, një varg protestash, të cilat iu drejtuan telegrafisht Konferencës së Berlinit. Rëndësi të veçantë patën tri peticionet derguar veç e veç në qershor (1878) nga Komitetet Ndërkrahinore të Lidhjes Shqiptare për vilajetin e Janinës, për atë të Kosovës (i Prizrenit) dhe për vilajetin e Shkodrës (13 qershor 1878). Nënshkruesët e këtyre akteve kërkonin respektimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në fushën e tërësisë territoriale, vinin në dukje padrejtësinë e pretendimeve territoriale greke dhe pasojat që do të kishin shqiptarët në se ato nuk do të pranoheshin. Në peticione, me një ton diplomatik, shprehej besimi se Fuqitë e Mëdha do të merrnin në konsideratë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, por theksohej njëkohësisht, se ata ishin të vendosur  të kundërshtonin me armë coptimin e trojeve të tyre amtare…” (f.193)

(ASHSH.Instituti i Historisë.Historia e Popullit Shqiptar,II,( Toena: Tiranë,2000)

*****

10 qershor 1978.- Kur flasim për frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LPSH) kemi ndërmend esencën jetëdhanëse të kësaj lëvizje kombëtare shqiptare, fuqinë mendore të gjallënueme, nxitjen e mbrendëshme dinamike, vendosmeninë, kambënguljen, entuziasmin dhe guximin që treguen shqiptarët në Prizren e rreth e rrotull Shqipënisë gjatë viteve 1878-1881, gjithçka që i mobilizoi ata dhe i përgatiti t’u përgjigjen kërkesave të imponueme nga nevojët e kohës. Evolucioni politik i mavonëshëm i Kosovës ashtë shpalosja e kësaj rryme gjatë këtyne njiqind viteve të fundit, influenca mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe natyra e përgjegjes së dhanun nga ajo popullsi.

Dy veçori dalluese të përgjegjes së dhanun janë të nji randësie të veçantë;

E para, përpjekja dhe programi i LSHP karakterizohen nga besimi i shqiptarëve në aktet legjislative konstitucionale, nji besim që vazhdon edhe sot.

E dyta, forca ashtë përdorue vetëm “si mjeti i fundit”, dhe ashtë imponue nga situata e krijueme nga arbitrariteti i anmikut, nji fenomen që vazhdon edhe sot.

Që nga fillimi Lidhja ishte në favor të procedurave legale dhe mjeteve paqësore në raportet e saj me Portën e Naltë; ajo u tregue e predispozueme me interpretue në mënyrë të favorëshme dispozitat e Traktatit të Berlinit (korrik, 1878) që sugjerojshin nji trajtim autonomie për krahinat jo-turke të imperatorisë osmane. Abdyl Frashëri përgatiti programin e tij të autonomisë në bazë të rregulloreve organike të vitit 1868, të sugjerueme ma vonë nga ai Traktat, program i cili u pranue nga Lidhja në tetor 1879. Veprimtaria e shqiptarëve mori forma kërcënuese vetëm kur heshti zani i arsyes dhe rreziku i coptimit të tokëve shqiptare u tregue real dhe imediat. Mbas tregëtimit me tokat shqiptare të Shpuzës, Podgoricës, Medunit, Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë e sidomos me dorëzimin e Ulqinit (nandor 1880) mundësia e sigurimit të autonomisë nga Porta u pakësue shumë. Kunder-reaksioni u zhvillue menjiherë në Prizren, dhe Lidhja ra nën influencën e autonomistëve të vendosun për aksion.

E bindun në avantazhin e përdorimit të mjeteve paqësore Lidhja bani përpjekje tue kërkue ndërmjetësinë e diplomacisë austriake pranë qeverisë turke në favor të autonomisë shqiptare. Turqia dyshoi për qellimet e kësaj ndërhymje, kercënoi dërgimin e trupave, dhe nën persionin e forcave centraliste të Qeverisë filloi ekspeditën ushtarake ndeshkimore kundër shqiptarëve. Lufta u ba e paevitueshme dhe nji akt vetëmbrojtje që forcoi edhe ma shumë ndërgjegjen kombëtare të nji popullsie të shtypun, aspiratat e tyne, dhe peshën e tyne në arenën ndërkombëtare.

Njizetë-e-pesë vjet ma vonë, në fruer 1902 nji grup shqiptarësh kërkuen nga Fuqite e Mëdha ndërhymjen pranë Turqisë me qellim që të rivendosen parimet e Kushtetutës së vitit 1876 (e njohun si Midat Constitution) e cila garantonte të drejtat kombëtare të kombeve jo-turq. Insistimi i shqiptarëve në garancitë kushtetuese dhe në nevojën e normalitetit parlamentar, garanci që do të përfshijshin të gjitha kombësitë e perandorisë osmane, vazhdoi edhe mbrenda grupit shqiptar të Turqëve te Ri, para revolucionit (të vitit 1908).

Kur Kushtetuta u vendos (korrik, 1908) shqiptarët u përgjigjen me hapjen e klubeve si mjet evolucioni demokratik drejt autonomisë. U mbajt Kongresi i Manastirit (nandor, 1908) i cili tregoi se tendenca separatiste tashma as mund të mohohej, as mund të pengohej përsëri. Në Parlamentin turk të dhetorit 1908, katër vilajetet kryesisht shqiptare, u përfaqesuen nga 26 deputetë: grupi i shqiptarëve u angazhue për ndryshime mbrenda kuadrit ligjor. Kur Turqit e Ri nuk mbajtën premtimet, shqiptarët refuzuen të nënshtrohen. Ballafaqimi u ba i paevitueshëm dhe solli kryengritjet e Kosovës të viteve 1909-1912, çetat e Jugut dhe lëvizjet e malësive të Veriut, që përfunduen në pavarësinë e vitit 1912, me ngritjen e flamurit në Vlorë.

Ngjarjet që vijuen krijuen nji situatë të re në Ballkan, e veçanërisht në Shqipëni; gjysma e saj fitoi pavarësinë shtetnore, ndërsa gjysma tjetër mbeti jashtë kufinjve të tanësisë territoriale shqiptare, viktimë e nji arbitrariteti diplomatik. Evolucioni i kësaj gjysme të aneksueme ushtarakisht, që kaloi nepër fazat ma kritike nuk ka gjetë solucionin e vet të natyrëshëm as edhe në ditët tona , dhe ashtë tema e studimit tonë.

Data 20 mars 1913, që shenon marrëveshjen e Fuqive të Mëdha në lidhje me kufinjtë veri-lindorë të Shqipënisë, mund të konsiderohet si data e fillimit të problemit bashkëkohor kosovar, si nji kapitull më vete i historisë bashkëkohore të shqiptarëve. Me largimin definitiv të Turqisë nga Shqipënia (qershor,1913) zhvillimi i ngjarjeve implikoi kryesisht dy elementë esencialë të dramës që vazhdon ende sot: agresorët ballkanikë dhe viktima shqiptare. Nji rol sekondar ashtë luejtë edhe nga Qeveria e Shqipënisë dhe emigracioni i jashtëm kosovar. Menji fjalë, drama përfaqëson forcën brute që mohon organizimin e nji populli në nji institucion të aftë me mbrojtë interesat kolektive të bashkësisë, si dhe vktimën që lufton për identitetin e vet kombëtar në territore me bazë kombëtare (shumicë dhe kompaktësi) si dhe të drejtën e njohjes nga bashkësia ndërkombëtare të këtij identiteti kombëtar shqëptar.

Luftat e parë dhe e dytë ballkanike kundër Turqisë sollën shkatërrimin e kësaj të fundit dhe fitoren ushtarake të aleatëve ballkanikë, në rradhë të parë të Serbisë dhe Malit të Zi. Me Traktatin e Berlinit. Mali i Zi kishte okupue Tivarin, Medunin, Shpuzën, Podgoricën, rrethin e Zhabjakut, dhe me 1880, edhe portin e Ulqinit. Me 8 tetor 1912, ai sulmoi përsëri Turqinë, dhe mbasi aneksoi ushtarakisht Plavën e Gucinë, sulmoi Shkodrën të cilën e okupoi mbas shtatë muej rezistence (prill, 1913) dhe nga e cila u detyrue të largohet. Mbas luftës së dytë ballkanike, Mali i Zi aneksoi Pejën me rrethe dhe gjysmën e Sanxhakut të Novi Pazarit, tue përfshi nji popullsi prej afër 105.000 shqiptarësh. Serbia, nga ana tjetër, me 1878, aneksoi ushtarakisht krahinat kryesisht shqiptare të Prokupljes, politik Kurshumlisë, Medvegjës, Vranjës, Bujanovcit e Preshevës, me nji popullsi prej 200-300.000 shqiptarë. Me luftat ballkanike të viteve 1912-13, Serbia aneksoi ushtarakisht, në mes tjerash, të gjitha trojet tjera shqiptare sot (1978) në Jugosllavi, dhe gjysmën tjetër të Sanxhakut të Novi Pazarit. Ndamja e Sanxhakut në mes të dy mbretnive serbe e malazeze bashkoi kufinjtë e dy shteteve sllave dhe hapi rrugën për bashkimin e tyne në nji shtet të vetëm (dhetor 1918). Bashkimi i kufijve mbylli gjithashtu edhe popullsinë kompakte shqiptare në perendim te Ballkanit mbrenda hallkave të nji rrethi shtetesh anmiqsorë e te frymëzuemë nga kujtimet e imperatorive të tyne mesjetare (Car Dushani dhe Bizanci).

Okupacioni ushtarak i forcuem i trojeve shqiptare nga Serbia e Mali i Zi shkaktoi reaksionin e parë të Kosovës me rezistencën e armatosun të tetorit 1913, rezistencë e cila mori formën e nji kryengritje të përgjithëshme që u shtyp me gjak. Masakrat sistematike dhe të pa ndërpreme serbo-malazeze shkaktuen kryengritjen e dytë kosovare që shpërtheu në nandor 1915, dhe që u qetësue vetëm mbas hymjes së ushtrisë serbe dhe largimit të saj nga Kosova (dhetor, 1915).

Por Lufta e Parë Botënore gjeti Serbinë dhe Malin e Zi në kampin e fituesve. Kjo fitore e serbëve tërhoqi shumë sllavë të Jugut kah bashkimi i tyne; kercënimi italian e shpejtoi këte bashkim edhe ma shumë. Mali i Zi u inkorporue me forcë nga Serbia, dhe me 1 dhetor 1918 u themelue Shteti jugosllav i Mbretënisë së Serbisë Kroacisë, dhe Sllovenisë (SHS). Konferenca e Paqës u tregue dorëgjanë me Serbinë, ndërsa Kushtetuta e parë e vitit 1921 konsolidoi frymën centraliste të serbëve. Nji projekt kushtetute që parashikonte ndamjen e shtetit në unitete administrative autonome nuk u muer në konsideracion. As njena as tjetra “Kushtetutë” nuk premtuen vetë-qeverisje për shqiptarët e Jugosllavisë…..

Mbizotënimi i kësaj atmosfere në Jugosllavi, përfundoi në diktaturën ushtarake të 9 janarit 1929 dhe ramjen e Jugosllavisë në prehnin e Italisë fashiste. Në vitin 1941, me shkatërrimin e Jugosllavisë nga forcat e Boshtit (Itali e Gjermani) konfirmoi se asnji parti politike jugosllave nuk pati guximin me dalë në skenë me nji platformë politike të nji Jugosllavie si ajo e para-luftës…..

(Pjesë nga studimi: Sami Repishti. “Fryma e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit dhe Evolucioni Politik i Kosovës: Njiqind vjet histori”, Njiqind Vjetori i Lidhjes Së Prizrenit, 1878-1978 (K.K.Shqipëria e Lirë: Romë,Chicago,1978)

******

10 qershor 2018.- Ky boshllek politik u mbush nga Partia Komuniste Jugosllave e cila u paraqit me alternativën e saj federative.

Që nga krijimi i saj deri në shkatërrimin e Luftës (1918-1941)ekzistenca e nji Shqipërie si shtet i lirë ka qenë e papranueshme për Jugosllavinë. Serbët e kishin të qartë apelin e fortë të popullsive sllave në ish perandorinë austro-hungareze dhe dëshiren e tyne për vetë-vendosje. Nji fenomen natyral i këtill do të ngjante edhe me marrëdhanjet në mes të Kosovës e Shqipërisë; si rrjedhim nji nder pikat kryesore të politikës jugosllave ka qenë dhe mbetet neutralizimi i plotë i Shqipërisë. Ky “fenomen” nuk i shpëtoi vemendjes së komunistëve jugosllavë: Shqipëria duhej “eliminue” praktikisht si rrezik, pa qenë nevoja për pushtimin e saj ushtarak.

Për këte qellim, udhëheqsi komunist jugosllav, J.B.Tito, filloi dergimin e emisarëve politikë jugosllavë në Shqipërinë e okupueme me qellim të dominohej veprimtaria politike në atë vend, ose të kontrollohej nga elementi jugosllav.

Kjo strategji u plotësue me taktikën e njohun komuniste: formimin e nji partie komuniste shqiptare të varun verbënisht nga strukturat partiake jugosllave. Me 8 nandor 1941, dy emisarë jugosllavë, organizatori Miladin Popoviq dhe “muzhiku” kriminel Dushan Mugosha, organizuen mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare, përpunuen programin, dhe në organizimin e saj vendosën si sekretar të përgjithshëm nji element politikisht të papjekun, ambiciozin, Enver Hoxha, student universitar i falimentuem, i gatëshëm për aventurë!

Nën maskën e rezistencës kundër okupatorit “fashist” Partia Komuniste Shqiptare-PKSH- filloi organizimin e luftës kundër të huejit me parulla nacionaliste tue ba thirrje sentimentit të përgjithshëm anti-fashist të popullsisë shqiptare, dhe pak nga pak tue dominue skenën politike të rezistencës me mashtrime propagandistike të shoqënueme me terror. Të udhëzuem nga J.B.Tito, ata njohën koalicionin antifashist anglo-sovjeto-amerikan dhe u deklaruen si pjesë e tij. Nji qendrim i këtill, politikisht korrekt, sherbeu shumë mirë me ngritë prestigjin e tyne në vend dhe në botën e jashtëme. Kjo rritje prestigji u shoqënue me eliminimin e çdo lëvizje të rezistencës që nuk nënshtrohej ndaj PKSH.

Esenca e njimendtë e programit të PKSH u pa e qartë kur ata pranuen që levizja e rezistencës kundër okupacionit në Kosovë , e drejtueme nga komunistët, u lejue të mbetet pjesë e PK Jugosllave dhe pjesë e pandame e strukturave të saj. Kosova u sakrifikue me “bekimin” e komunistëve shqiptarë, me gjithë vendimet e Konferencës së Bujanit (dhetor-janar 1943-44) ku u muar vendimi që Kosova dhe Metohia të ishin pjesë të pandame të Shqipërisë.  Nji vendim i këtill, u kritikue randë, u dënue nga PKJ dhe Tito, dhe u kushtoi jetën shumë ish komunistëve shqiptarë. E  gjithë kjo n ´emën të “vëllaznimit”, dhe të inkuadrimit të Shqipërisë në suazën e Federatës Jugosllave. Kështu eliminohej “rreziku shqiptar” përfundimisht.

Në qershor 1945, nji Kongres i mbajtun në Prizren anuloi vendimin e Bujanit, nën kercënimin e mitrolozave, dhe i aneksoi Kosovën “Serbisë federale” si “pjesë përbase” e kësaj republike, me autonomi të kufizueme si “krahinë” e saj. Vitet që erdhën karakterizohen nga seri shtypjesh të vazhdueshme të popullsisë shqiptare në “Kosovë e Metohi” dhe largimin e detyrueshëm të shqiptarëve në Turqi.

Por fryma e krijueme nga LSHP në vitin 1878 nuk u shue! Demonstratat dhe protestat popullore u rritën, nji lëvizje paqësore por aktive dhe e suksesëshme  u hap në të gjithë Kosovën, dhe në vitin 1998 mori formën e rezistencës ushtarake. Nga ana e Shqipërisë komuniste, kjo periudhë, 1948-1990, karakterizohet nga mbajtja e “relacioneve shtetnore normale me Jugosllavinë”, tue shfrytëzue armën ideologjike për sulme kundër “revizionizmit jugosllav”. Fjalimi i ish kryeministrit komunist Mehmet Shehu, në vitin 1958: ”Na nuk kërkojmë sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë” mbetet parimi bazë i politikës së komunistëve të Tiranës ndaj Jugosllavisë ….dhe në kurriz të Kosovës.

Në qershor të vitit 1999, forcat aleate të Botës së Lirë, dhe rezistenca e armatosun e shqiptarëve të Kosovës, detyruen Serbinë me lanë Kosovën mbas nji bombardimi ajror prej 78 ditësh. Me 17 shkurt 2007, Kosova shpalli pavarësinë e plotë të “Republikës së Kosovës”, sot e njohun ndërkombëtarisht prej 114 shteteve. Mbetet pranimi i Republikës së Kosovës si anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkueme, nji detyrë që kërkon përkrahjen tonë  gjithëshqiptare.

Çdo njeni nga ne refuzon me kambëngulje përdorimin e forcës si mjet zgjidhje të problemeve tona kombëtare. Megjithate, që nga zemrimi i Moisut e deri te demonstratat e Kosovës e Tetovës e marshimet e puntorëve të Trepçës, nji mësim na vjen i qartë, aq i qartë sa dhe vetë drejtësia e mesazhit te tij: ekziston nji e drejtë hyjnore për revoltim kurdoherë që e keqja kalon kufinjtë e durimit .

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura