Fryma e Jezebelit

Sep 16, 2011 | 11:02
SHPËRNDAJE

OLSI BAZE

Toka është burimi kryesor i jetës, së bashku me ujin. Prej tokës fillon dhe mbaron ekzistenca e njeriut. Prej saj u krijua njeriu i parë, mbijetoi falë saj dhe iu kthye sërish asaj kur i shteroi fryma e tij. Duke mbartur një rëndësi kaq vitale, nënkuptohet se njëkohësisht ajo është bartëse konfliktesh, dhune dhe problemesh, të cilat vështirësojnë jetën njeriut dhe të komunitetit.  Toka ishte arsyeja kryesore përse Abeli vrau vëllain, Kainin. Vrasja e parë në historinë e njerëzimit, sipas shkrimeve të shenjta, ishte një krim brenda familjes për shkak të tokës dhe xhelozisë.
Stina e verës që po lëmë pas ishte e mbushur me kronikat e mediave që njoftonin disa raste dramatike të krimeve që lidhen me tokën. Gazetarët dhe organet policore i cilësojnë këto të fundit si “krim për çështje pronësie”, por thelbi i çështjes së pronësisë është toka. Konflikti për pronën ka qenë arsyeja kryesore përse vëllai ka vrarë vëllanë, babai djalin, kushëriri kushëririn, duke i hapur shtegun një spirale dhe vrasjesh që nuk njohin fund dhe përcillen nga brezi në brez duke instaluar frymën e vdekjes dhe hakmarrjes. Rasti i fundit i vrasjes makabër të një gjyqtari, shërbëtor të shtetit, në mes të qytetit të Vlorës,  sipas hetimeve të para, ka shumë gjasa të lidhet me një çështje pronësie. Gjithsesi, kjo mbetet ende një pistë dhe nuk duhet spekuluar mbi motivet djallëzore të një ekzekutimi terrorist.
Çështja e pronësisë në një shoqëri të trazuar krijon shqetësim të madh jo vetëm për të tashmen, por edhe të ardhmen e shoqërisë dhe zhvillimin e vendit. Prodhon krimin më makabër që njeh një shoqëri, vrasjen, marrjen e jetës, të drejtë të cilën e ka vetëm Krijuesi. Konflikti i pronësisë mbyt iniciativën ekonomike, investimet, zhvillimin, vret progresin dhe ndërtimin e ëndrrës. Më keq akoma, kjo çështje behët kapitale kur pengon procesin e integrimit europian të një vendi. Raportet e organizatave ndërkombëtare si OSBE dhe DASH, e kanë renditur zgjidhjen e çështjes së pronësisë si një nga problematikat që kërkon zgjedhje të menjëhershme, madje është kusht themelor që Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat të BE.
E thënë shkoqur, çështja e pronësisë na ndan nga ajo që konsiderohet si “shoqëri e qytetëruar” në të cilën duam të bëjmë pjesë edhe ne. Kronikat e zeza që lidhen me këtë çështje, të dëgjuara dhe të lexuara në masmedia, më kanë bërë të mendoj thellë për një histori që ka ndodhur mijëra vite më parë, në një rajon ku ende konflikti për tokën mban në luftë dy popuj të lashtë, izraelitët dhe palestinezët. Tek ajo historia na përcjell tre elemente që vlejnë për problematikën tonë.
Shekuj më parë, Jezebel, një princeshë feniciene, vajza e mbretit Itobal, iu dha për bashkëshorte mbretit Ashab, i cili mbretëroi për 22 vjet në mbretërinë më të rëndësishme të Lindjes së Mesme. Martesa e tyre u celebrua për ruajtjen e ekuilibrave ushtarakë dhe garantimin e paqes midis dy mbretërive të zhytura në luftëra mijëravjeçare. Sipas arkeologëve, Jezebelit do të thotë “e paturpshme”. E tillë ajo ishte në të vërtetë.
Mbas vdekjes së bashkëshortit së saj ajo u kthye në një nga mbretëreshat më të fuqishme dhe më influente në rajonin e Lindjes së Mesme. Fundi i Jezebel ishte makabër, nga manipulimet dhe krimet e saj ajo u var dhe trupi u shqye dhe përfundoi ushqim për qentë.
Historia e saj lidhet me një krim që organizoi dhe kreu ndaj një qytetari të thjeshtë të mbretërisë. Viktima, Naboti, zotëronte një vresht shumë afër pallatit mbretëror, të cilën dëshironte ta blinte mbreti Ashab. Pronari legjitim i tokës refuzoi ofertën sepse  trashëgimia që i kishin lënë të parët e tij ishte e shenjtë dhe, si e tillë, nuk shitej. Mbreti, i mërzitur nga përgjigjja negative, kaloi në depresion. Mbretëresha, duke parë gjendjen shpirtërore, duke konsideruar që mbretit nuk i refuzohej asgjë (koncepti i pushtetit absolut), iu betua atij se me hir a pahir do t’ia jepte atë vresht në zotërim. Mbetej tashmë të ndërtohej skenari i tjetërsimit të pronës.
Me frymën e revanshit dhe dëshirës për të keqpërdorur pushtetin ajo falsifikoi vulën mbretërore, ngriti akuza të rreme ndaj pronarit të vreshtës dhe e çoi çështjen përpara gjykatësve. Akuza ndaj Nabotit ishte se ky i fundit kishte mallkuar mbretin dhe Zotin. Të manipuluar dhe të korruptuar, gjykatësit e dënuan me vdekje. Jazabeli kreu krimin më të rëndë, vrasjen, për të grabitur pronën private duke manipuluar me dëshmitarë dhe dokumente të rreme sistemin e drejtësisë për  qëllimin e saj. Plani i saj ishte i ndërtuar me një frymë shkatërruese, vrasëse dhe manipulimi.
Kjo histori na mëson se manipulimi i sistemit gjyqësor me dëshmitarë dhe dokumentacion të rremë solli lapidimin e të zotit të vreshtës dhe ajo u ble me një shumë të vogël nga mbreti, sepse ngeli pa pronar legjitim. Shpërdorimi i pushtetit duke manipuluar institucionet mbretërore, të cilat u bënë  bashkëfajtore në dënimin e një njeriu të pafajshëm sepse donte të mbronte trashëgiminë e të parëve të vet.
Ngjarja e ndodhur mijëra vjet më parë na risjell para syve trishtueshëm realitetin tonë. Problemet që krijon moszgjidhja e çështjes së pronës private, lukuninë e pasojave dhe funksionimin e institucioneve tona publike. Nëse Drejtësia dhe gjyqtarët u manipuluan nga Jezebeli shekuj me parë, ky realitet nuk ka ndryshuar, madje ekziston si frymë e përgjithshme. Vendimet e dhëna me dëshmitarë falsë dhe dokumente të falsifikuara ende ekzistojnë, dhe ato dënojnë sërish me vdekje jo në mënyrë direkte, por në mënyrë indirekte. Një vendim i padrejtë sjell veçse larje hesapesh dhe, si rrjedhojë, kjo frymë pengon jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe atë politik dhe social të një vendi.
Për të mos lejuar këtë frymë të Jezebelit që të vendoset përherë në mes të shoqërisë sonë të brishtë, na duhet të kujtojmë atë thënien e famshme të një shefi indian në Amerikën e Veriut. Ai u shfaros për shkak të tokës së bashku me fiset indiane që banonin Amerikën e dikurshme, për hir të mbërritjes së një lloj tjetër popullate në kontinentin e ri. Sitting Bull, ose “Demi i ulur” në shqip, ky shef i madh, afirmonte pa hezitim se: “Toka nuk i përket njeriut, por njeriu i përket tokës”. Në rastin tonë, na mbetet ta rivlerësojmë këtë thënie duke afirmuar se “prona private nuk i përket njeriut, por njeriu pronës private”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura