Fryma antiamerikane e Kushtetutës Rama i ka përballë të gjithë edhe ambasadoren Kim

Jul 23, 2020 | 9:54
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI fitim zekthi

Vendi i cili prodhoi demokracinë më të fuqishme dhe rendin politik më të qëndrueshëm përballë shumë idesh totalitare apo frymëzimesh tiranike që prodhuan ploja të rënda gati kudo, është SHBA-ja. Për më shumë se dy shekuj e gjysmë, ajo mbetet ndoshta eksperimenti më i madh (siç e quajtën vetë themeluesit e saj) në histori në mbrojtje të lirive dhe dinjitetit njerëzor.

Ndryshe nga çdo vend tjetër, SHBA-ja nuk ra asnjëherë nën kontrollin e tiranive të poshtra të fashizmit dhe të komunizmit, të cilat masakruan shumicën e vendeve të perëndimit dhe të botës. Ndryshe nga shumë vende të tjera, SHBA nuk ka vuajtur që nga themelimi prej ndonjë autokracie apo ndonjë forme totalitarizmi.

Synimi kryesor i Etërve Themelues të saj ishte që të ndërtohej një sistem politik dhe qeverisës, që të shmangte me çdo kusht tiraninë. Në të vërtetë, mendimi politik që po frymëzonte dhe formësonte sistemet qeverisëse, në Europë dhe SHBA sidomos, synonte në radhë të parë shmangien e tiranisë. Gjithë vepra e John Lock-ut, e Charl Montesqieu-së, e Walter Bagehot etj., flasin për këtë gjë. Gjithë fryma e “Deklaratës së Pavarësisë”, e “Letrave të Federalistit”, gjithë thelbi i mendimit të James Madison, Benjamin Franklin, Thomas Jefferson, Joe Wilson etj., flasin për këtë gjë.

Qeveria duhet të jetë e kufizuar dhe duhet të ketë pushtet të kontrolluar, duhet me çdo kusht të shmanget tirania e shumicës dhe shkatërrimi i lirive të njerëzve si pasojë. James Madison shkruan në “Letrat e Federalistit” se jo vetëm nuk duhet të ketë një shumicë të fortë që të ketë mundësi të bëhet tiranike, por duhet që brenda vetë shumicës të ketë fraksione në mënyrë që ajo të mos ketë mundësi të marrë vendime arbitrare.

Në gjenezë të këtij mendimi qëndronte ideja se njeriu mund të bjerë lehtë pre e pasioneve dhe epsheve, e orekseve dhe dëshirave për pushtet të madh, për sundim, për dominim. Duke qenë kështu, atëherë ky njeri, kur ka pushtetin që i jep qeveria, mund të bëhet i rrezikshëm dhe ndaj qeveria duhet të jetë e kufizuar dhe e kontrolluar.

Kjo zhvendosje drejt lirisë dhe të drejtave të individit duke e bërë qeverinë të kufizuar, me pak pushtet dhe të kontrolluar përbën thelbin e sistemit politik dhe qeverisës sot.

Edmund Burke shkruante se “njerëzit janë të lejuar të ushtrojnë liritë në përpjesëtim të drejtë me zinxhirët që kontrollojnë apo mbajnë lidhur orekset e tyre. Shoqëria nuk mund të ekzistojë në qoftë se nuk ekziston një pushtet kontrollues. Është e ngulitur në vetë thelbin e përjetshëm të gjërave se njerëzit me mendje të çartur nuk mund të jenë të lirë. Vetë pasionet e tyre farkëtojnë hallkat e zinxhirëve të tyre”.

Ky mendim, kjo frymë, jo vetëm u bë zemra e Kushtetutës së SHBA-së dhe e gjithë asaj që është SHBA-ja, por u mishërua në kushtetutat dhe synimet e sistemeve politike kudo në botë. Edhe Koreja e Jugut apo Japonia, edhe Malajzia apo Argjentina, kanë në qendër të kushtetutave të tyre këtë frymë të qeverisë së kufizuar dhe të kontrolluar.

Duke qenë kështu ndryshimi i kushtetutave, të cilat janë kontrata sociale që i mban njerëzit bashkë në një shtet, u bë një gjë shumë e vështirë. Jo vetëm që nuk i lejohet një shumice të vogël qeverisëse që të ndryshojë Kushtetutën, por asaj i kërkohet të arrijë konsensus të gjerë dhe madje të marrë në shumë raste edhe miratimin e gjithë popullit. Tiranitë, komunizmi, fashizmi me tmerret që prodhuan dhe me mënyrën sesi përdorën legjislacionin dhe shtetin, i bënë vendet dhe liderët politikë të vendosnin kufizime shumë më të mëdha për të ndryshuar Kushtetutën pas Luftës së Dytë Botërore.

Kushtetuta e Republikës së Veimar-it në Gjermaninë e Pasluftës së Parë Botërore mund të ndryshohej me katër të nëntat e Rajhstagut dhe Hitleri thuajse qartësisht e abrogoi atë. Stalini e ndërroi Kushtetutën në vitin 1936 së bashku me rregullat apo statutin e Partisë Komuniste dhe i vuri Kushtetutës emrin e tij. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe për shkak të këtyre mësimeve të dhimbshme, ndryshimi i Kushtetutës u bë diçka mjaft e vështirë.

U bë një ndarje e qartë mes atyre që janë ndryshime rrethanore apo procedure dhe atyre që janë ndryshime substanciale. Ndryshimet substanciale duhet të votohen doemos në popull, kudo, me përjashtim të SHBAsë. SHBA-ja, duke qenë vend federal, kërkon miratimin e ndryshimeve nga dy dhomat e kongresit me dy të tretat dhe miratimin e të paktën të tre të katërtave të shteteve.

Shkurt, Kushtetuta, si kontrata që i mban bashkë njerëzit në një shtet dhe që përcakton thelbin e qeverisjes dhe të garantimit të lirive dhe të drejtave, ndryshohet me shumë zor dhe kërkon trupa parlamentare të fuqishme dhe legjitime.

Kryeministri Rama, në Shqipëri, në një mënyrë që do të çudiste edhe autokratët më të zellshëm dhe më arrogantë në botë, po shkon drejt ndryshimeve kushtetuese krejt kundër gjithë frymës së një rendi politik me qeverisje të kufizuar, të një rendi politik ku rregullat bazë, Kushtetuta, nuk mund të ndryshohen thjesht pse do dhe nga qeveria.

Jemi praktikisht në kushtet e ndryshimeve që bëri Hitleri apo të atyre që bëri Stalini, pasi edhe në ato raste ishte vetëm qeveria që ndryshoi Kushtetutën.

Kryeministri Rama, formalisht dhe në mënyrë perverse, po përdor një grup deputetësh të quajtur opozitarë për të arritur numrin që i duhet, dy të tretat e Kuvendit. Së pari, duket qartë që Rama nuk do t’i çojë ndryshimet kushtetuese për votim në popull, duke e marrë të mirëqenë faktin që ai po bën ndryshime me demek josubstanciale. Pra, ai përcakton se ç’natyrë kanë këto ndryshime. Që ta bëjë qeveria një gjë të tillë, është krejt antikushtetuese.

Së dyti dhe ky është thelbi i thelbeve te kjo përpjekje tipike antikushtetuese, ky Parlament nuk ka legjitimitet për këto ndryshime. Edhe sikur zgjedhjet e vitit 2017 të kenë qenë zgjedhjet më të drejta në botë, edhe sikur të mos jetë blerë apo vjedhur asnjë votë, ky Parlament nuk përfaqëson vullnetin e njerëzve të shprehur në ato zgjedhje. Ndërkohë që dihet se çfarë treguan përgjimet e publikuara nga “Bild” për ato zgjedhje për rolin e krimit në blerjen e votave dhe për manipulimet e qeverisë.

Por le ta lëmë argumentin e blerjes së votave në këtë moment. Në ato zgjedhje, shqiptarët i dhanë 74 mandate partisë së Kryeministrit Rama, 45 mandate Partisë Demokratike të kryetarit të PD-së, Basha, 18 mandate partisë së Monika Kryemadhit etj. Rama nuk mori nga shqiptarët aq deputetë sa duhen për ndryshime kushtetuese. Njerëzit në ditën e zgjedhjeve nuk e vunë shenjën + (plus) tek asnjë emër, as te zoti Murrizi, as te Kujtim Gjuzi, as te disa deputetë që duket se nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre.

Në një sistem zgjedhor me lista të mbyllura, vullneti i njerëzve i besohet partisë dhe lidershipit të saj. Ka shumë teoricienë të politikës dhe konstitucionalizmit (Mark Lazar, Gai Sermon), që thonë se mandatet parlamentare në sistemet me lista të mbyllura i përkasin më së shumti subjektit politik që i propozon. Sot, në Parlament, PD që u votua të ketë 45 mandate, nuk ka asnjë mandat, LSI që u votua të ketë 18 mandate, nuk ka asnjë mandat etj. Argumenti se fajin për këtë e ka vetë PD apo LSI, që dogjën mandatet, është qesharak, nonsens dhe nuk ia vlen fare të diskutohet. Gjithsesi, po themi shkurt që edhe sikur të jetë faji i PD-së apo LSI-së, që përfunduam te ky Parlament (gjë që nuk është asfare, sepse djegia e mandateve është akt politik dhe ishte kthyer në detyrim përballë asaj që përfaqësonte Parlamenti), ky Parlament nuk është votuar nga njerëzit.

Jo thjesht për deputetët që zgjidhen me lista të mbyllura, tek emri i të cilëve asnjë votues nuk vendos ndonjë shenjë pëlqimi, por edhe për deputetë që zgjidhen nga votimi i popullit nuk ekziston legjitimitet i plotë kur ai ndërron parti.

Jeff Jeffords, një senator republikan nga Vermont-i, u largua nga partia e tij dhe shkoi te demokratët. Ai tha se “deri sa të përfundonte mandati i tij ku ai ishte votuar si republikan, ai nuk do të votonte në asnjë rast kundër partisë republikane”. “Kur të marr mandatin si demokrat, atëherë do të ndryshojë puna”, tha ai

Senatori republikan nga Pensilvania, Arlen Spekter, në vitin 2009 u largua nga partia e tij dhe shkoi në Partinë Demokrate. Ai tha se “pikëpamjet e mia janë më pranë demokratëve dhe jo republikanëve dhe prandaj po iki, por ai deri në zgjedhje nuk do të votojë kundër republikanëve”.

Në Francë, kur një deputet, i cili zgjidhet nga votimi i popullit në sistemin maxhoritar, ikën nga partia, ai regjistrohet si i pavarur. Atij nuk i lejohet të quhet një deputet i partisë ku ishte dhe as i ndonjë partie tjetër. Shembuj të tillë ka në Angli, Gjermani dhe kudo.

Zoti Murrizi, znj. Hajdari, Kujtim Gjuzi apo deputetët që flasin për uiski që iu kanë dhënë femrave, të cilët nuk janë zgjedhur si senatori Jeffords apo si senatori Spekter në votim maxhoritar, ku e gjejnë të drejtën të përfaqësojnë votuesit e PD-së, të përfaqësojnë opozitën, e cila mori 45 mandate në vitin 2017. Ata, edhe sikur të kishin ide të ndryshme nga PD, edhe sikur të kishin ide më të afërta me Ramën, nuk mund të votonin kurrë kundër vullnetit të votuesit të PD-së. Cilët janë këta njerëz që paskan të drejtë të ndryshojnë kontratën sociale të të gjithë shqiptarëve? Ata, në të vërtetë, nuk e kuptojnë rëndësinë e kësaj gjëje.

Problemi është që sistemi ynë ka dështuar aq keq sa i ka dhënë mundësi Kryeministrit Rama që të përdorë çdo oreks dhe çdo epsh për pushtet dhe për sundim. Ndryshe nga qëllimi i Kushtetutës dhe nga fryma e mendimit që ka prodhuar demokracitë më të mira, ne po dështojmë si shoqëri, duke mos ndërtuar kurrë hallka apo zinxhirë në proporcion me epshin apo oreksin e Kryeministrit. Epshi apo oreksi i Kryeministrit janë pa kufi dhe ai duhet të lidhej apo kufizohej, siç thotë Burke, në zinxhirë të fortë sa epshi i tij.

Përkundër kësaj, një tufë deputetësh zhyten edhe ata në orekset e tyre dhe mbajnë në këmbë oreksin e Ramës. Përkundër kësaj sheh njerëz në media apo komentatorë politikë, që mbrojnë këtë gjë të pambrojtshme edhe nga politikanë apo gazetarë në Zaire apo Gambia.

Ka mbetur vetëm që opozita dhe populli të dalin në rrugë, të bëhen njësh me të drejtën dhe mbrojtjen e lirive, të bëhen njësh me frymën amerikane të Deklaratës së Pavarësisë që thotë se “…kur qeveritë bëhen tiranike (destruktive të qëllimeve të mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave), atëherë është e drejta e njerëzve të rrëzojnë apo t’i ndërrojnë ato”. Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, deri më tani ka treguar se është kundër kësaj përpjekjeje të Ramës dhe është një zë tipik që përfaqëson frymën e mendimit që ka ndërtuar atë vend. Ambasada është sot, veç daljes në rrugë të popullit, entiteti i vetëm që mund t’i vendosë zinxhirin burkean epshit autokratik të Ramës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura